19 Prill 2024

GAP: Monopoli i homologimit vazhdon që nga viti 2009

Prishtinë, 3 maj - Sot Instituti GAP ka publikuar analizën Monopoli i Homologimit. Analiza u prezantua nga Agron Demi dhe Jeton Mehmeti. Agron Demi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit GAP, tha se vendimi i Qeverisë i vitit të kaluar për eliminimin e të gjitha veprimeve që kufizojnë konkurrencën e lirë, nuk po gjen zbatim.

Monopoli i holomologimit të veturave të importuara vazhdon të qëndrojë që nga viti 2009 kur ish Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit pat nënshkruar një kontratë për veprimtari ekskluzive dhjetëvjeçare me kompaninë “Eurolab” për homologimin e veturave.

Sipas Demit, duke lidhur marrëveshje pa procedura të tenderimit, duke i dhëne ekskluzivitet një kompanie për homologimin e veturave, MTPT ka bërë shkelje të parimeve kushtetuese, saktësisht neni 119, paragrafi 3, sipas të cilit veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, janë të ndaluara. Po ashtu, kjo marrëveshje ishte nënshkruar edhe në kundërshtim me Ligjin për konkurrencën si dhe në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik, i cili kërkon proces të hapur dhe transparent me rastin e kontraktimit të shërbimeve apo dhënies së licencave nga ana e institucioneve publike.

Në anën tjetër, Jeton Mehmeti, Drejtor i Hulumtimeve në Institutin GAP, tha se Kosova është vendi i vetëm në rajon i cili ka vendosur monopol në homologimin e veturave dhe se çmimi i homologimit në Kosovë prej 100 euro është dukshëm më i lartë në krahasim me vendet tjera të rajonit, dhe madje është më i shtrenjtë se në shumë shtete të BE-së.

Andaj, duke krahasuar çmimin e homologimit në Kosovë me vendet e rajonit dhe ato të BE-së, del se kosovarët nga viti 2009 deri më 2015 kanë shpenzuar 2.4 milionë euro më shumë se sa që do të shpenzonin në rast se nuk do të ekzistonte monopoli dhe çmimi do ishte i ngjashëm me vendet e rajonit.


Përmes kësaj analize Instituti GAP ka rekomanduar që fillimisht rasti të dërgohet në prokurori për hetim, meqë kjo kontratë është nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Në të njëjtën kohë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duhet ta interpretojë monopolin e homologimit, duke marrë për bazë interpretimin e më hershëm mbi arkat fiskale.

GAP rekomandon që \"Eurolab\"-it t\'i hiqet mbikëqyrja e qendrave të tjera të kontrollimit teknik sepse kjo paraqet konflikt interesi dhe përveç asaj, licencimi dhe inspektimi i tyre edhe ashtu bëhet nga Ministria e Infrastrukturës.

Për më tepër, duhet të ndryshohet sa më parë Udhëzimi Administrativ nr.2008/08 për homologimin e veturave, dhe me ndryshimet në këtë akt nënligjor të parashihet licencimi i më shumë se një subjekti homologues si dhe të largohet neni 8.6 i tij i cili kushtëzon që kontrolli i parë teknike të kryhet nga kompania për homologim, pasi se kjo që bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe të drejtën e konsumatorit për të zgjedhur. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)