20 Prill 2024

Përurohet ura që lidh disa fshatra të Istogut

Prishtinë, 24 nëntor - Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova bashkë me banorë të fshatit Zallq kanë përuruar urën e re përmes së cilës shumë fshatra do të kenë mundësinë më të lehtë të lidhen me Komunën e Istogut.

Ministri Zharku i ka premtuar kryetarit të Istogut se edhe viteve në vitin e ardhshëm do të ketë mbështetjen si të ministrisë që drejton ashtu edhe të qeverisë në përgjithësi.

\"Ju e shihni që janë kryer punimet në mënyrë të mirë. Është një investim prej afro 500 mijë eurosh. Natyrisht biseduam edhe për projektet që janë duke u kryer në Komunën e Istogut. E kemi projektin Rakosh-Osojan, i cili tanimë ka filluar. Po besojmë që gjatë vitit të ardhshëm do të fillojmë edhe rrugën tjetër Vojnik-Osojan dhe janë edhe disa projekte më të vogla, të cilat janë paraparë në buxhetin e vitit të ardhshëm.\"

\"Natyrisht unë e kuptoj brengën e kryetarit, dëshirën e tij, vullnetin dhe përkushtimin për investime më të mëdha në infrastrukturën rrugorë, mirëpo unë e njoftova që për shkak të kufizimeve buxhetore nuk kemi mundësi që aktualisht të rrisim nivelin e investimeve në masën që ka nevojë Istogu, por patjetër që Istogu do të jetë një nga komunat që do të ketë një tretman apo një kujdes të duhur nga ana e ministrisë në rastin konkret, por edhe të qeverisë me projekte tjera\", ka thënë ministri Zharku.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova ka deklaruar se është shumë i interesuar që projektet infrastrukturore ti përfundoj sa më shpejtë pasi që këto projekte rrisin si mirëqenien sociale ashtu edhe ndikojnë në zhvillimin ekonomik.

\"Është kryer me kohë dhe është kryer shumë mirë. Në këtë rast e falënderoj jo vetëm investitorin ministrinë, por edhe kryerësin e punimeve, i cili me mjaftë korrektësi në bashkëpunim shumë të mirë me të gjithë qytetarët këtu ka ardhur deri të një finalizim i këtij projekti.\"

\"Sigurisht biseduam me ministrin edhe për projektet tjera, d.m.th projekte, të cilat janë duke u zhvilluar, që janë investim komplet i ministrisë, siq është rruga rajonale që lidh Rakoshin me Zallqin që kalon nëpër Osojan, por edhe do të startohet shpejtë edhe në rrugët dy krahëshe që do ta lidhin Komunën e Istogut me Komunën e Skenderajt, ku shiriti më i madh është në Komunën e Istogut, janë projekte të përbashkëta që janë dorëzuar nga të dyja komunat.\"

\"Siguroj ministrin se do të vazhdojmë me projektet e tjera të rrugëve lokale në vitin e ardhshëm, siq është rruga e Drejës, një projekt që ka filluar por nuk ka mundur të përfundoj me mjetet tona vetanake komunale, por edhe rruga e fshatit Kosh, fshati Zhakovë, por do të jetë edhe një projekt në zonën e Trubuhovcit.\"

\"Po besoj që brenda një periudhe të shkurtë do ta përmbyllim infrastrukturën rrugore që ka qenë synim i yni i përhershëm dhe këtë e pres me përkrahjen e ministrit Zharku që edhe njëherë e falënderoj ministrin dhe qëverinë në tërësi, e cila angazhohet për projekte në të mirë të qytetarëve por edhe për zhvillim ekonomik, sepse këto të gjitha janë në suaza të një zhvillimi më të mirë jo vetëm të mirëqenies sociale, por edhe të zhvillimit ekonomik\", ka deklaruar Rugova.

Investimi është mirëpritur nga banorët që do të kalojnë përmes kësaj ure.

\"Kemi pasur një urë shumë të vjetër, e ndërtuar mes viteve 1600-1700. Ka një rëndësi të madhe për banorët e fshatit Zallq edhe të rrethinës. Ka lidhje në kryqëzimin e rrugës Klinë - Istog. Janë edhe dy fshatra të Komunë së Klinës që kanë përfitim nga ky investim, fshati Budisalc dhe fshati Rudicë.\"

\"Në komunën e Istogut prej fshatit Staradran lidhen nëpërmjet kësaj rruge për të shkuar deri në komunën e Istogut, pastaj janë fshati Turbuhovc, Prekall, Zabllaq. U jemi falënderues që e kanë bërë një projekt shumë të qëlluar dhe shumë të mirë me standarde siq po shihet shumë të mira\", ka thënë Gani Shala.

\"Para disa vjetësh ka qenë në gjedje të mirë deri para luftës. Mirëpo pas luftës e tutje tanket serbe e patën shkatërruar gati krejtë. Deri në gjashtë fshatra jemi këtu që kalojmë nëpër këtë rrugë. Duke falenderuar Ministrinë e Infrastrukturës, kryetarin e Komunës që na kanë shpëtuar me këtë rrugë\", ka thënë banori Halil Dervishaj nga Zabllaqi.

Ministri Zharku bashkë me kryetarin Rugova kanë vizituar edhe disa projekte që janë duke u kryer me financim të Ministrisë së Infrastrukturës në këtë komunë.

Vitin e ardhshëm Ministria e Infrastrukturës ka paraparë të investoj në Komunën e Istogut në këto projekte: Asfaltimi i rrugës Kosh-Osojan, asfaltimi i rrugës Shushicë-Zhakovë-Rakosh, asfaltimi i rrugëve në fshatin Drejë dhe Dubravë si dhe asfaltimi i rrugës Trubuhoc-Prekallë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)