29 Mars 2024

Veseli: Lëvizja paqësore dhe lufta e UÇK-së, dy anë të pandashme

Prishtinë, 24 maj - Sot, në Ditën e Presidentit të Republikës së Kosovës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bëri homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe në shenjë nderimi, vendosi tufë lulesh.

Më pas, kreu i Kuvendit zhvilloi një vizitë të veçantë edhe në familjen Rugova, në shtëpinë e saj, gjatë të cilës u prit nga bashkëshortja e ish-presidentit, Fana, djemtë Mendimi dhe Uka, vajza Teuta, njëherësh deputete e Kuvendit, si dhe familjarë të tjerë.

Kryetari Veseli theksoi se kjo vizitë lidhet me përvjetorin e zgjedhjes së presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, këtu e 24 vjet më parë, ngjarje kjo e cila, sipas tij, i pati dhënë një dimension të ri ndarjes përfundimtare të rrugëtimit politik të Kosovës nga Serbia.

“Lëvizja e rezistencës paqësore dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë dy anë të pandashme të historisë së përpjekjeve dhe sakrificave të popullit tonë për liri dhe pavarësi. Emri i presidentit Rugova ka qenë dhe do të mbetet emër krenar i kësaj historie të lavdishme”, theksoi kryetari i Kuvendit.

Ai tha se sot duhet kujtuar me krenari të gjithë ata që kontribuuan dhe sakrifikuan për lirinë dhe shtetin. Ky respekt, shtoi Veseli, u takon dëshmorëve, martirëve, por edhe të gjithë atyre njerëzve, të cilët me sakrificën e tyre, treguan një qëndrueshmëri të paepur dhe besuan në qëllimin e shenjtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, i sublimuar te kjo familje dhe te presidenti historik Ibrahim Rugova. Sot, shtoi kryetari Veseli, ende ka shumë për të bërë, sidomos për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në emër të familjes, Mendim Rugova falënderoi kryetarin Veseli për homazhet te varri i ish-presidentit dhe në mënyrë të veçantë për vizitën në familjen e tyre, në këtë ditë të shënuar për Kosovën. Në shenjë falënderimi, familja Rugova i dhuroi kryetarit Veseli stemën e presidentit.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)