19 Prill 2024

Investitorët evropianë promotorët kryesorë për investime në Kosovë

Prishtinë, 24 maj - Platforma e dialogut mes investitorëve europianë dhe Qeverisë së Kosovës ka nisur punimet këtë të martë në Prishtinë, me qëllim lehtësimin e dialogut mes dy palëve për të ndihmuar drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në hapjen e platformës së dialogut të Investitorëve Evropianë me Qeverinë e Kosovës. 

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësues Special i BE-së, Samuel Zhbogar, kryesuesi i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emmanuel Mitsou dhe përfaqësues të institucioneve, bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë.

Kryeministri Mustafa tha se Bashkimi Evropian paraqet partnerin kryesor ekonomik të Kosovës, me pjesëmarrje në eksporte dhe importe me mbi 40 %, dhe pjesëmarrjen e investimeve të huaja direkte me mbi 50 %.

“Ky partneritet i referohet një klime të favorshme ekonomike që Kosova po ofron, i referohet përfitimeve përkatësisht benefiteve të investitorëve dhe ekonomisë së Kosovës. Si shembull i mirë i këtyre përftimeve është edhe sektori financiar, përkatësisht bankar, i cili po punon dhe po tregon efekte pozitive dhe multiplikative për ekonominë tonë. Shembuj tjerë të suksesit ka edhe në fusha të tjera”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa, tha se bartja e dijes dhe e teknologjisë nga investitorët evropianë, paraqet kontribut afatgjatë për ekonominë e Kosovës në mënyrë që këto përvoja të merren dhe të implementohen në Kosovë. 

“Presim që investitorët evropianë të jenë promotorët kryesorë edhe për investime të reja, aq të nevojshme për ekonominë tonë, falë potencialit ekonomik me të cilin disponon Kosova dhe klimës së favorshme të cilën ne po e ndërtojmë këtu.\"

\"Ne e kemi një treg të punës shumë të përshtatshëm, një treg të punës fleksibil, një popullatë të re, me moshë mesatare prej 26 vjeç, me paga mesatare më të ulëta se sa në vendet në rajon dhe me sistem edukimi i cili është në përmirësim e sipër.\"

\"Sa i përket sektorëve më potencialë, vlen të nënvizojmë se ky mund të jetë sektori i teknologjisë informative, sektori i agrobiznesit, sektori i përpunimit të drurit, minierave, energjisë, turizmit, përpunimit të tekstilit, përpunimit të lëkurës, për të cilat ne kemi pas dhe kemi përvoja dhe të cilat mund ta gjejnë edhe tregun vendor, tregun regjional dhe atë evropian”, tha kryeministri Mustafa.

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar bëri thirrje që diskutimet e kësaj konference të kthehen në veprime konkrete dhe vendime me qëllim përmirësimin e mjedisit për biznes.

“Duhet të ndërmerren hapa nga autoritetet, shumica e të cilëve janë këtu, në mënyrë që të preken çështje që ndikojnë në vendimet për investime. Siç jemi të gjithë në dijeni, ekonomia e Kosovës vazhdon të sfidohet nga industritë e tjera të zhvilluara dhe ka shkallë të ulët të prodhimit me mosbalancime të ndryshme, ekonomi joformale, me korrupsion të përhapur dhe çështje të tjera. Të gjitha këto rezultojnë në fund me një shkallë të lartë të papunësisë dhe varfëri të madhe”, tha Samuel Zhbogar, përfaqësues i BE-së në Kosovë.

Punimet kanë vazhduar në 4 tryeza të rrumbullakëta me pjesëmarrjen e investitorëve të huaj, përfaqësuesve qeveritarë, përfaqësues nga Banka Qendrore e Kosovës dhe kompani të ndryshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)