26 Prill 2024

Thaçi me zonjën e parë bëjnë homazhe te varrezat e martirëve

Prishtinë, 2 maj -  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar martirëve të rënë në fshatin Studime të Vushtrrisë.

 
Në këtë akademi përkujtimore, presidenti Thaçi tha se Kosova ka hyrë në vitin e 17-të të çlirimit, ka hyrë në vitin e 9-të të pavarësisë, por ende nuk i ka të shëruara plagët e thella të luftës.

 
“Këto vendbanime, krahas betejave heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rezistencës qytetare, na kujtojnë gjithmonë çmimin e lirisë dhe pavarësisë sonë. Para 17 vitesh këtu në Studime të Vushtrrisë, popullata civile e këtyre anëve përjetoi një tmerr të vërtetë”, tha presidenti Thaçi.

 
Presidenti Thaçi tha se institucionet e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk do ta ndalin zërin dhe angazhimin e tyre për zbardhjen e krimeve dhe gjenocidit të bërë mbi popullatën shqiptare në periudhën e luftës 1998-1999.
 

“Ne nuk do të ndalemi derisa të zbardhet fati i personave të pagjetur. Ne nuk do të ndalemi derisa të dalin para drejtësisë autorët e krimeve. Edhe nga bashkësia ndërkombëtare do të kërkojmë vazhdimisht që të ushtrojë ndikim dhe trysni mbi Beogradin zyrtar”, tha presidenti Thaçi në fshatin Studime të Vushtrrisë.

 
Ai shtoi se Kosova ka realizuar dy ëndrra të mëdha, lirinë dhe pavarësinë, por tash është duke u bërë gati për realizimin e ëndrrës së tretë: integrimin në BE, NATO dhe KB.

“Së shpejti, qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë në Evropë. Rekomandimi për liberalizimin e vizave tanimë nuk është çështje javësh dhe muajsh, por vetëm çështje orësh”, tha presidenti Thaçi, duke theksuar se është punuar gjatë për këtë të drejtë.
 

Në fund, presidenti Thaçi së bashku me zonjën e parë bënë edhe homazhe tek varrezat e martirëve në fshatin Studime të Vushtrrisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)