23 Prill 2024

Kosova në rrugë të sigurt drejt BE-së

Berlin, 24 nëntor - Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e parë të vizitës në Berlin ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti “Aspen”, Ministritë e Punëve të Jashtme të  Gjermanisë dhe të Italisë.

Në këtë takim, ku kanë marrë pjesë të gjithë ministrat e Ballkanit Perëndimor, është diskutuar për tema të ndryshme aktuale, përfshirë edhe përmirësimin e kornizës ligjore dhe të biznesit, si dhe integrimet atlantike të shteteve të Evropës Juglindore.

Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se Evropa Juglindore po përballet këtë vit me ngjarje tejet dramatike të karakterit global, të tilla si kriza e refugjatëve, intensifikimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe retorikës nacionaliste, si dhe rritja e ngadaltë ekonomike e Evropës.

Megjithëkëtë, sipas Thaçit, shtetet e Ballkanit tashmë janë edhe zyrtarisht në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. “Kosova gjithashtu e ka nënshkruar MSA-në me BE-në, që nënkupton se tani të gjithë jemi në rrugë të sigurt drejt anëtarësimit në BE”, ka shtuar ai.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se procesi i Berlinit që u lansua nga kancelarja gjermane Angela Merkel, për të ndihmuar bashkëpunimin ndërmjet shteteve të Evropës Juglindore, gjithashtu do të sjellë së shpejti investime të reja në rajon.

“Për të sjellë stabilitet afatgjatë në Ballkan duhet të punojmë në mënyrë të vazhdueshme me miqtë tanë evropianë. Vetëm qëndrueshmëria e Brukselit mund t’u rezistojë rrymave të fuqishme të nacionalizmit, krimit të organizuar dhe ekstremizmit fetar”, ka theksuar ai.

Gjatë qëndrimit në Berlin, zëvendëskryeministri Thaçi ka takuar edhe ministrin e jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Me këtë rast, zëvendëskryeministri Thaçi është siguruar nga homologu i tij Steinmeier se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për Kosovën në të gjitha fushat.
 
Zëvendëskryeministri Thaçi ka zhvilluar  takime të shumta edhe me ministra të jashtëm, deputetë të Bundestagut gjerman, përfaqësues të shoqërisë civile dhe medieve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)