19 Prill 2024

MSH dhe TIKA turke, marrëveshje për Kliniken Intensiv në QKUK

Prishtinë, 11 shkurt - Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe Agjensia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) nënshkruan sot  në Prishtinë Marrëveshjen e Mirëkuptimit për Projektin e renovimit dhe furnizimit me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani dhe përfaqësuesi i TIKA-s, z. Eyüp Yavuz ÜMÜTLÜ, në prani edhe të Ambasadores së Republikës së Turqisë në Kosovë, znj. Kivlicim Kiliç.

Ministri Rrahmani falënderoi shtetin turk për bashkëpunimin e vazhduar dhe kontributin në avansimin e shërbimeve në  shëndetësinë kosovare, ndërsa theksoi se projekti i  renovimit dhe furnizimit me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, do të krijojë kushte shumë më të mira për trajtimin e pacientëve në këtë qendër dhe mundësi më të mëdha për profesionistët shëndetësor të fushës përkatëse.

“Ne do ta vazhdojmë të krijojmë mundësi që projekti të realizohet sipas planit të paraparë, ndërsa si i tillë, projekti do të dyfishojë kapacitetet për Njësinë e Kujdesit Intensiv në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, tha Ministri.

Ambasadorja Kivlicim Kiliç, tha se Republika e Turqisë , përveç sektorëve të tjerë, do ta ketë në fokus mbështetjen për shëndetësinë, bazuar edhe në Marrëveshjen e bashkëpunimit në shëndetësi midis dy shteteve. Ajo tha se ky projekt është një angazhim konkret që të përkrahet sektori i shëndetësisë, ndërkohë që theksoi se prej datës 20-28 shkurt, do të mbahet edhe Java e Shëndetësisë Turko-Kosovare, me ç’rast një ekip prej 27 specilaistësh të fushave mjekësore nga Turqia, do të qëndrojnë në Kosovë për të kryer intervenime te pacientët kosovarë dhe për të fuqizuar bashkëpunimin me mjekët kosovarë. Gjithashtu, shtoi ajo, “një ekip prej 20 mjekëve nga Kosova, së shpejti do të shkojnë në Turqi për të zhvilluar një program aftësimi në fushën e mjekësisë emergjente”.

Përfaqësuesi i TIKA-s, Eyüp Yavuz ÜMÜTLÜ, tha se Projekti i  renovimit dhe furnizimit me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv, nuk është as i pari, e nuk do të jetë as i fundit, që ky agjension do ta zhvillojë për mbështetjen e shëndetësisë në Kosovë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes, u tha se projekti do të realizohet në ish-hapësirat e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në QKUK që tash janë të zbrazëta, do të ketë 27 shtretër dhe pajisje të reja, të gjitha të financuara nga TIKA, do të kushtojë rreth 2 milionë euro dhe pritet të përmbyllet në një periudhë kohore prej dy vjetësh.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)