28 Mars 2024

Ngrohja e Termokosit do të kursente mbi 7.5 milion euro rrymë në vit

Prishtinë, 7 tetor - Instituti GAP sot ka publikuar një analizë me titull “Shfrytëzimi i energjisë elektrike për ngrohje - ndikimi i kogjenerimit në konsum të energjisë”.

Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, me ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë, në fund të vitit 2014 arritën ta funksionalizojnë projektin e kogjenerimit – apo lidhjen e termocentralit “Kosova B” me ngrohtoren e qytetit të Prishtinës Termokos.

Ky investim prej 37 milionë eurosh shumë shpejt dha rezultate pozitive dhe është një ndër investimet  më të suksesshme kapitale në vitet e fundit.

Instituti GAP ka analizuar ndikimin e kogjenerimit në konsumin e energjisë elektrike në Prishtinë.

Për këtë qëllim, GAP ka zhvilluar 350 anketa me konsumatorë të Termokos-it, ku janë krahasuar dy sezonet e fundit dimërore: periudha para kogjenerimit (dhjetor 2013 - janar 2014), dhe periudha pas kogjenerit (dhjetor 2014 - janar 2015).

Në prezantimin e të dhënave, Blend Hyseni, hulumtues në Institutin GAP, tha se konsumi i energjisë elektrike, si pasojë e funksionimit të sistemit të kogjenerimit ka rënë për 34%, arkëtimi është rritur për 176%, kurse pakënaqësia e konsumatorëve ndaj cilësisë së ngrohjes brenda një viti ka rënë nga 94% në 8%.

Përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, Genc Bashota theksoi që sivjet nuk është planifikuar për zgjerim të rrjetit pasi që është punuar në riparimin e 50 nënstaconeve dhe riparimin e gypave të cilat e përqojnë nxehtësin, ndërsa vitin tjetër do të bëhet zgjerimi i rrjetit në lagjet të cilat kanë më shumë banorë dhe kjo rritje do të vazhdojë prej viti në vit.

Në anën tjetër përfaqësuesja e Ambasadës së Gjermanisë, Znj.Kötter tha që qeveria Gjermane do të ndihmojë edhe me 5 milion euro në riparim të rrjetit dhe në zgjerimin e tij.

Nga kjo analizë e Instituti GAP del që në lagjet ku operon Termokos-i, për dy muaj janë kursyer mesatarisht 602,867 euro apo 6,512,559 kWh.

Nëse kjo aplikohet për 5 muaj ose një sezonë dimëror (15 tetor - 15 prill), del se janë kursyer mesatarisht 1,507,167 euro apo 16,281,396 kWh.

Zëvendësimi i ngrohjeve elektrike me ngrohje qendrore në Prishtinë, do të kursente mbi 7.5 milion euro në vit nga energjia elektrike, ndërsa i gjithë projekti i kogjenerimit ka kushtuar afërisht 37 milionë euro. 

Për më pak se pesë vite, kursimi nga ngrohja qendrore do të paguante këtë investim dhe në të njëjtën kohë do të kishim një ngrohje më cilësore dhe më të qëndrueshme në Prishtinë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)