25 Prill 2024

Posta, apel Qeverisë për subvencionim

Prishtinë, 25 qershor - Humbjet financiare prej 1,560,504.60 eurosh në vitin 2014 dhe humbjet e 1,296,695.48 eurove në vitin 2015 janë bërë sebep që Bordi i Drejtorëve i Postës së Kosovës të kërkojë nga Qeveria e Kosovës të subvencionohet kjo kompani, të respektohet Ligji mbi shërbimin postar dhe marrëveshja me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, në mënyrë që t’u bëhet ballë humbjeve financiare dhe të mos rrezikohet mirëqenia e mbi 1 000 punëtorëve.

Në kërkesën e Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës, e cila mban nënshkrimin e Halit Isufit, kryesues i këtij bordi, është thënë se Qeveria e Republikë së Kosovës duhet ta subvencionojë Postën e Kosovë, pasi kjo kompani ka pësuar humbje të thella financiare, shkruan “Epoka e re”.

Në këtë kërkesë është bërë me dije se Ndërmarrja Publike Qendrore Posta e Kosovës Sh. A. është i vetmi operator publik postar që e ofron Shërbimin Universal Postar (pranimin, bartjen, shpërndarjen dhe dorëzimin e dërgesave postare) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, sipas tarifave të përcaktuara nga ARKEP, kushteve të përgjithshme të Licencës, si dhe nga obligimet që dalin nga Ligji për Shërbimin Postar (Nr. 03/L-173). Sipas kësaj kërkese, për ta zbatuar Ligjin për Shërbimin Postar, Posta e Kosovës Sh. A. ka nënshkruar edhe një Marrëveshje me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) për kryerjen e Shërbimit Universal dhe të Rezervuarit Postar në Republikën e Kosovës më datë 06. 02. 2014 (Nr. i protokollit: 263, Nr. 01-874/14), me kohëzgjatje prej pesë vjetësh. “Posta e është e obliguar me ligj që, në funksion të shërbimit të qytetarëve, ta kryejë për çdo ditë shërbimin universal postar, në çdo pjesë të Kosovës, pavarësisht kostos, mirëpo edhe Qeveria e Kosovës është e obliguar me ligj që t’i mbulojë humbjet në këtë shërbim postar, në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa këtë shërbim. Pavarësisht humbjeve financiare që ka pësuar Posta e Kosovës, duke e zbatuar këtë shërbim dhe ligjin në fuqi, si dhe pavarësisht kërkesave drejtuar Qeverisë, asnjëherë nuk është bërë kompensimi ose subvencionimi i Postës”, është bërë me dije në këtë kërkesë, sipas së cilës, bazuar në analizat financiare të Postës së Kosovës, ka rezultuar se nga Plani i Biznesit për vitin 2014 humbja financiare nga realizimi i Shërbimit Universal Postar është në shumën 1,560,504. 60 euro si dhe 1,296,695. 48 euro për vitin 2015.

“Pavarësisht përpjekjeve jashtëzakonisht të mëdha të Postës së Kosovës, si përmes shërbimeve të reja siç është Shërbimi Financiar Jo-Bankar, ashtu edhe nëpërmjet kontratave të shumta (të gjitha me trend pozitiv: viti 2013, 2014, 2015 dhe 2016) me ndërmarrje të ndryshme publike e private, prapëseprapë ka qenë e pamundshme të mbulohet e tërë humbja financiare që kemi nga ofrimi i Shërbimit Universal Postar.

Prandaj, duke u bazuar në Ligjin mbi shërbimin Postar si dhe në Marrëveshjen me MZHE-në, Bordi i Drejtorëve të Postës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që patjetër të shqyrtojë dhe aprovojë kërkesën për subvencionim të Shërbimit Universal Postar gjatë rishikimit të Buxhetit për vitin 2016”, është specifikuar në këtë kërkesë, në të cilën është shtuar:

“Njëherësh, kërkojmë edhe nga të gjithë anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, si dhe nga të gjithë deputetët e nderuar, që ta mbështesin kërkesën e Postës së Kosovës që njëherësh është kërkesë e mbi një mijë punëtorëve”. “Qeveria e Kosovës, e cila është aksionare e qindpërqindtë e ndërmarrjes sonë publike, ka për obligim ta përkrahë Postën e Kosovës, veçanërisht aty ku është e obliguar me Ligj.

Bordi i Drejtorëve të Postës së Kosovës ju siguron se gjatë viteve të fundit në këtë ndërmarrje janë marrë të gjitha masat për ulje të shpenzimeve financiare, kudo që ka qenë e mundshme, duke përfshirë edhe uljen e pagave, ndërprerjen e kontratës për sigurim shëndetësor etj.

Gjithashtu, ndihemi krenarë të potencojmë se në Postën e Kosovës janë shënuar të arritura jashtëzakonisht të mëdha në kuptimin e sigurimit të të hyrave nëpërmjet shërbimeve dhe produkteve të reja dhe cilësore siç është Shërbimi Financiar Jobankar, marrëveshje të shumta afariste me institucione publike dhe private, modernizim dhe digjitalizim i shërbimeve pa krijuar asnjë shpenzim siç është shërbimi Gjurmimi i Dërgesave (track&trace) etj.”, është shtuar në këtë kërkesë, sipas së cilës, Bordi i Drejtorëve siguron Qeverinë e Kosovës, të gjithë deputetët dhe të gjithë konsumatorët e Postës së Kosovës, se subvencionimi i shërbimit universal postar është jetik për arritjen e qëndrueshmërisë afatgjatë financiare, zhvillimin e mëtejmë të operatorit publik postar, por edhe për mosrrezikimin e mirëqenies së mbi 1 000 punëtorëve. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)