19 Prill 2024

Këshilli Qendror i Veprimit Rinor kërkon buxhet për këshillat lokal

Prishtinë, 13 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim drejtuesit e Këshillit Qendror të Veprimit Rinor.

Kryeministri Mustafa dhe të rinjtë e pranishëm biseduan për angazhimet e Qeverisë dhe të këshillave lokale të veprimit rinor për avancimin e kushteve dhe perspektivës së të rinjve në Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për të përkrahur rininë kosovare në të gjitha fushat e jetës, me theks të veçantë në shkollimin dhe punësimin e tyre.

Në një konferencë për media, pas takimit, kryeministri Mustafa tha se është biseduar për rolin që duhet ta ketë Qeveria, komunat, por edhe institucionet tjera shtetërore në raport me këshillat rinor.

“Bashkëbiseduam me Këshillin e Veprimit Rinor se cilat janë problemet, preokupimet që të rinjtë i paraqesin përmes këtij këshilli, çfarë duhet të jetë roli i Qeverisë, i komunave dhe i institucioneve shtetërore karshi bashkëpunimit me këshilla, në mënyrë që ato të mund ta ushtrojnë veprimin ligjor, sepse është një organizatë e cila është përcaktuar me ligj.\"

\"U shprehën shumë preokupime të këshillit sa i përket perspektivës së të rinjve, të ardhmes së të rinjve, shkollimit të tyre, punësimit, krijimit të kushteve për ushtrimin e praktikës në institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe në sektorë të tjerë, zhvillimit të sektorit privat, si dhe çështjeve që kanë të bëjnë me ikjen e të rinjve dhe ikjen e trurit nga Kosova jashtë”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, shprehu para të rinjve përkushtimin e Qeverisë për krijimin e perspektivës për të rinjtë, përmes shkollimit dhe punësimit të tyre.

“Unë shpreha përcaktimin e Qeverisë se do të bëjë përpjekje maksimale që të krijohet perspektivë për të rinjtë, në radhë të parë përmes shkollimit dhe punësimit të tyre, por gjithmonë na nevojiten vërejtjet, sugjerimet, propozimet dhe kontributi që duhet të rinjtë ta japin në këtë proces”, u shpreh kryeministri Mustafa. 

Vesa Ibrahimi, përfaqësuese e Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, theksoi se kryeministri Isa Mustafa ka ofruar përkrahje për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të rinisë kosovare.

“Ne i shprehëm kryeministrit të gjitha ankesat që kemi ne si këshill, dhe problemet tona që i kemi. Kërkuam nga kryeministri që të kemi buxhet për këshillat lokal dhe qëndrueshmëri më të madhe. Pra, të ndahet një buxhet jo 4 muaj, apo njëvjeçar, por për një kohë më të gjatë, në mënyrë që të mos kemi probleme.\"

\"Gjithashtu, kërkuam praktikë më të madhe, për shkak se gjithmonë kërkohet përvojë pune, ndërsa ne nuk kemi hapësirë për këtë përvojë të punës. Pra, që të kemi hapësirë për praktikë edhe në Qeveri, për të parë se si bëhen politikat nga brenda dhe jo vetëm nga televizionet. Kryeministri na ofroi se do të na ndihmoj në të gjitha këto problemet tona, por të shohim në të ardhmen se sa do të arrihet të realizohen ato”, tha Ibrahimi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)