24 Prill 2024

Shfrytëzimi i eksporteve kontribuon në zhvillimin ekonomik

Prishtinë, 13 tetor - Pavarësisht përmirësimit të politikave zhvillimore dhe fiskale në vend dhe forcimit të dialogut në mes të institucioneve dhe sektorit privat, bizneset vazhdojnë të përballen me sfida të shumta, si ekonomia joformale, barrierat në eksporte dhe mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore në përputhje me kërkesat e tregut.

Kjo u tha sot në tryezën me temën ‘Shfrytëzimi i potencialeve të Kosovës për eksport drejt zhvillimit të shpejtuar ekonomik’, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në të cilën Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami pati mundësinë që të dëgjojë drejtpërsëdrejti nga përfaqësuesit e bizneseve për problemet me të cilat ata përballen në përpjekjet e tyre për eksport.

Në hapje të tryezës, Zeka vlerësoi interesimin e madh nga ana e sektorit privat në drejtim të rritjes së prodhimit dhe rëndësinë që ata po u japin ofrimit të produkteve dhe shërbimeve sa më cilësore.

Më tej, ai përmendi se gjendemi para fazës kur po bëhet fjalë për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim me Bashkimin Evropian, dhe marrëveshjes për tregti të lirë me Turqinë, të cilat do të mundësojnë shfrytëzim më të madh të potencialeve për eksport të produkteve të Kosovës në BE dhe Turqi.

Ai tha se mund të konsiderohet si pozitive fakti që të dyja këto marrëveshje janë asimetrike, dhe që rrjedhimisht nuk parashohin lirime nga detyrimet doganore të mallrave të cilat do të importohen nga këto vende menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtyre marrëveshjeve.

Ai tha se me gjithë ngritjet e vlerave të importeve nga viti 2008 e tutje, rritja nuk ka qenë e mjaftueshme sa për të përmirësuar ndjeshëm mbulimin e importeve me eksporte.

Ministrja Bajrami u shpreh e vetëdijshme rreth sfidave me të cilat po përballen bizneset, duke ofruar gatishmërinë e saj dhe të institucionit që ajo drejton në adresimin dhe trajtimin në vazhdimësi të çështjeve të ngritura nga bizneset.

Ajo përmendi Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik si një mekanizëm shumë efikas për adresimin e këtyre çështjeve.

Bajrami shtoi se po punohet shumë përmes veprimeve konkrete në përmirësimin e politikave zhvillimore dhe të bilancit tregtar, përfshirë këtu qasjen në financa përmes nxjerrjes së ligjit për fondin e garancive kreditor, skemën \'voucher\' për asistencë teknike, përmirësimin e infrastrukturës së cilësisë përmes certifikimit të produkteve sipas standardeve të kërkuara, ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe humane, kjo edhe përmes kapitalit të huaj investues, duke u bërë kështu më konkurrues krahasuar me vendet e rajonit, si dhe eliminimin e barrierave burokratike.

Gjithashtu, ajo përmendi edhe Ligjin për Investime Strategjike, i cili do të kontribuojë në tërheqjen e investimeve të huaj, si dhe aktivitetin dhe synimin e Ministrisë në ndërtimin e parqeve dhe zonave industriale, përmes ofrimit të lokacionit dhe infrastrukturës për bizneset, dhe investimeve kapitale të cilat do të mundësohen përmes kredive. 

Në anën tjetër, Ramiz Kelmendi nga kompania Elkos, tha se për një zhvillim të përshpejtuar ekonomik, është i nevojshëm një funksionim sa më efikas i legjislacionit dhe luftimi i ekonomisë joformale.

Krahas kësaj, Kelmendi përmendi nevojën e përshtatjes së burimeve të financimit me specifikat e vendit tonë, duke theksuar se mbështetja e institucioneve të vendit duhet të fokusohet më tepër në industritë që punësojnë më shumë njerëz dhe që i sjellin vendit më shumë të hyra.

Ai poashtu ngriti në pah problemet me të cilat përballen bizneset kosovare në aspektin e fuqisë së kualifikuar punëtore. Kelmendi e vlerësoi si të nevojshme shtimin e vlerës së produkteve, dhe lirimin nga detyrimet doganore të lëndëve të para të cilat përdoren në industritë përpunuese, duke pasur parasysh që Kosova ka bazë të kufizuar të prodhimit të lëndëve të para.

Valon Budima nga Asseco, foli për potencialet e shumta që ofron sektori i shërbimeve në përgjithësi dhe sektori i teknologjisë informative në veçanti për rritjen e eksporteve dhe përmirësimin e bilancit tregtar.

Ai tha se së paku në këtë fushë legjislacioni tatimor ofron një përparësi konkurruese më të madhe krahasuar me vendet e rajonit.

Ai poashtu përmendi si të arritur pozitive arbitrazhin që ka ndihmuar bizneset e këtij sektori në trajtimin e kontesteve, duke pasur parasysh që kjo metodë është e njohur edhe ndërkombëtarisht.

Megjithatë ai përmendi si sfida të cilat duhen adresuar më tej nga institucionet e vendit problemin e burimeve njerëzore, problemet subjektive që lidhen me imazhin e vendit, dispozitat e komplikuara të Ligjit të Punës për punësimin dhe largimin e punonjësve, lëvizjen e lirë të stafit, mbrojtjen e të drejtave intelektuale pronësore, si dhe mungesën e marrëveshjeve bilaterale për eliminimin e tatimit të dyfishtë.

Në fund, përfaqësuesit e bizneseve të pranishme në këtë tryezë, patën mundësinë të kenë një diskutim mjaft interaktiv me panelistët, përmes pyetjeve dhe komenteve të shumta, si dhe adresimit të çështjeve me të cilat ata përballen gjatë zhvillimit të aktivitetit të tyre biznesor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)