18 Prill 2024

Mustafa: Kosova ofron mundësi të shumta për investimet e huaja

Munih, 26 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në Landin e Bavarisë, ka marrë pjesë sot në një takim të organizuar në Munih nga Shoqata Ekonomike e Bavarisë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të bizneseve bavareze.

Në takim, ishin të pranishëm edhe ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami, ministri i MZHE-së Blerand Stavileci dhe ministri i MPMS-së, Arban Abrashi, të cilët prezantuan në detaje kushtet e favorshme, resurset ekonomike dhe mundësitë e mëdha që ofron Kosova për investime të huaja.

Bertram Brossardt, drejtues kryesor i Shoqatës Ekonomike të Bavarisë, foli për mundësitë e investimeve nga Bavaria në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë e kësaj shoqate që të ndihmojë në këtë drejtim.

Kryeministri Isa Mustafa, para të pranishmëve të shumtë, ka prezantuar një pasqyrë të shkurtër kushteve ekonomike në Kosovë.

Kryeministri Mustafa, vlerësoi investimet e konsiderueshme gjermane në Kosovë, duke bërë të ditur se Gjermania zë vendin e parë sa i përket investimeve dhe përkrahjes tepër të madhe për Kosovën, në të gjitha fazat.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi se investimet gjermane kryesisht kanë qenë në sektorin bankar, duke bërë të ditur se tashmë është ndërtuar një sektor shumë i fuqishëm dhe shumë stabil, i cili gjithnjë e më tepër po i përshtatet nevojave të ekonomisë.

“Normat e interesit kanë qenë tepër të larta, kanë qenë diku prej 13 deri në 18 për qind, afati i kredive ka qenë shumë i shkurtër, dhe kreditë kanë qenë krejtësisht të pa përshtatshme për sektorin e prodhimit.\"

\"Ato kanë vlejtur më shumë për tregti dhe shërbime dhe kjo ka ndikuar që ne gjatë kësaj periudhe kryesisht jemi orientuar në sektorin e tregtisë dhe në sektorin e shërbimeve, sepse nuk kemi pasur një sektor të përshtatshëm financiar”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se aktualisht po punohet në drejtim të tregut të kapitalit, përmes të cilës do të zhvillohet qeverisja korporatave dhe më pas do të ndërtohen korporata, si shoqëri aksionare.

Kryeministri Mustafa tha se përparësi e Kosovës është edhe pjesëmarrja shumë e ulët e borxhit të jashtëm në GDP, i cili nuk arrin as 10 për qind të bruto produktit vendor.

“Kjo na ka mundësuar që sivjet të bëjmë një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me të cilin neve na është lejuar që, për investime të cilat gjenerojnë punësim dhe zhvillim, të mund të hyjmë borxh qoftë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Bankën Investive Evropiane, në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në agjencione të tjera”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se tashmë për Kosovën është me rëndësi që të gjejë projekte të përbashkëta, me investitorë të jashtëm.

Kryeministri Mustafa bëri të ditur synimin e Qeverisë së Kosovës për  investime në sektorin e prodhimit, në përpunimin dhe finalizimin e produkteve bujqësore.

“Jemi të interesuar të bashkëpunojmë në fushën e teknologjisë informatike, sepse kemi njerëz të rinj që kanë prirje të madhe për këtë teknologji. Ata dëshirojmë t’i aftësojmë këtu t’i përgatisim por edhe të bëjmë lidhjen dhe investimet edhe në këtë fushë”, tha kryeministri.

Ai po ashtu tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të ketë investime në fushën e energjetikës, në fushën e minierave dhe mineraleve, në shfrytëzimin e tyre dhe finalizimin e tyre dhe po ashtu edhe në konceptimin e mënyrës se si të zhvillohen këta sektorë, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim me bizneset gjermane në këtë drejtim.

“Në programin qeverisës jemi përcaktuar që prioritet kryesor t’i japim zhvillimit ekonomik. Dëshirojmë që ambientin tonë të biznesit ta bëjmë më të përshtatshëm, jemi nis nga reformat fiskale, kemi bërë ndryshime në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, kemi bërë ndryshime po ashtu në tatimin e korporatave, i kemi liruar importet e makinerisë, pajisjeve, lëndës së parë, materialit, dhe të teknologjisë informatike nga doganat dhe nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në mënyrë që investitorët ta kenë investimin më të lirë në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa.

Duke folur për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit,  kryeministri Mustafa e quajti shans të madh  i cili do të bëjë që të ketë prezencë të produkteve kosovare në tërë tregun e BE-së.

 “Është një përparësi e investimeve në vendin tonë, edhe sa i përket fuqisë punëtore, sepse kemi një popullatë shumë të re. Mbi 50 për qind e popullatës është nën moshën 26 vjeç, që është një potencial shumë i mirë zhvillimor, sidomos në qoftë se trajnohet mirë, përgatitet mirë. Ne sot biseduam edhe me kryeministrin e Bavarisë, që të kemi edhe përkrahjen në shkollat profesionale dhe në shkollat tjera, në mënyrë që njerëzit tanë të përgatiten për punë edhe në Kosovë, por të përgatitemi edhe për tregun evropian të punës”, tha kryeministri Mustafa.

Duke folur për infrastrukturën bazike, kryeministri e quajti përparësi të madhe, duke i njoftuar për projektet në këtë drejtim.

“Është fjala për infrastrukturën rrugore, për infrastrukturën hekurudhore, për aeroportet të cilat lidhin kryeqytetet e vendeve tona, dhe në këtë aspekt jemi të bindur se e gjithë ajo infrastrukturë që po ndërtohet tek ne, po bëhet sipas standardeve evropiane”, tha kryeministri Mustafa.

Përfaqësuesit e bizneseve në këtë takim, kanë shtruar pyetje dhe kanë marrë përgjigje nga kryeministri Mustafa dhe ministrat prezentë për shumë çështje që lidhen me kushtet dhe mundësitë e investimeve në Kosovë, infrastrukturën ligjore dhe aspektet tjera infrastrukturore, si dhe çështjet tjera që lidhen me ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

Gjatë ditës, kryeministri Mustafa dhe delegacioni qeveritar i Kosovës kanë vizituar Kompaninë BMW World, ku u takuan me drejtuesit e kësaj kompanie si dhe kompaninë MAN AG, që prodhon kamionë për tregun botëror.

Gjatë takimeve, kryeministri Mustafa u informua për proceset e prodhimit dhe të arriturat e këtyre dy kompanive me renome, ku ka kërkuar nga drejtuesit e tyre që të shqyrtojnë mundësitë për investime dhe hapje të ndonjë linje prodhuese në Kosovë, duke prezantuar kushtet e favorshme që ofron Kosova, në shumë aspekte.

Kryeministri Isa Mustafa u takua në Munih edhe me diplomatin e shquar gjerman, Wolfgang Ischinger. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)