19 Prill 2024

Bizneset kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e vendit

Prishtinë, 30 maj - Me qëllim të fuqizimit mëtejmë të partneritetit ndërmjet sektorit privat dhe publik, është mbajtur Forumi Vjetor Publiko-Privat, i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

Krahas prezantimeve hyrëse nga panelistët, forumi u ofroi mundësinë bizneseve që përfaqësojnë tatimpaguesit më të mëdhenj të detyrimeve doganore, që të ngrisin shqetësimet e tyre për çështjet me të cilat përballet në raport me zyrtarët doganorë.

Në këtë organizim, i pranishëm ishte edhe Ministri i Financave, Avdullah Hoti i cili tha se praktikat e dialogut dhe partneritetit publiko-privat janë shumë të nevojshme për adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve të cilat pengojnë punën e bizneseve, e të cilat meritojnë vëmendje të veçantë.

Ai tha se reformat fiskale të ndërmarra viteve të fundit, kanë ndihmuar bizneset në lehtësimin dhe përmirësimin e ambientit të të bërit biznes.

Sa i përket proceseve të ardhshme, Hoti përmendi Udhëzimin Administrativ për Pushimet tatimore, çështje kjo e ngritur disa herë nga Oda Amerikane, procesin e finalizimit të Zonave të lira ekonomike në 7 regjione si dhe Ligjin për Agjencinë e të Hyrave, për të cilin parashihet të mbahet edhe konsultim publik.

Në anën tjetër, Drejtori i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi gatishmërinë e tij për të vazhduar takimet e drejtpërdrejta me bizneset me qëllim të diskutimit të çështjeve të interesit të përbashkët, duke shtuar se objektivat e institucionit që ai drejton, synohet që të realizohen së bashku me bizneset përmes komunikimit dhe dialogut të përbashkët.

Më tej, ai prezantoi edhe Raportin e Reformave të Ndërmarra në Doganë dhe Efektet në biznes, duke filluar që nga historiati mbi themelimin e Doganës, reformat e ndërmarra gjatë viteve 2014-2016, lehtësirat e shumta të ofruara për bizneset përmes themelimit të njësive dhe projekteve të reja, si dhe rezultatet e mëtejme.

Safet Gërxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, konsideroi vitin 2015 dhe 2016, si vite të dialogut dhe bashkëpunimit të mirëfilltë, duke shprehur mirënjohjen e tij për kontributin e Ministrisë së Financave dhe Doganës së Kosovës, njëkohësisht edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Odës Amerikane.

Ai gjithashtu tha se bizneset duhet që në vazhdimësi të konsiderohen si kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e vendit, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e mirëqenies sociale.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka vuri theksin tek partneriteti tash e sa vite në mes të dy asociacioneve të biznesit, qe sipas tij ka mundësuar që të bashkërisht të avokohet në çështje të ndryshme në emër të bizneseve si dhe të arrihen rezultate pozitive.

Si një mekanizëm të tillë, Zeka përmendi Këshillin Konsultativ Ministri e Financave-Doganë-ATK-Komunitet i Biznesit, i cili ka mundësuar që drejtpërsëdrejti të adresohen shqetësimet e bizneseve, të cilat janë marrë parasysh nga institucionet relevante.

Ai shtoi se takimet e tilla janë të domosdoshme për eliminimin e problemeve dhe shqetësimeve më të cilat përballen bizneset, duke theksuar nevojën për krijimin e një profili të veçantë të bizneseve të cilat janë dëshmuar ndër vite si biznese të disiplinuara.

Pas prezantimeve, fjalën e morën përfaqësuesit e bizneseve të pranishme në këtë takim, për të adresuar sfidat me të cilat ata përballen gjatë të bërit biznes.

Çështja e rivlerësimit të mallrave, rregullorja mbi transportin, procedurat e zhdoganimit të veturave të reja dhe rivlerësimi i atyre të vjetra sipas katalogut, nevoja për funksionalizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave, problemet dhe vonesat në procesin e fiskalizimit të bizneseve, ishin disa nga çështjet e ngritura nga ana e bizneseve, për të cilat morën përgjigjet e duhura nga Ministri i Financave dhe Drejtori i Doganës së Kosovës.

---

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)