19 Prill 2024

Viets: Sfidë për Kosovën mbetet luftimi i korrupsionit

Prishtinë, 5 tetor - Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka thënë se që nga viti 2008 Kosova ka bërë përparim të madh.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Vietsi ka vlerësuar se me krijimin e Qeverisë së re janë krijuar mundësi të mira për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ambasadorja gjermane ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë para disa vendimeve shumë të rëndësishme që janë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

“Një prej këtyre vendimeve ka qenë edhe krijimi i Gjykatës Speciale, edhe pse kjo është bërë me dy vjet vonesë.

Gjithashtu, vendim i rëndësishëm është edhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Pas këtyre vendimeve është koha që Qeveria e Kosovës të fokusohet më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit”, është shprehur ambasadorja Viets.

Duke folur për migrimin e qytetarëve të Kosovës, ajo i ka porositur qytetarët e vendit tonë mos ta lëshojnë vendin. “Për ne është shumë me rëndësi që qytetarët në Kosovë të rrinë në vendin e tyre dhe ta krijojnë perspektivën këtu. Ata nuk duhet ta lëshojnë vendin e tyre dhe të migrojnë në vende të ndryshme, siç ndodhi në fillim të këtij viti”, ka deklaruar Viets.

Ajo ka bërë me dije se shanset për të kërkuar azil në Gjermani janë pothuajse zero. “Shanset për të fituar azil për qytetarët e Kosovës në Gjermani janë pothuajse zero. Në Kosovë nuk ka përndjekje politike dhe, falë Zotit, në Kosovë nuk ka luftë qytetare dhe për këtë arsye refuzohet azili në Gjermani. Ne i kuptojmë arsyet ekonomike, por këto nuk janë arsye për të fituar azil. Ne po përpiqemi të krijojmë hapësira për migrim legal për aq sa është e mundur, për një numër të caktuar të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Vietsi.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka thënë se sfidë për institucionet e Kosovës mbetet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Qeveria në këtë drejtim duhet të japë dëshmi dhe fakte që gjyqësia të funksionojë”, është shprehur ajo, duke bërë me dije se kryeministri Mustafa ka premtuar se do të marrë hapa konkretë për ta luftuar korrupsionin.

Në këtë intervistë Viets ka folur edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që pritet ta nënshkruajë Kosova me BE-në. Vietsi ka thënë se nuk është në dorën apo fuqinë e Qeverisë së Kosovës të japë data se kur do të ndodhë nënshkrimi për MSA-në.

“Kjo është një gjë që vendoset nga Komisioni Evropian. Gjermania e ka përkrahur shumë Kosovën, jashtëzakonisht shumë në drejtim të nënshkrimit të MSA-së”, është shprehur ajo, duke shtuar se nënshkrimi i MSA-së mund të ndodhë në dhjetor ose janar. Vietsi ka thënë se MSA-ja është një arritje për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Duke folur për situatën e fundit politike në vend, pas arritjes së marrëveshjeve në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe reagimit të opozitës, ambasadorja gjermane në Kosovë ka një porosi për opozitën sa i përket shqetësimit të saj për këto marrëveshje.

“Për Kosovën është shumë me rëndësi ta shtrijë sovranitetin e saj të plotë në veri, në mënyrë që strukturat paralele të largohen dhe që serbët të kenë një perspektivë më të mirë për jetën e tyre këtu.\"

\"Opozita është shumë e rëndësishme në demokraci, por çdo parlament ka një rregullore pune dhe deputetët e opozitës duhet t’i përmbahen kësaj rregullore. Unë nuk mund t’i kuptoj aksionet dhe veprimet e papranueshme në parlament.\"

\"Para dy vjetëve Parlamenti i Kosovës ka vendosur për këto marrëveshje të cilat po kundërshtohen tash nga opozita. Pra, opozita po i keqpërdor temat. Për shembull, Gjykata Speciale është vërtetuar nëpërmjet letërkëmbimit të presidentes Atifete Jahjaga dhe baroneshës Ashton, pastaj e ka miratuar Parlamenti i Kosovës dhe tani përdoren terma të ndryshëm. Opozita mund ta japë mendimin e vet në parlament, por është e papranueshme ta sulmojë me vezë kryeministrin e Kosovës.\"

\"Me këtë veprim opozita e bën veten jo të besueshme, njëkohësisht e bën veten jo të zellshëm për t’u zgjedhur nga elektorati. Edhe protestat janë pjesë e demokracisë, por jo të jenë të dhunshme, siç ka ndodhur herën e kaluar me shishe molotovi”, ka deklaruar ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)