20 Prill 2024

Kosova tashmë është konsoliduar si shtet

Prishtinë, 6 maj –  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim rreth 40 anëtarë të Këshillit gjerman për Marrëdhënie të Jashtme (DGAP), me të cilët ka bashkëbiseduar për të arriturat dhe sfidat që e presin Kosovën.

Presidenti Thaçi tha se Kosova tashmë është konsoliduar si shtet dhe është duke e forcuar edhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar, por për t’i garantuar të arriturat e shtetit, duhet ta forcojë edhe komponentën e sigurisë. “Forca e Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me NATO-n, është e gatshme të bëhet Armatë e Kosovës. Si president, do të angazhohem për të arritur konsensusin politik për të formuar sa më parë Forcat e Armatosura të Kosovës dhe për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe”, tha presidenti Thaçi.

Ai shtoi se Kosova po dëshmohet e pjekur edhe në dialogun me fqinjët dhe më gjerë.

“Kam mbështetur dialogun me Serbinë, si rrugë e vetme për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Kemi përmbyllur demarkacionin me fqinjët e tjerë. Po ndërtojmë rrugë dhe autostrada që do të na afrojnë edhe më shumë, për një bashkëpunim dhe komunikim edhe më të mirë. Nuk ka dyshim që Kosova ka shënuar progres të madh në 8 vite si shtet”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Rekomandimi për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimi në UEFA janë treguesit më të ri të suksesit të shtetit të Kosovës”, shtoi ai.

Para anëtarëve të Këshillit gjerman për Marrëdhënie të Jashtme, në mesin e të cilëve kishte ish-ambasadorë, profesorë universitarë, publicistë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë, presidenti Thaçi foli edhe për luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit.

 

“Kosova është lidere në rajon në luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit. Kemi ndërmarrë hapa konkretë dhe do të mbesim të pakompromis në luftimin e këtij kërcënimi për tërë botën”, tha presidenti Thaçi.

Këshilli gjerman për Marrëdhënie të Jashtme është rrjeti më i madh për politikën e jashtme në Gjermani.

Si një organizatë e pavarur, jopartiake dhe jofitimprurëse tash e 60 vjet promovon debate publike mbi politikën e jashtme dhe ka mbi 2500 anëtarë aktivë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)