20 Prill 2024

Mustafa: Pakoja e re fiskale në dobi të zhvillimit ekonomik

Prishtinë, 2 shtator - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt, të 47-tën me radhë.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa, ka vlerësuar rëndësinë e fillimit të aplikimit të pakos fiskale, e cila është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Unë mendoj se kjo Pako është në dobi të zhvillimit ekonomik, dhe poashtu është në dobi të përfitimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Nga pakoja fiskale, konkretisht nga ulja e pragut të TVSH-së nga 16 në 8 për qind, përfitojnë të gjithë qytetarët, ose shportat familjare të qytetarëve të cilët kanë të ardhura të ulëta dhe të ardhura të mesme. Nuk përfitojnë ata që kanë të ardhura të larta, sepse struktura e mallrave të cilat konsumohen është e tillë që është e destinuar të përfitojnë ata që kanë të ardhura më të ulëta dhe të mesme, në mënyrë që të mbrohet standardi i jetesës së familjeve dhe të qytetarëve.

Poashtu përfitojnë bizneset, sepse të gjitha bizneset lirohen nga importi i makinerisë, pajisjeve dhe lëndës së parë e cila nuk prodhohet këtu për zhvillimin e tyre. Është bërë ulja e pragut të TVSH-së dhe do të zgjerohet baza e firmave të cilat do të hyjnë në TVSH, përfshirë të gjitha ato që kanë qarkullim më të madh se sa 30 mijë euro.

Ministria e Financave dhe ministritë tjera tani do të punojnë edhe tek ligjet tjera, të cilat do të adaptojnë përfshirjen e TVSH-së dhe tatimeve, sidomos tek barnat, dhe tek heqja e tatimeve për barna edhe për vende të tjera, jo vetëm ato që janë në suaza të CEFTA-s. Për këtë, ne së shpejti do ta trajtojmë edhe në Qeveri dhe do t’i drejtojmë Kuvendit ndryshimet përkatëse. Prandaj, unë dëshiroj që të gjitha këto të marrin orientim pozitiv, sepse në mënyrë pozitive po ndikojnë tek qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa.

Pika e parë e miratuar në mbledhje ishte Projektligji për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës. Ky projektligj, rregullon funksionimin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, i cili përfshinë Ministrinë e Punëve të Jashtme, misionet diplomatike, postet konsullore dhe nëpunësit e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, si dhe çështjet tjera që ndërlidhen me funksionimin dhe veprimtarinë e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Qeveria ka ndarë mjetet me qëllim të sanimit të dëmeve të shkaktuara nga moti i lig në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Nazmi Osmani”, në Fshatin Elezaj të Komunës së Kaçanikut.

Po ashtu, kabineti qeveritar ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare për sanimin e dëmeve nga reshjet dhe erërat e fuqishme, në njërin nga konviktet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë.

Me vendimin e aprovuar sot nga kabineti qeveritar, janë ndarë mjetet financiare për kompensimin e anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, të emëruar nga Kuvendi i Kosovës.

Po ashtu, kabineti miratoi ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për blerjen e laboratorit mobil për analizën e naftës dhe benzinës për nevoja të inspektimit të tregut.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Planit të Dokumenteve Strategjike për vitin 2015.

Janë emëruar edhe drejtorët e Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Kabineti qeveritar ka miratuar dy vendime përfundimtare të shpronësimeve të pronave të paluajtshme për interesin publik. Pronat e paluajtshme të ndërmarrjeve shoqërore “Auto Moto Kosova” dhe “INA Zagreb” shpronësohen për nevoja të ndërtimit të objekteve ndërtimore për nevoja të Qeverisë së Kosovës, dhe pronave të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës R6, Prishtinë-Hani i Elezit, Sektori C1.

Ministri i Financave ka informuar kabinetin qeveritar me ngecjen e pagesës së dividendës nga Telekomi i Kosovës.

Kryeministri ka kërkuar që Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Telekomi i Kosovës të gjejnë rrugë që të përmbushen obligimet që janë marrë.

 
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka informuar Qeverinë me fillimin e suksesshëm të vitit të ri shkollor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)