29 Mars 2024

Qeveria përkrah punëtorët e Trepçës dhe të KEK-ut

Prishtinë, 8 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takime të ndara menaxhmentin dhe sindikatën e punëtorëve të Ndërmarrjes Trepça dhe përfaqësuesit e menaxhmentit dhe sindikalistët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Kryeministri Mustafa, gjatë takimit me përfaqësuesit e Trepçës, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë për të punuar në Strategjinë dhe Ligjin për Trepçën, si dhe për avancimin e vazhdueshëm të mirëqenies sociale për punëtorët e Trepçës.

Duke çmuar rolin e jashtëzakonshëm që minatorët e Trepçës kanë dhënë për Kosovën, kryeministri Mustafa, theksoi angazhimin e Qeverisë lidhur me statusin e Trepçës, për përmirësimin e kushteve të punës së minatorëve, adresimin e problemeve me pensionet kontributdhënëse, pushimet shëndetësore e aspekte tjera.

Përfaqësuesit e Ndërmarrjes Trepça, të kryesuar nga menaxheri, Ahmet Tmava, u shprehën shumë të inkurajuar me përkushtimin dhe vizionin e prezantuar nga Qeveria e Kosovës për trajtimin dhe adresimin e çështjeve që lidhen me Trepçën.

Ata theksuan problemet konkrete dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen punëtorët e Trepçës, duke përfshirë kushtet jo të favorshme të punës, problemet që lidhen me pensionet, e aspektet tjera.

Ishte konkludim i përbashkët se të gjitha këto çështje do të trajtohen dhe do të zgjidhen me dialog, me mirëkuptim dhe punë të përbashkët duke u shmangur nga protestat politike dhe format e dhunshme.

Ndërkaq, gjatë takimit me drejtuesit dhe sindikalistët e KEK-ut, kryeministri Isa Mustafa shprehu mbështetjen e Qeverisë për punëtorët e kësaj korporate, duke theksuar rëndësinë e punës që ata bëjnë për zhvillimin e vendit.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, foli për rëndësinë që ka për Kosovën fillimi i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, investimi më i madh në Kosovë pas luftës në vlerë prej 1 miliardë eurosh, i cili do të ketë impakte të rëndësishme ekonomike në vend.

Edhe përfaqësuesit e KEK-ut, të kryesuar nga drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, u shprehën të inkurajuar për qëndrimin e Qeverisë për trajtimin e çështjeve që lidhen me KEK-n dhe punëtorët e saj. 

Ndërkaq, përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, thanë ndër të tjera, se qëndrimi inkurajues dhe angazhimi i Qeverisë do të kenë ndikim pozitiv në motivimin dhe punën e mëtejshme të punëtorëve të KEK-ut për rritjen e performancës dhe rezultateve.

Edhe në këtë takim u theksua rëndësia e dialogut si mjet i vetëm për zgjidhjen e problemeve, duke u shmangur nga format tjera jashtë institucionale të cilat dëmtojnë vendet e punës, zhvillimin ekonomik dhe proceset tjera në vend.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)