29 Mars 2024

Jahjaga: Shkolla shqipe ka një domethënie të veçantë për popullin e Kosovës

Deçan, 1 shtator - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori sot pjesë në manifestimin për 100-vjetorin e shkollës shqipe në trevën e Deçanit, të organizuar nga shoqata e historianëve të Kosovës \"Ali Hadri\", dega në Deçan.

Në manifestim morën pjesë edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ish-kryetari i Kuvendit, zotëri Jakup Krasniqi, kryetari i komunës së Deçanit, zotëri Rasim Selmanaj, anëtarë të familjeve të dëshmoreve, përfaqësues të Institutit të Historisë dhe studiues.

Presidentja Jahjaga mbajti edhe një fjalim në shënim të përvjetorit të 100-te të shkollës shqipe në Deçan dhe foli edhe për mbijetesën e arsimit dhe për rëndësinë e arsimimit dhe edukimit.

Pas përfundimit të manifestimit, Presidentja Jahjaga vizitoi shkollën fillore \"Sylë Alaj\" në Drenoc të Deçanit dhe bashkëbisedoi me nxënësit dhe me personelin arsimor te shkollës.

Gjatë vizitës në Deçan, Presidentja Jahjaga u takua edhe me kryetarin e Deçanit, zotëri Rasim Selmanaj, në ndërtesën e komunës. Presidentja Jahjaga u njoftua nga kryetari Selmanaj për zhvillimet aktuale në komunë dhe projektet zhvillimore të saj.

Në vijim, fjala e Presidentes në manifestim:

Shpreh mirënjohjen time për ftesën, për të marrë pjesë në manifestimin për njëqind vjetorin e arsimit shqip në komunën e Deçanit, përkatësisht për hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe në fshatrat Drenoc dhe Irzniq dhe njëkohësisht ju përgëzoj për organizimin dhe kujtimin e datave të rëndësishme nga e kaluara e popullit tonë dhe të kësaj treve, veçanërisht për shënimin e jubileut të arsimimit në gjuhën shqipe.

Me këtë lloj organizimi nderoni të gjithë ata veprimtarë  që  punuan  palodhshëm për lirinë, për shkollimin dhe për përparimin. Arsimimi dhe ngritja e përgjithshme kulturore janë parakushtet i çdo zhvillimi dhe janë themelet e bërjes  së  kombit  dhe  të  shtetit.

Të nderuar te pranishëm,

Të  përkujtojmë këtu me nderim Hasan Prishtinën e Bajram Currin, Niman Ferizin e Qazim Bakallin,  Pashk Llogorecin e Ndue Bytyqin si dhe mësuesit Ibrahim Fehmiu në Drenoc  të  Vokshit  dhe  Latif  Shaqirin  në  Irzniq  e  shumë  e  shumë atdhetarë e arsimdashës  të  tjerë  që,  duke  hapur  shkollat  në  këto  anë,  e hapën horizontin e dijes si pjesë e zgjimit dhe të dinjitetit kombëtar.

Sot me krenari e kujtojmë Kongresin e Alfabetit të, mbajtur në Manastir në vitin 1908, kur u vendos që gjuha shqipe të përdorë alfabetin latin, si një sukses të madh, si një përcaktim të drejtë, si një rreshtim të popullit shqiptar në familjen evropiane.

Shkolla shqipe ka një domethënie të veçantë për popullin e Kosovës, sepse me të ka ruajtur edhe identitetin - jo vetëm gjuhën, dhe sepse bashkë me të ka kultivuar ndjenjën për liri dhe ndjenjën për të qenë i barabartë me të gjithë popujt e tjerë.

Me shkollën kemi shkruar edhe historinë tonë – një histori sa të dhimbshme po aq edhe krenare. Historinë e një vendi që lirinë - krahas sakrificës dhe përpjekjeve të pareshtura të gjeneratave të tëra - e ka fituar edhe me ndihmën e pakursyer ndërkombëtare. Historinë e një vendi që pavarësinë e ka ndërtuar me vullnetin e popullit të tij dhe me mbështetjen e madhe të miqve dhe aleatëve tanë.

Kosova sot është shtet i ndërtuar me parimin qytetar, me lirinë për secilin shtetas të saj, me të drejta e obligime të barabarta për secilin.

Pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm – po aq sa është edhe aspirata e popullit të Kosovës për të qenë pjesë e pandashme dhe e barabartë edhe e NATO-s, edhe e BE-së edhe e OKB-së.  Me një miqësi të përjetshme me SHBA-në.

Dhe prandaj Kosova sot është një shtet që po ndërtohet mbi bazën e sundimit të ligjit dhe të rendit, ku secili është i barabartë përpara drejtësisë, ku lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësi, dhe ku vendosja e drejtësisë është themeli për ndërtimin e mirëbesimit ndërmjet qytetarëve.

E kaluara e rëndë, e dhunshme dhe hegjemonizmi, pasojat  e  të cilës po i vuajmë edhe sot,  nuk  kthehet  më.  Kosova  është  faktor stabiliteti dhe i sigurisë, një promovuese e fuqishme  e marrëdhënieve ndërmjet fqinjëve dhe kontribuuese e madhe e paqes jo vetëm në rajon. Prandaj, ne sot kur po i vendosim themelet e forta të paqes duhet të mendojmë për pajtimin ndërmjet  të  gjithë  popujve,  duke  mos  e  harruar të kaluarën, por duke e ndërtuar të ardhmen.

Drejtësia duhet të mbisundojë dhe krimet e bëra duhet të dënohen për të mos u përsëritur asnjëherë më.

Të nderuar qytetarë,

Kosova është vend i traditave të mirëkuptimit e mirëbesimit, vend shumëkulturor i tolerancës dhe kultivimit të harmonisë kombëtare dhe fetare. Në  veçanti kjo pjesë e Kosovës, Rrafshi  i Dukagjinit, ka dëshmuar me shekuj këtë histori të tolerancës dhe të bashkëpunimit fetar.  Kosova ka një trashëgimi të pasur kulturore e fetare, dhe një prej tyre është edhe Manastiri i Deçanit, një objekt tashmë në mbrojte të UNESKO-s, vend anëtar i së cilës organizatë  së  shpejti  do  të  bëhet  edhe  Kosova.

Ky  Manastir, që  mban  emrin  e  qytetit  tuaj, një objekt i trashëgimisë dhe kultit fetar ortodoks, gjatë  historisë  mbijetoi  dhe  u  ruajt  nga  banorët e zonës - kryesisht fise shqiptare. Kjo traditë besoj se duhet të kultivohet edhe në të ardhmen, sepse kështu ruajmë pasuritë dhe trashëgiminë e Kosovës dhe sepse kështu kultivojmë  ndjenjën  e  lirisë  dhe  të  barazisë.

Unë  angazhohem që marrëdhëniet me Manastirin të zhvillohen në frymën e bashkëpunimit të mirë, të mirëkuptimit dhe mirëbesimit  me  ata  që  shërbejnë  në  atë vend, duke  mundësuar  njëkohësisht  edhe  kryerjen  e të gjitha detyrave dhe obligimeve si pushtet komunal.

Ne duhet ta respektojmë frymën e Kushtetutës dhe të Ligjeve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht obligimet tona të marra me Pakon e Ahtisarit. Vetëm sundimi i ligjit dhe zgjidhjet institucionale  janë të qëndrueshme dhe njëherësh  të  pranueshme.

Miq të dashur,

Kosova  si edhe çdo vend tjetër i ka vështirësitë e veta të tranzicionit, që shkaktojnë dhimbje, padurim, por edhe mospëlqim. Një periudhë që ndoshta zgjat më shumë, sepse kërkon më shumë punë dhe reforma të thella në shoqëri, që sado të dhimbshme të jenë këto reforma, janë të domosdoshme për neve, për shoqërinë tonë, për shtetin tonë dhe do të ndihmojnë shoqërinë tonë të përafrohet me BE-në.

Ne jemi aq larg po edhe afër nga BE-ja  për  aq  sa  kemi kryer  punët  tona. Dhe prandaj duhet të tregojmë pjekurinë tonë dhe vizion për të ardhmen, e cila ndërtohet bashkërisht për një shoqëri të njerëzve të lirë me mundësi të qarta dhe të barabarta për zhvillim dhe përparim. Një shtet të së drejtës, me një sistem të përparuar e modern të arsimimit.

Dëshmia më e mirë është shënimi i këtij përvjetori të 100-të të shkollës shqipe në këto treva. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)