25 Prill 2024

Rrahmani dhe Ambasadorja Kiliç bisedojmë për bashkëpunim

Prishtinë, 4 shtator - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, priti sot në takim Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç.

Në këtë takim, ministri Rrahmani pasi ka uruar për detyrën Ambasadoren Kiliç, njëkohësisht  e ka falënderuar Republikën e Turqisë për kontributin e dhënë si në rrafshin politik, ashtu edhe në fushën e shëndetësisë për Kosovën.

Ministri Rrahmani e ka njoftuar Ambasadoren Kiliç, për sfidat e shëndetësisë kosovare, preokupimet dhe prioritetet e MSh-së dhe të arriturat që janë bërë deri më tani duke përmendur edhe zotimin e Qeverisë së vendit, që shëndetësia do të jetë fushë prioritare e investimeve si në ngritjen e cilësisë së shërbimeve ashtu edhe në projekte të investimeve kapitale dhe edukimit të vazhduar profesional.

Ministri ka theksuar punët që po bëhen në ngritjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sistemit të Informimit Shëndetësor, themelimin e Odave të profesionistëve shëndetësor, integrimin e komuniteteve pakicë dhe sigurimin e shërbimeve shëndetësore në mënyrë të barabartë për to, zhvillimin e shërbimeve të reja, etj.

Në këtë kuadër, Ministri Rrahmani tha se edhe marrëveshjet e arritura midis palës shqiptare dhe asaj serbe të dala nga dialogu në Bruksel, të bazuara në legjislacionin kosovar, do të mundësojnë një integrim më të mirë të komunitetit serb në kuadër të sistemit shëndetësor në Kosovë dhe se të gjitha komunitetet do të trajtohen në mënyrë adekuate për sigurimin e shërbimeve shëndetësore. Ai tha se marrëveshjet e arritura nuk e dëmtojnë sistemin shëndetësor në Kosovë, përkundrazi ndihmojnë në realizimin e projekteve që për qëllim kanë që pacientët në cilëndo pjesë të vendit, të kenë mundësi për shërbime shëndetësore dhe mbikëqyrje nga sistemi shëndetësor kosovar.

Nga ana e saj, Ambasadorja Kiliç, ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë midis Kosovës e Turqisë në të gjitha sferat, me theks të posaçëm në shëndetësi.

Ajo tha se gjatë mandatit të saj do të jetë e përkushtuar që ta ndihmoj Kosovën në sigurimin e njohjeve të reja, promovimin e saj si shtet i ri, forcimin e bashkëpunimit në arsim , shëndetësi dhe fusha të tjera. Gjithashtu, tha se është e lumtur që shteti i saj përmes Marrëveshjes së bashkëpunimit ndihmon çdo vit nga 100 pacientë kosovarë që të marrin trajtim falas në Turqi për shërbimet shëndetësore që ende nuk ofrohen në Kosovë.

Ministri Rrahmani ndërkaq, duke vlerësuar lart bashkëpunimin edhe me paraardhësen e Ambasadores Kiliç në Kosovë, tha se përveç projekteve të përbashkëta që janë në vijim, interesim i veçantë në të ardhmen do të jetë forcimi i bashkëpunimit në fushën e edukimit të vazhduar profesional të profesionistëve shëndetësor kosovar, në të cilin aspekt, Turqia ka shprehur gatishmërinë e saj për të ndihmuar. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)