28 Mars 2024

Marrëveshja për kodin telefonik legalizon operatorët serbë

Prishtinë, 1 shtator -  Ish-kryetari i Bordit Rregullativ të Telekomunikacionit të Kosovës, Anton Berisha, e ka kritikuar marrëveshjen për kodin telefonik të Kosovës e cila është arritur në Bruksel më 25 gusht.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje legalizon gjendjen ekzistuese të telekomunikacionit dhe operatorët serbë në veri të vendit. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se shtetit të Kosovës tani i mbetet vetëm që këtë veprim ta mbulojë me letra. “Marrëveshja legalizon gjendjen ekzistuese, të uzurpimit të infrastrukturës telekomunikuese në veri dhe legalizon operatorët serbë. I gjithë trafiku, infrastruktura dhe ekonomia de facto do të jenë serbe. E vetmja gjë që i mbetet shtetit të Kosovës është ta arsyetojë dhe ta mbulojë me ndonjë letër”, ka thënë Berisha.

Ai ka deklaruar se procedura e aplikimit për kodin telefonik mund të jetë e pasuksesshme. Sipas Berishës, çështja e kodit është një e drejtë e derivueshme e një shteti dhe nuk ka pasur nevojë të jetë pjesë e negociatave me Serbinë.

Ai ka thënë se këtë gjendje e ka sjellë neglizhenca e institucioneve të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.

“Ajo çfarë ka ndodhur pas shpalljes së pavarësisë ka qenë mungesë totale e angazhimit për kodin dhe është futur në kuadër të bisedimeve me Serbinë. Pra, shteti i Kosovës nuk e negocion çështjen e kodit me organizmat kompetentë, por me Serbinë. Dhe, kuptohet, Kosova e ka paguar çmimin për këtë, në dhënien në menaxhim dhe, me gjasë, pronësi të plotë sektorin e telekomunikacionit asociacionit, respektivisht trajtimit të tij si infrastrukturë e Serbisë. Për kodin do të kemi një procedurë aplikimi, që nuk është e thënë domosdoshmërisht të jetë e suksesshme”, është shprehur ai, duke shtuar se koha do ta vërtetojë se si do të rrjedhin gjërat për këtë çështje. Sa i përket anës praktike, Berisha ka vlerësuar se në veri do të vazhdojë të përdoret kodi i Serbisë edhe më tutje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)