28 Mars 2024

Sundimi i ligjit dëshmi e pjekurisë institucionale

Prishtinë, 1 shtator - Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, i shoqëruar nga Drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope.

Në këtë takim, Ministri Kuçi dhe Ambasadori Delawie biseduan për bashkëpunimin e Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e drejtësisë, duke e vlerësuar lartë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në fuqizimin e sundimit të ligjit.

Ministri Kuçi e ka njoftuar Ambasadorin Delawie me progresin dhe reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë në vend, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë dhe asistencës së ofruar nga qeveria amerikane.

Ministri Kuçi ka theksuar arritjet e deritanishme në infrastrukturën e gjyqësorit dhe prokurorisë dhe në konsolidimin e legjislacionit, duke përfshirë edhe hartimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Njëkohësisht, Ministri Kuçi ka shpalosur planin e Ministrisë së Drejtësisë për këtë  mandat qeverisës. “Ky plan ka në fokus fuqizimin e besimit të qytetarëve në drejtësi,” ka theksuar Ministri Kuçi. Përderisa infrastruktura dhe pozita e punonjësve në sistemin e drejtësisë është përmirësuar dukshëm, ende ka punë për t’u bërë që kualiteti i punës së gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës të ngritët në shërbim të qytetarëve, pa dallim.

Ministri Kuçi i ka vënë theks të veçantë tre prioriteteve të këtij mandati qeverisës: hartimin e Kodit Civil të parë të Republikës së Kosovës, përmirësimin gjithëpërfshirës të sektorit që rregullon çështjet e ndjeshme pronësore, si dhe rishikimin strategjik të sistemit të drejtësisë.

Në prezencën e Drejtorit të Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, Ministri Kuçi është shprehur falënderues ndaj ndihmës së vazhdueshme të ofruar nga USAID-i në fushën e sundimit të ligjit, me theks të veçantë në përmirësimin e fushës së të drejtave pronësore. Njëkohësisht, Ministri Kuçi ka kërkuar përkrahje edhe në procesin e rishikimit strategjik të sistemit të drejtësisë, duke synuar një sistem më efikas që i përgjigjet nevojave të qytetarëve. 

Ambasadori Delawie ka falënderuar Ministrin Kuçi për bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe ka vlerësuar lartë progresin e arritur në vend, duke theksuar që institucionet e Republikës së Kosovës me hapat e ndërmarrë në fushën e sundimit të ligjit kanë dëshmuar pjekuri institucionale. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)