28 Mars 2024

Kuvendi mban sot mbledhjen plenare

Prishtinë, 30 nëntor - Mbledhja plenare e radhës e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet sot ku pritet të shqyrtohen një sërë projektligjesh, raportesh e rekomandimesh.

Në mbledhjen e sotme, pas pikave të rëndomta të mbledhjeve të rregullta plenare: kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe kohës për pyetje parlamentare, Kuvendi do të vazhdojë punën konform funksionit të  tij ligjvënës.

Kështu, fillimisht, pritet të shqyrtohen dy projektligje që kanë të bëjnë me ratifikimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare: Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së  Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim: “KSV/018: Mbështetje Institucionale dhe Teknike për Sistemin e Furnizimit me Ujë në Rajonin e Mitrovicës”. Më pas, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë 11 projektligje:

Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjet nr. 03/L-221, nr. 04/L-116 dhe nr. 04/L-194, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-042 për prokurimin publik të Republikës së Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-237,

Projektligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të  Auditimit të Republikës së Kosovës, Projektligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, Projektligjin për profesionet e rregulluara në Republikën e Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për lirinë fetare në Kosovë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për Mjekësinë Ligjore, Projektligjin për patentë shofer, Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe

Projektligjin për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për letërnjoftimin dhe Projektligji për sigurimet.

Puna e Kuvendit do të vazhdojë me zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit të posaçëm për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe emërimin e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas.

Në rend dite të kësaj mbledhjeje të Kuvendit, do të jenë edhe pesë raporte. Kështu, deputetët do të shqyrtojnë raportin e Komisionit për Punë të Jashtme për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Konsullor, të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, raportin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2014, raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015, raportin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për personat e verbër, si dhe raportin vjetor financiar të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014.

Mbledhja do të vazhdojë me shqyrtimin e rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të  Ministrisë së Integrimeve Evropiane për vitin 2014, rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të performancës për mirëmbajtjen dhe servisimin e veturave zyrtare, si dhe raportit të auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Administratës Publike, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës për vitin 2014, rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014, si dhe rekomandimeve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me pozitën aktuale të prodhuesve dhe përpunuesve në industrinë e qumështit.

Deputetët do të shqyrtojnë, gjithashtu, kërkesën e kryetarit të Komunës së Prishtinës për dhënien e pëlqimit për rinovimin e sheshit “Adem Jashari” në Prishtinë dhe pritet të formohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Pikë e fundit e rendit të ditës do të jetë propozimi i GP të Listës Serbe për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)