25 Prill 2024

Qeveria dhe SBASHK me mirëkuptim për punëtorët e arsimit

Prishtinë, 5 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Arsimit të kryesuar nga kryetari, Rrahman Jasharaj. Të pranishëm në takim ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Kryeministri Mustafa, gjatë takimit, vlerësoi se bashkëpunimi dhe partneriteti ndërmjet Qeverisë dhe Sindikatës ka bërë që të zgjidhen disa prej kërkesave, nevojave dhe problemeve të punonjësve, veçmas të arsimit por edhe të punonjësve të tjerë.

Kryeministri Mustafa i falënderoi sindikalistët për bashkëpunimin e përhershëm dhe për partneritetin që kanë zhvilluar edhe gjatë vitit të kaluar por edhe në qeverisjen e mëparshme, në zgjidhjen e preokupimeve të përbashkëta.

“Unë konsideroj se ne kemi pas një bashkëpunim të mirë, një partneritet të mirë, besoj se kjo ka dërguar deri te ajo që kemi arritur që t’i zgjidhim disa prej kërkesave, nevojave dhe problemeve të punonjësve, veçmas të arsimit por edhe të punonjësve të tjerë që ju i mbuloni në fusha të caktuara gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, vlerësoj se gjithmonë ka nevojë, ka kërkesa për shkak të gjendjes sociale në të cilën gjenden qytetarët dhe punonjësit tanë, që të përmirësohet edhe statusi i pagave por edhe statusi i përgjithshëm social i punonjësve të arsimit, kulturës dhe shkencës”, tha kryeministri.

Duke vlerësuar mirëkuptimin që kanë pasur SBASHK-u, kryeministri Mustafa theksoi se bashkërisht është bërë krejt ajo që ka qenë e mundur të bëhet.

“Ne bashkërisht po e ndërtojmë këtë vend, dhe kemi marr përgjegjësinë e ndërtimit të këtij vendi, sepse nuk është e drejtë pronësore ndërtimi vetëm i Qeverisë, por i të gjitha subjekteve përgjegjëse. Po e ndërtojmë bashkërisht një demokraci të re, një ekonomi të re, një vend të ri por edhe një organizim sindikal të ri i cili u përgjigjet nevojave dhe kërkesave aktuale. Unë, sot, dëshiroj që para juve të shprehë përkushtimin e plotë të Qeverisë por edhe të ministrive përkatëse që të bashkëpunojmë në zgjidhjen e problemeve përkatëse të cilat ju i konsideroni se janë probleme aktuale. Dëshiroj, po ashtu, të shprehë para jush vlerësimin tonë se është e domosdoshme se problemet që i kemi t’i zgjidhim në dialog të përbashkët, jo në rrugë, jo me gaz lotsjellës, jo me molotov, jo me sjellje vandaliste dhe me thyerje të pronave të qytetarëve dhe të pronës publike, sepse ajo nuk është në interes të këtij vendi, nuk është në interes të integrimeve tona evropiane, nuk është në interes të integrimeve euroatlantike dhe të bashkëpunimit regjional, të paqes dhe të stabilitetit. Por, është ulja në tryezë dhe zgjidhja e problemeve tona të përbashkëta.

Ne në asnjë rast nuk kemi pas vërejtje ndaj jush sa i përket mënyrës se si ju i keni adresuar kërkesat, por dëshirojmë që edhe njëherë t’ju ftojmë që të punojmë bashkërisht, t’i zgjidhim bashkërisht të gjitha çështjet ato që mund të zgjidhen. Unë nuk mund t’ju premtoj atë që nuk mund të bëhet sepse, jeni ju punëtorë të arsimit dhe që të gjithë e dini se sa është kapaciteti buxhetor, sa janë mundësitë tona financiare se sa mund t’i përballojmë. Por, ju siguroj se në suaza të marrëveshjeve që i kemi edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, edhe me Bankën Botërore, edhe të instrumenteve të cilat ne duhet t’i zbatojmë, në momentin që ne t’i përmbushim detyrimet tona ndaj këtyre marrëveshjeve do të ulemi bashkërisht dhe do të shohim pastaj se cilat janë mundësitë tona shtesë që ne të përmirësojmë gjendjen sociale dhe gjendjen ekonomike të punonjësve për të cilët ju në mënyrë shumë të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme, kujdeseni.

Ne po punojmë në projektet e zhvillimit ekonomik, po mundohemi që përmes zhvillimit të gjenerojmë buxhet më stabil, të ardhura më stabile, duhet të kemi investime mjaft të mëdha të cilat pastaj mundësojnë edhe që të kemi punësim më të madh dhe natyrisht kjo do të na krijon situatë që ne t’i zgjidhim në mënyrë më të suksesshme çështjet të cilat juve ju preokupojnë. Unë, vetëm dëshiroj t’ju njoftoj se gjendja e cila është krijuar në vend me bllokimin e institucioneve, sidomos të Parlamentit të Kosovës dhe me protesta të dhunshme në rrugë që ndërlidhen me dy çështje me Asociacioni dhe Demarkacionin, janë çështje të cilat e kanë zgjidhjen e vet, të cilat nuk e meritojnë të duket ky vend në arenën ndërkombëtare i tillë çfarë po duket, sepse as ata që kanë luftuar për lirinë e këtij vendi, as ju që po e ndërtoni këtë vend nuk e meritoni një pamje të tillë. Demarkacioni është një çështje e zgjidhshme sepse askush nuk mund ta marrë asnjë pëllëmbë toke të Kosovës, askush s’mund t’ia fal Malit të Zi, atë, as se ka bërë. Toka është e jona ajo që neve na takon, në qoftë se është bërë ndonjë gabim, gabimi korrigjohet, por të gjitha të dhënat flasin se vija kufitare është shënuar aty ku e ka pas Kosova përpara edhe para vitit 90-të, dhe ajo që është caktuar me Pakon e Ahtisaarit që të jetë 31 dhjetori i vitit 1988. Do ta kemi edhe një komision ndërkombëtar që do të ulet dhe do t’i shoh letrat edhe njëherë një nga një të gjitha, do ta vërtetoj çdo gjë që është bërë dhe kemi gatishmërinë e Malit të Zi që ata të pranojnë çdo vërejtje edhe çdo ndryshim që i përshtatet situatës në terren. E kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e ka dhënë lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Gjykata thotë se ajo duhet të themelohet por duhet të themelohet në suaza të Kushtetutës, s’do të jetë pushtet i tretë, s’do të jetë as një organ me kompetenca ekzekutive, nuk e prek dhe nuk e cenon sovranitetin e Republikës së Kosovës. Është fjala për atë që ne edhe me Pakon e Ahtisaarit dhe me Kushtetutë e kemi paraparë një diskriminim pozitiv të minoriteteve tek ne dhe kemi dhënë më shumë në mënyrë që ne ta fitojmë pavarësinë dhe ta ndërtojmë një shtet demokratik.  Dhe ne nuk mund të integrohemi në Bashkimin Evropian duke shpreh urrejtje dhe dhunë nacionaliste ndaj popullatës jo shumicë në Kosovë. Kurrkush këtë nuk e pranon, më së paku kur ne nuk rrezikojmë asgjë. Po ashtu, nuk mund të japim argumente para opinionit në qoftë se, ne nuk flasim shqip por flasim serbisht. Unë jam shumë i bindur se ne kemi kaluar kohën kur kanë thënë se “foli serbisht se ai merr vesh më mirë”, sepse nuk është më mënyrë në të cilën ne duhet të sillemi. Asociacionit t’i themi Asociacion, t’i themi Bashkësi në gjuhën shqipe s’kemi nevojë t’i themi serbisht në mënyrë që me zgjuar ndjenja nacionaliste. Problemet tona duhet t’i zgjidhim duke folur shqip bashkërisht, ndërkaq problemet me të tjerët duhet t’i zgjidhim me gjuhë paqësore, me gjuhë të mirëkuptimit, me gjuhë të bashkëpunimit e kurrsesi që në këtë fazë kur ne kemi nevojë shumë për mbështetje ndërkombëtare, për mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian, veçmas të Gjermanisë në suaza të Bashkimit Evropian, të krijojmë një situatë në të cilën pastaj neve njerëzit ndalen e pyesin se a e meritojmë këta pavarësinë, ndërtimin e shtetit, a janë në gjendje që këtë ta bëjnë a nuk janë në gjendje, sepse është e papranueshme që ta rrënojmë shtetin të cilin ne po e ndërtojmë. Ajo që fitohet, fitohet me votën e qytetarëve, fitohet me legjitimitetin qytetar, në suaza të rregullta, ndërkaq me dhunë dhe me protesta të dhunshme nuk mund të zgjidhet asnjëra prej çështjeve të cilat ne i kemi përpara. Unë desha ta shfrytëzoj sot edhe këtë rast që të kërkoj nga ju që të gjitha vërejtjet, kërkesat, sugjerimet që i keni t’i bëni së bashku me ne, në dialog dhe në partneritet me Qeverinë. Ju siguroj që ne do të jemi shumë të kujdesshëm që të dëgjojmë çdo gjë dhe të mundohemi të gjejmë zgjidhje për çdo gjë, dhe që mos ta pranojmë dhunën dhe protestat e dhunshme si mjet politik të zgjidhjes së problemeve tona.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, u shpreh i nderuar dhe falënderues për këtë takim të Qeverisë me kryesinë e SBASHK-ut, kryetarët e niveleve komunale të arsimit fillor dhe të mesëm, dhe nivelin universitar.

“Faleminderit që keni gjetur kohë të na dëgjoni edhe neve. Me kënaqësi e kemi pranuar idenë që të jemi sot baskë dhe që në fillim dua të them mendimin e përgjithshëm të mësimdhënësve të Kosovës, se nga viti 2007 e këndej, pavarësisht subjekteve që kanë udhëhequr, ka bërë që të shënohen arritje të mira te pagat në Kosovë. Mandej në universitet kemi ngritje bukur të madhe që konsiderohet mbi nivelin e rajonit, por edhe arsimi para universitar nuk qëndron keq, ngase krahasuar me disa shtete jemi më mirë sa i takon pagave. SBASHK-u është dëshmuar dhe do të dëshmohet edhe në të ardhmen se është për dialog. SBASHK-u i respekton institucionet që kanë dal nga vota e popullit tonë dhe është e prirur që me dialog të zgjidhen çështjet”, tha Jasharaj, duke shtuar se SBASHK-u është gjithmonë për dialog dhe jo formave tjera. Jasharaj, po ashtu, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për rritjen e pensioneve dhe hapat tjerë pozitiv.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)