28 Mars 2024

Përurohet autostrada energjetike Shqipëri - Kosovë

Prishtinë, 28 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa mori sot pjesë në ceremoninë e inaugurimit të linjës së re të interkoneksionit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hajredin Kuçi, ministrat Blerand Stavileci dhe Damian Gjiknuri, përfaqësuesit e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), të operatorëve të energjisë si dhe shumë pjesëmarrës të tjerë.

Kryeministri Mustafa theksoi me këtë rast se energjia është shtyllë  tepër e rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, parakusht i rritjes së investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe parakusht i mirëqenies së qytetarëve.

\"Në prodhimin e energjisë, vendet tona kanë diversitet të resurseve energjetike. Linja e interkoneksionit 400 kilovoltësh Kosovë-Shqipëri, jep vlerë më të madhe këtij diversiteti, pasi që krijon mundësinë e shkëmbimit të energjisë elektrike, atëherë kur është e nevojshme dhe sidomos në stinët kur dy vendet tona kanë mundësi të komplementaritetit të energjisë të gjeneruar nga uji dhe thëngjilli, duke arritur shkallën e efiçiencës ekonomike dhe po ashtu edhe shkallën e ekonomisë, përmes zvogëlimit të shpenzimeve të shkëmbimit të energjisë elektrike. Linja e interkoneksionit të energjisë, të cilën po e inaugurojmë sot, vlerësojmë se është rrugë e jetës së ekonomisë, është frymëmarrje energjetike që siguron stabilitet kompanive biznesore, është një arterie e rëndësisë së veçantë për zhvillimin ekonomik të dy vendeve tona.\"

\" Është një projekt i përbashkët që ka gjetur përkrahjen e qeverisë gjermane, e cila përmes Bankës Gjermane për Zhvillim e ka financuar realizimin e tij. Projektet e mëdha dhe me ndikim afatgjatë realizohen vetëm përmes bashkëpunimit dhe në përkrahje të partnerëve të fuqishëm ekonomik ashtu siç është Gjermania.\"

\"Prandaj është ky rast që të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë, për qeverinë gjermane, për Bankën Gjermane për Zhvillim, për shumë projekte të rëndësishme të cilat kanë përmirësuar jetën e qytetarëve tanë, dhe kanë krijuar kushte për zhvillim ekonomik, për rritje ekonomike dhe për punësim. Projektet si ky hapin shtigje të reja të integrimit në rajon, dhe të integrimit Evropian, sepse kjo krijon kushte të mira tregtare për shkëmbim të energjisë dhe për rrjetin tranzit të energjisë elektrike\", ka theksuar Mustafa.

“Është një ngjarje e shënuar në rrugën e integrimit të hapësirës sonë përmes një integrimi të gjithanshëm, duke filluar nga energjia e duke vazhduar në të gjithë sektorët. Kemi bërë shumë së bashku për të përafruar në çdo sektor qasjen tonë ligjore dhe administrative”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri - Kosovë ka një gjatësi totale 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km shtrihen në territorin e Kosovës. Segmenti i parë i parë i linjës nga Tirana në Vaun e Dejës me gjatësi 80 km përfshin shtrirjen e qarkut të dytë në linjën ekzistuese Tiranë-Podgoricë dhe Segmenti i dytë i linjës konsiston në ndërtimin e një linjeje të re me një qark Vau i Dejës-Morinë me gjatësi 71 km.

Linja e Interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë ka dy përcjellës për fazë të tipit ACSR 490/65 mm 2. Përcjellësi i mbrojtjes nga goditjet atmosferike do të jetë i pajisur në brendësi me fibra optike, për qëllime të telekomunikacionit dhe shkëmbimit të të dhënave.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)