20 Prill 2024

Tahiri mori pjesë në tryezën globale mbi “Rimendimin e qeverisjes në shoqëritë e brishta”

Santpoort, 27 qershor - Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka marrë pjesë në tryezën e gjashtë globale me titull “Rimendimi i qeverisjes në shoqëritë e brishta”, të organizuar nga Fondacioni BMW Herbert Quandt i Gjermanisë dhe Instituti i Hagës për Drejtësi Globale, i cili u mbajt në Santpoort të Holandës prej 23-26 qershor 2016.

Në këtë tryezë kanë marrë pjesë personalitete nga institucione të ndryshme ndërkombëtare, diplomatë të shquar dhe pjesëtarë të shoqërisë civile nga mbarë bota, në mesin e të cilëve diplomati i shquar gjerman Michael Schaefer, drejtor ekzekutiv i Fondacionit BMW Herbert Quandt, Abiodun Williams, president i Institutit të Hagës për Drejtësi, Wofgang Petrich, ish negociator i BE-së në Konferencën e Rambujesë, Peter Feith, ish përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Kosovë, Fatou Bensouda, kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, etj. Ministrja Tahiri shoqërohej nga këshilltari kryesor, Dren Zeka, i cili mori pjesë në grupin punues për demokracinë dhe sundimin e ligjit në vendet e paskonfliktit.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte diskutimi i strategjive për avancimin e shtetndërtimit dhe paqe ndërtimit, duke marrë për bazë mësimet e dala nga vendet ku ka pasur intervenime ndërkombëtare për të ndihmuar rindërtimin në periudhat e paskonfliktit.

Duke marrë parasysh shtimin e krizave dhe konflikteve në botë dhe nevojën për intervenime ndërkombëtare për të krijuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, diskutimet u fokusuan rreth rimendimit të qeverisjes efektive në vendet e paskonflikit si mundësi për parandalimin e përsëritjes së konflikteve të dhunshme, me fokus të veçantë në shoqëritë e brishta.

Në këtë takim ministrja Edita Tahiri, mbajti një ligjëratë me temën “Sfidat e shtetndërtimit në Kosovë”, ku theksoi nevojën e rimendimit konceptual dhe praktik të mandateve dhe misioneve ndërkombëtare për paqendërtim dhe shtetndërtim duke nxjerrë përvoja nga rasti i Kosovës.

Ajo tha se praktikat e mëhershme të intervenimit ndërkombëtar na japin mundësi që të nxjerrim mësime në përpjekjet tona të përbashkëta për atë se si ne mund të përmirësojmë ndërtimin ose rindërtimin e shteteve të suksesshme dhe të paqes e stabilitetit në vendet që kanë kaluar luftëra e konflikte.

“Për mendimin tim, ndërtimi i institucioneve shtetërore dhe të qeverisjes mund të quhet i suksesshëm në qoftëse qeverisja e vendit është e aftë dhe efektive që të ofrojë shërbime publike që përmbushin nevojat dhe pritjet e qytetarëve, në kushtet e një demokracie gjithëpërfshirëse.

Rasti i Kosovës sjell gjetje interesante që zbulojnë dobësitë dhe mangësitë e përfshirjes së OKB-së, përkatësisht UNMIK-ut, jo vetëm në aspektin praktik, por edhe në aspektin teorik dhe institucional.

Agjenda e shtetndërtimit dhe paqendërtimit në Kosovë ishte mjaft komplekse. Ajo ka përfshirë një varg çështjesh themelore, sikurse që janë: ndërtimi i institucioneve shtetërore dhe qeverisjes nga e para, ndërtimi i bashkëjetesës paqësore të një shoqërie shumëetnike, të shumicës shqiptare dhe minoriteteve, kujdesi dhe siguria që shkaqet e konfliktit janë hequr përfundimisht. Ky ishte mandati dhe misioni i UNMIK-ut me autoritet të plotë për të ndjekur dhe zbatuar këtë mandat në periudhën 1999-2008.

Megjithatë, në praktikë, së bashku me disa suksese të rëndësishme, UNMIK-u dështoi të zbatoj mandatin e vet në aspektet më të ndjeshme.

Ai nuk mundi të sigurojë administrim efektiv për të gjithë njerëzit dhe gjithë territorin, e administroi vetëm dy të tretat e Kosovës, sepse dështoi që të pengoj ndërhyrjet e ish-okupatorit Serbisë, që në mënyrë të paligjshme vendosi strukturat e veta në disa pjesë të Kosovës, kryesisht në pjesën veriore dhe në enklavat serbe.

Kjo pavarësisht faktit se Rezoluta 1244 autorizoi UNMIK-un për të administruar gjithë territorin e Kosovës dhe për të ndihmuar ndërtimin e institucioneve shtetërore për qeverisjen e vendit. Skenari i imponuar nga UNMIK-u, kishte nxitur pasiguri dhe frikë për të ardhmen, gjë e cila detyroi vendorët që në vazhdimësi të kërkojnë marrjen e kompetencave përsipër si dhe të kërkojnë përshpejtimin e definimit të statusit të pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, roli i vendorëve mbeti thjesht sipërfaqësor, gjë e cila i bëri ata të pafuqishëm në lidhje me bartjen e përgjegjësive për një qeverisje efektive. Formula e stabilitetit para demokracisë ishte e gabueshme, e përdorur taktikisht nga ana e UNMIK-ut për të vonuar përkufizimin e statusit, i cili në fund të ditës, kur statusi i pavarësisë është deklaruar në vitin 2008, Kosova hyri në të me qeverisje dhe sundim të ligjit të brishtë si dhe me problemet e strukturave paralele në veri të vendit dhe vetëm me një pjesë të minoritetit serb të integruar. Korrupsioni ishte rritur nga vendor dhe ndërkombëtar, ndërsa përpjekjet e grupeve reformiste mbetën të dekurajuar.

Por si mund të kemi një ndërhyrje ndërkombëtare më ndryshe dhe më të mirë në të ardhmen? Një pyetje e tillë bën thirrje për një nevojë të bazuar që të rimednojmë konceptualisht dhe praktikisht proceset e shtetndërtimit dhe ndërtimin e paqes që ndër të tjerash kërkon reforma në institucionet paqekrijuese të OKB-së.

Në këtë drejtim, mësimet që dalin nga rasti i Kosovës dhe të cilat unë i kam trajtuar në tezën time të doktoraturës mund të shërbejnë si rekomandime të vlefshme për agjendën e arkitekturës së re të paqendërtimit që OKB është duke e përgatitur. Prandaj, më lejoni të ndaj me ju disa nga rekomandimet kryesore për këtë qëllim:

 

1. Përkufizimi i konceptit aktual të shtetndërtimit në vendet e paskonfliktit duhet të ndryshoj, të zgjerohet më tej në një kornizë adekuate për agjendat më komplekse. Pra, koncepti i shtetndërtimit duhet të shikoj përtej problemeve të qeverisjes në vendin në fjalë, andaj duhet të zgjerohet që të jetë në gjendje për të trajtuar probleme të natyrës së sovranitetit. Sikur të ekzistonte një koncept i tillë më parë, UNMIK-u nuk do të toleronte ndërhyrjet e ish-okupatorit në Kosovë, përkundrazi do t’i pengonte ato dhe do të ishte në gjendje për të administruar të gjithë territorin e Kosovës. Kjo do t’i jepte mundësi UNMIK-ut që të largohej nga Kosova me suksese dhe jo të kishte dështime siç i pati. Misionet ndërkombëtare paqekrijuese dhe shtetndërtuese duhet të jetë në gjendje për të trajtuar të gjitha problemet relevante në vendet ku zhvillojnë ndërhyrjen, sepse objektivi parësor i tyre është zgjidhja e problemeve kritike të cilat lehtë mund të përkthehen në burime të reja të konfliktit.

 

2. Dështimet e UNMIK-ut që hasen në rastin e Kosovës kërkojnë një debat akademik dhe politik mbi boshllëqet/diskrepancat në mes të mandatit të UNMIK-ut dhe strategjisë së zbatimit të mandatit të saj. Parimi kryesor që duhet të ndiqet këtu është zbatimi efektiv i mandatit të misioneve ndërkombëtare për shtetndërtim/paqendërtim. Pyetjet që duhet të ngritën në këtë debat janë: nëse strategjia për zbatim për UNMIK-un u përpunua në mënyrë të mjaftueshme për të kuptuar të gjitha sfidat që e kanë pritur dhe, nëse anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që votuan, kishin vullnet t’i qëndrojnë zbatimit të Rezolutës 1244 e cila ndër tjerash kërkonte definimin e statusit për Kosovën dhe një administratë të përkohshme të UNMIK-ut në Kosovë pa ndërhyrje të ish-okupatorit dhe pa pengesa për integrimin e minoritetit serb.

 

3. Stabiliteti dhe demokracia duhet të shkojnë dorë me dorë në çdo rast të misioneve ndërkombëtare për shtetndërtim të suksesshëm. Në qoftë se stabiliteti është premisa kryesore e shtetndërtimit, në fund të udhëtimit do të përballemi me themelet e brishta demokratike që nuk do të jetë në gjendje për të mbajtur institucionet qeverisëse, për shkak të sundimit të brishtë të ligjit, korrupsionit, sistemeve autokratike politike dhe shmangies nga llogaridhënia ndaj qytetarëve për politikanët që konsiderohen garantues të stabilitetit politik. Paradigma të tilla nuk mund të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe as punësimin, as nuk mund të nxisin dinamikën reformiste.


4. Roli substancial i vendorëve është i domosdoshëm për të siguruar legjitimitetin e institucioneve qeverisëse të pas konfliktit. Është shumë e rëndësishme për të shqyrtuar dhe arritur ekuilibrin mes përfshirjes ndërkombëtare dhe pronësisë kombëtare. Koha dhe cilësia e kompetencave të transferuara tek vendorët është kritike. Vonesat mund të kenë efekte negative për qëndrueshmërinë e procesit.

5. Marrëdhëniet shumicë-pakicë paraqesin një sfidë tjetër në përpjekjet e sigurimit të procesit të ndërtimit të paqes në vendet e paskonfliktit. Masat e mirëbesimit, në kuptimin ligjor, politik dhe shoqëror si dhe drejtësia ndërkombëtare për të ndëshkuar krimet dhe gjenocidin kundër popullit të Kosovë janë masa për një paqe të qëndrueshme në Kosovë, si një atdhe i sigurt dhe prosperues për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në këtë shtet.

Pas këtyre rekomandimeve më lejoni që të theksoj se problemet që i la pas vetes UNMIK-u, janë sfida që po i adreson Qeveria e Kosovës së pavarur me agjendën e saj reformatore si dhe dialogu i Brukselit i cili po mundëson zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë ku shumë prej tyre janë zhbërë tashmë, si dhe po ndihmon integrimin e një pjese të serbëve që ishin penguar të integrohen në sistemin e Kosovës.

Kosova si shtet më i ri në Evropë, pas një lufte të gjatë për pavarësi dhe me ndihmën e aleatëve perëndimor në radhë të parë SHBA-ve dhe vendeve evropiane, tashmë është njohur nga shumë vende, ka hapur kapitullin zyrtar të integrimit evropian përmes MSA-së dhe është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)