20 Prill 2024

Çka po ndodhë në LDK

Shkruar nga Gani Qarri

E dhimbshme por e vërtetë, disa njerëz (partiak)të verbuar nga politika, njëmend kanë humbur tërësisht respektin ndaj femrës shqiptare, gjë që është në kundërshtim flagrant edhe me doket dhe traditat tona kombëtare. 

Dihet se klani aktual komandues me në krye z. Mustafa, e kthyen këtë parti, përfundimisht nga një Lëvizje Gjithëpopllore, në një grupim përulës e qesharak dhe gati apolitik.

Për aq më keq, veprimet e fundit, vërtetë kaluan të gjithë kufijtë e normales dhe shkuan gati deri në degjenerim, në përballje me znj. Donika Gërvalla.

Sjelljet e shfaqura para dyerve të sallës ku mbahej kuvend i LDK-s, përkojnë plotësisht me mentalitetin e vjetër proletar të kohës së Rrahman Morinës, trashëguar nga sistemi i kaluar autoritar sllavo-komunist dhe jo me traditat shqiptare.

Diktatura personale e z. Mustafa si kryetar, dhe pengesat e klaneve të vjetra të ngurtësuara përjetësisht në kryesinë e LDK-s, me farsën e tyre udhëheqëse, po e mbysin këtë parti nga brenda dhe dërgojnë atë çdo ditë e më tepër, drejtë shkatërrimit dhe humnerës së sigurt.

Pikërisht ky  klan komandues, me apo pavetëdije, e shndërruan LDK, thuaja se në një “OJQ” apo “Eskortë”, për plotësim dëshirash, kurdisje rezultatesh dhe rregullime votimesh, për ngritjen e padronëve në pozitat më të larta të mundshme që ata dëshirojnë, siç patëm rastin të shihnim e përjetonim diktatin e Isa Mustafës, për bërjen e Hashim Thaqit, kryetar vendi.

Por, përkundër të gjithave, mjerisht edhe votat e krijesave të ngurtësuara përjetshëm në kryesitë e partive, vazhdojnë të numërohen dhe trajtohen padrejtësisht me peshë të njëjtë, mu si votat e deputetëve të mirëfilltë, ani pse ata interesi i ka tjetërsuar e shformuar tërësisht dhe kthyer në robotë kryetarësh, në

 individ të zhveshur nga njerëzorja, karakteri, idealizmi dhe çdo gjë kombëtare.

Sipas z. prof. dr. Shpejtim Bulliqi, një pjesë e figurave të tilla (robotike), që nga fillimi njihen edhe si nomad.

Ata, katapultohen nga partia në parti dhe deri më tani kanë ndërruar disa subjekte politike duke kërkuar vendin dhe mundësitë më të mira për përfitime sa më të mëdha personale.

Figura të tilla klandestine, aktualisht janë dominuese edhe në partinë e tij, shndërruar në pasqyrë deformuese dhe fytyrë tërësisht të shtrembëruar -identifikuese të LDK-s.

Mjerimi kontrovers i pasardhësve të tillë, me gjithë palavdinë endacake dhe ngjitjet prostituive, janë fuqizuar së tepërmi brenda LDK-s, dhe kanë fituar aq besim në vetvete, sa që pothuajse vazhdimisht kërkojnë me këmbëngulje edhe dorëheqjen e një kuadri të vjetër e shembullor nga radhët e LDK-s, si prof. dr. Shpejtim Bulliqi.

Muhagjerët politik, as që duan t`ia dinë, se kuadrot e profileve të dorës së prof. dr. Shpejtim Bulliqit, sot numërohen në gishta edhe në partitë tjera më të mëdha e lëre më në këtë parti gati tërësisht të deformuar, e cila megjithatë padenjësisht, shfrytëzon dhe përdorë ende emërtimin dikur dashamirës dhe gjithëpërfshirës të ish LDK.

Njerëz si z. Mustafa, kanë zhvlerësuar krejtësisht edhe kuptimin e mirëfilltë të fjalës shqipe!

 Ata, jo vetëm në këtë parti, por edhe në qeveri e politikën vendore në përgjithësi, premtimet nga gojët e tyre, i nxjerrin vetëm sa për të shitur mashtrimet e radhës dhe ngjitur në pozitat e lakmuara nga ta.

Politikanët aktual në Kosovë, Shqipëri dhe trojet tjera etnike, janë kthyer në figurat më të pabesueshme kombëtare, të cilët shterpëzuan pariparueshëm, shpresat e shqiptarëve kudo!

Fytyrat më tragjikomike dhe pa asnjë fije kredibiliteti, të cilat herët a vonë, nuk ka mënyrë as mundësi, që ti shpëtojnë nga theqafja e sigurtë dhe mallkimi i përjetshëm i historisë, ngulfatën plotësisht ardhmërinë e këtij populli.

Emra dhe autor pazaresh të dyshimta e misterioze, kanë filluar ngadalë të shndërrohen në objekt talljeje e përqeshjeje publike. Ata, me të drejtë nuk i merr më askush seriozisht.

Servilët më pikantë të këtyre trojeve,duhet përfundimisht të vetëdijësohen dhe kuptojnë,se u ka skaduar qëmoti jo vetëm natyrësia e të bërit politikë, por edhe afati i pensionimit, sipas viteve të vjetërsisë.

Qëndrimet e paskrupullta në kryesinë e LDK-s, kanë bërë që një grup i vogël me në krye Vjosa Osmanin, të distancohen nga pensionistët e ngurtësuar me azil të përjetshëm në këtë parti.

Figura më groteske që mund të ketë pasur ndonjëherë ky grupim politik dhe kalorësi më tipik i humbjeve më të mëdha që gjatë këtyre viteve ka shënuar LDK, padyshim është dhe mbetet kryetari i saj, Isa Mustafa.

Megjithatë, z. Mustafa me kryeneqësi vazhdon të imponohet politikisht, duke i mbetur besnik ish frymës së veprimeve komuniste edhe në këtë kohë, i bindur dhe me vetëbesim të paluhatshëm, se ai mbetet udhëheqësi më i shquar që ka vendi.

Mjerisht, qëkur z.Thaqi dhe z.Mustafa morën në dorë udhëheqjen partiake e shtetërore dhe kryesojnë politikbërjen në vend, përveç fuqizimit të krizës, ata thelluan maksimalisht gjithandej edhe ndasitë ndër-shqiptare.

Por përkundër të gjithave, me veprimet e tyre djallëzore sipas metodave komuniste dhe valëvitjen e flamujve të patriotizmit fiktiv,njëri as tjetri, jo vetëm nuk ranë nga pozicionet politike, por u nguliten dhe forcuan edhe më shumë në pushtet, derisa shumëkujt në Kosovë, nga gjendja në të cilën e sollën ata vendin, i mungon edhe buka e gojës në sofrën familjare.

Këta bënë që edhe peizazhi i Kosovës të mjegullohet aq shumë, sa që përveç një premtimi solemn nga Evropa, vetëm shtetit tonë të ri, ende të mos i hiqen vizat, kurse shqiptarët të mbahen edhe më tejë, të mbyllur e të izoluar nga bota e civilizuar.

Çfarë tjetër mund të pres vendi ynë i vogël nga politikbërës servil, ngurtësuar tash e sa vite në udhëheqësinë e shtetit dhe partive politike, të cilët tash e sa kohë udhëheqin jo vetëm partitë por edhe qeveritë e vendit.

Kjo është gjendja në të cilën sot janë katandisur shqiptarët me halle shumë, shkaqet e të cilave vijnë sa nga PDK, aq edhe nga LDK, si partia e dytë më e madhe në vend, e cila së fundi po përjeton çoroditjen më të trishtë, që nga themelimi i saj.

Megjithatë, kryesia e LDK-s, mjerisht edhe pas ish fenomenit historik të luftimit me karrige në ish kuvendin famoz, tani ka nisur sulmet kundër grave të \"rebeluara\" në kuvendet aktuale, ani pse Donika është pjesë jetike nga diaspora dhe pasardhëse e një familje të njohur atdhetare dhe historike për shqiptarët dhe vendin tonë.

Kjo parti, që kur erdhi në krye të saj Isa Mustafa, nga demokracia degjeneroi në diktaturë dhe nisi udhëheqjen sipas filozofisë komuniste, duke bashkëpunuar vetëm me njerëz të dëgjueshëm, që i binden atij, në parti dhe në qeveri.

Ai e mbylli LDK-n, në vetvete, mbyti çdo lloj të demokracisë së brendshme dhe tani jo vetëm bënë ngulfatjen por rrezikon edhe shkatërrimin e tërësishëm të saj, nga fryma despotike që ka inkorporuar në të, duke mos u treguar i gatshëm të jap llogari as përgjigjet për asgjë.

Ajo që nuk mund të justifikohet asnjëherë dhe në asnjë mënyrë, është paranoja e tij, për  linçimin permanent dhe shmangien e qëllimshme të emrave të papëlqyeshëm, jo vetëm nga drejtimi i partisë brenda vendit, por edhe i degëve të saj në diasporë, siç patëm rastin të shihnim tërheqjen zvarrë të Donika Gërvallës, para sallës ku mbahej kuvendi i LDK-s.

Është plotësisht e pa falshme dhe krejtësisht e papranueshme për secilin banorë të Kosovës,që në emër të ruajtjes së strukturave të vjetra dhe paprekshmërisë së klaneve më destruktive, por të dëgjueshme ndaj tij, Isa Mustafa jo vetëm si kryetar partie por edhe si kryeministër i vendit, të shndërrohet në padron të hakmarrjeve aq banale, të pajustifikueshme dhe krejt të paprecedentë, duke harruar tërësisht problemet e vërteta të vendit.

Brutaliteti i treguar fizik, si akt i turpshëm, është i papranueshëm edhe për faktin se vet Isa Mustafa u shndërrua në komisar tipik komunist dhe krykalorës diktatorial i luftës “proletare” kundër  një aktivisteje të njohur e të hershme të LDK-s, në diasporë dhe pasardhëse e devotshme e njërës nga familjet më të respektuara patriotike që kanë flijuar dhe sakrifikuar shumë për atdhe, derisa ai vet, asokohe punonte për sistemin pushtues sllavo-komunist.

Madje, me arrogancën e treguar edhe ndaj kuadrove më të dalluara në parti, duke atakuar qëllimshëm dhe margjinalizuar në mënyrë tendencioze edhe emrat e specialistëve më të shquar e më autoritativ që mund të kenë mbetur ende në përbërjen e LDK-s, si prof.dr. Shpejtim Bulliqi, Isa Mustafa ka rritur deri në pafundësi mungesën e besimit në udhëheqjen e kësaj partie, nga elektorati dhe masat e gjera të popullsisë, si dhe ka dëmtuar keq imazhin e dikurshëm të mirë të kësaj partie.

Mjerisht, udhëheqës të tillë qeverisës dhe aktorët aktual të politikës ditore, jo vetëm se po dërgojnë çdo ditë e më tepër drejtë humnerës ardhmërinë e gjeneratave tona të reja, por po rrezikojnë seriozisht edhe vendin dhe shkatërrojnë pariparueshëm ndërgjegjen kombëtare, më tepër se në cilëndo kohë tjetër në historinë shumë-shekullore të këtyre trojeve.

Ndaj një organizim më ndryshe, i shpejtë dhe në frymë krejtësisht të re politike, janë jo vetëm nevojë imediate e kohës, por edhe akte të domosdoshme jetike e patriotike, për shpëtimin e vendit dhe popullit tonë të shumëvuajtur, nga pjelltë e dreqit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)