28 Mars 2024

Implementimi i Strategjisë kundër terrorizmit arrin në masën 75%

Prishtinë, 27 maj - Implementimi i Strategjisë kundër terrorizmit arrin në masën 75%, ndërkaq, i asaj kundër  krimit të organizuar në 74%, vlerësuan përfaqësuesit e MPB-së. 

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe ata të Policisë së Kosovës (PK), raportuan sot në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së  Kosovës, të cilën e kryesoi Fadil Demaku, zv.  kryetar i Komisionit.

Raporti kishte të bënte me zbatimin e dokumenteve strategjike të sigurisë, përkatësisht, Strategjisë kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe të Strategjisë kundër krimit kibernetik.

Duke folur për këto dokumente të sigurisë kryesuesi Demaku, vlerësoi se implementimi i tyre ka rëndësi  të veçantë për krijimin e një ambienti të sigurt.

Në emër të MPB-së, foli zv. ministri i kësaj Ministrie, Valdet Hoxha, njëherësh, koordinator kombëtar i Strategjisë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Ai me këtë rast bëri të ditur se ky dokument sigurie,  është miratuar në vitin 2012, ndërkaq, veprimtaria institucionale bazuar në të, është paraparë të zgjasë deri në vitin 2017.

Lidhur me Strategjinë kundër terrorizmit, ai bëri të ditur se ajo përmban katër objektiva kryesorë strategjikë, me përmbushjen e të cilësive synohet të arrihen objektivat e plota për evitimin e çdo rreziku që mund të sjellë terrorizmi.  Për implementimin e kësaj strategjie, tha ai në vijim, MPB-ja, bashkëpunon ngushtë me   Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe me Policinë e Kosovës.

Bazuar në rezultatet e këtij bashkëpunimi, tha Hoxha, kemi lista të sakta të njerëzve, grupeve dhe organizatave që kanë pasur për qëllim indoktrinimin e  qytetarëve tanë, me qëllim final për t’iu bashkangjitura luftërave që po zhvillohen në Siri dhe Irak. Kemi të identifikuara edhe zonat, fshatrat dhe qytetet, se ku është më e theksuar veprimtaria e këtyre elementëve radikal, të cilët janë nën mbikëqyrjen e mekanizmave të sigurisë së vendit.   Falë një pune shumë profesionale nga ana e institucioneve, tha ai në vijim, kjo veprimtari është pamundësuar me efikasitet të madh.

Duke iu referuar statistikave të MPB-së lidhur me këtë çështje, zv. ministri Hoxha, në vijim tha:” Në tetë muajt e fundit, as një qytetarë kosovarë nuk u është bashkëngjitur luftërave terroriste në Siri dhe Irak”, ndërkaq, në vijim, vuri në pah rezultatet e institucioneve, për pengimin, parandalimin si dhe arrestimin e atyre që kanë ushtruar këtë veprimtari.

Lidhur me këtë ai shtoi:” Në këto luftëra janë identifikuar 314 pjesëmarrës, ndërkaq, 57 prej tyre kanë gjetur vdekjen.  Aktiv në zonën e Sirisë dhe Irakut janë rreth 70 luftëtarë”. Më pas, ai bëri të ditur se Prokuroria e vendit ka bërë 199 kallxime penale dhe ka ngritur 70 aktakuza, ndërkaq,  numri i të dënuarve arrin në  34 veta, për veprimtari të kësaj natyre.

Shprehur në përqindje, Hoxha vlerësoi se Strategjia kundër terrorizmit është realizuar në masën deri në 75%, ndërkaq, lidhur me sfidat, ai spikati ngritjen e kapaciteteve institucionale, ndarjen e informacioneve dhe krijimin e një data baze unike ndërinstitucionale.

U raportua më pas edhe për Strategjinë kundër korrupsionit, të cilën e paraqiti zv. drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, njëherësh, koordinator i kësaj Strategjie.

Ai njoftoi se kjo Strategji përmban katër objektiva strategjikë dhe 69 sosh specifikë, ndërkaq, vlerësoi se ajo është realizuar në masën deri në 74%. Për realizimin e kësaj strategjie ai lavdëroi edhe bashkëpunimin  e mirë ndër-rajonal dhe ndërkombëtar. Duke folur për rezultatet konkrete lidhur me këtë, ai bëri të ditur se Prokuroria e vendit është duke hetuar 16 raste korruptive, në të cilat supozohet të jenë përfshirë 151 persona. Po ashtu, ai bëri të ditur se derimëtani janë ngritur 54 aktakuza, ndërkaq, njoftoi po ashtu edhe për  31 raste, të ashtuquajtura,” Të profilit të lartë”. Lidhur me këto raste, ai njoftoi se janë ngritur 16 aktakuza, në të cilat supozohet se janë të përfshirë 60 persona. Janë shkatërruar, tha më pas ai, 31 grupe kriminale dhe është sekuestruar një sasi e konsiderueshme e pasurisë së paligjshme.

Ndër sfidat që paraqiten në implementimin e plotë të kësaj strategjie, u vu në pah integrimi i plotë i databazave dhe koordinimi më i mirë ndërinstitucional.

U raportua po ashtu edhe për Strategjinë kandër krimit kibernetik, të cilën e paraqiti, Artan Dreshaj, përfaqësues i MPB-së.

Ai vlerësoi se implementimi i kësaj Strategjie vazhdon të mbetet sfidë e më tejme, ndërkaq, bëri të ditur se përpjekjet për të realizuar atë janë permanente. Krimi kibernetik, tha ai, është i përmasave  globale, nga i cili nuk është i kursyer as vendi ynë.

Përfaqësuesit e këtyre institucioneve, u janë përgjigjur edhe pyetjeve që ngritën anëtarët e komisionit, të cilët, po ashtu, i inkurajuan ata për të vazhduar edhe më me ngulm në implementimin e plotë të këtyre dokumenteve të sigurisë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)