20 Prill 2024

Vizat, dëshmi e perspektivës eurointegruese të Kosovës

Prishtinë, 4 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pranuar sot nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësues Special i BE-së, Samuel Zhbogar rekomandimin e Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Mustafa tha se kjo është një ditë e madhe për Kosovën dhe për qytetarët e saj.

“Rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën është një vendim me rëndësi shumëdimensionale për vendin tonë. Republika e Kosovës ka bërë një hap tjetër shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, ndërkaq për qytetarët dhe shtetin tonë tashmë është hapur një perspektivë shumë e fuqishme politike, ekonomike dhe demokratike”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se arritja e këtij suksesi kulmor është rezultat i përkushtimit të qytetarëve, i punës së madhe të të institucioneve dhe i përkrahjes së parezervë të partnerëve ndërkombëtarë.

“Kosova i plotësoi kushtet që qytetarët e saj sikurse edhe qytetarët e tjerë të këtij kontinenti të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Institucionet e Bashkimit Evropian përkundër ashpërsimit të kritereve vendosen sipas meritës për Kosovën sot”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se liberalizmi i vizave dëshmon në vepër perspektiven e pakthyeshme eurointegruese të Kosovës dhe është një konfirmim i madh për qytetarët optimistë të Kosovës dhe mesazh po ashtu i qartë për ndonjë pesimist të izoluar brenda dhe jashtë saj.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka shprehur përkushtimin e Kosovës që t’i përmbahet në mënyrë strikte të gjitha rregullave të Bashkimit Evropian në këtë proces.

“Duke respektuar pa asnjë ekuivok, çdo pikë dhe çdo rregull të këtij procesi, ne do t’ia hapim vetes rrugën e ecjes më tutje në rrugën evropiane”, tha kryeministri, duke falënderuar të gjitha institucionet për punën e bërë në këtë proces gjatë katër viteve të fundit.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i BE-së, Samuel Zhbogar, tha se kjo është një prej ditëve që kujtohen gjithmonë.

“E përgëzoj popullin e Kosovës për këtë të arritur. Duke qenë në Kosovë që kur ka filluar procesi i liberalizimit të vizave në vitin 2012, ndaj ndjenjën e satisfaksionit dhe përmbushjes. Tani varet nga shtetet anëtare të BE-së, përkatësisht nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, që të vendosin për afatet kohore të heqjes së vizave. Ne shpresojmë se kjo do të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Zhbogar.

Ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për propozimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave duke thënë se me këtë vendim Komisioni Evropian ka vulosur faktin që përpjekjet e qeverive të Kosovës për më shumë se katër vite kanë përmbushur me sukses kriteret e procesit.

“Vendimi i sotëm i Komisionit Evropian është fillimi i hapjes së dyerve të Bashkimit Evropian për popullin e shtetit më proevropian. Ky veprim sinjalizon përfundimin e izolimit të evropianëve të rinj dhe trajtimin e tyre të barabartë me të gjithë popujt e rajonit. Rekomandimi i sotëm është vendimtar në mundësimin e udhëtimit pa viza në vendet e zonës Schengen për qytetarët e Kosovës. Tani që procedura e vendimmarrjes është nisur, ne do të dinamizojmë edhe më shumë punën me Parlamentin Evropian dhe me shtetet anëtare të BE-së në mënyrë që vendimi përfundimtar pozitiv të merret sa më shpejtë. Besoj fuqishëm se kjo do të ndodhë shpejtë, dhe vendimi i Komisionit sot vetëm më përforcon bindjen se lëvizja e qytetarëve pa viza do të bëhet këtë vit”, tha ministri Çollaku.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)