19 Prill 2024

VETËVENDOSJE: Prishtina nuk pranon zajednicë!

Prishtinë, 30 gusht - Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi sot tribunën e dytë kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo tribunë ku pjesëmarrja ishte masive u mbajt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Tribunën e hapi anëtari i Kryesisë së Lëvizjes, z. Ylli Hoxha, i cili ndër të tjera tregoi se si krijimi i “Zajednicës” është proces që ka filluar tash e një kohë të gjatë, dhe është bërë gradualisht, pikërisht që të mjegullohet sa më shumë ndarja e Kosovës. “Fillimisht u bë një buxhet i veçantë për atë pjesë, pastaj vazhdoi me marrëveshjen për policinë, me gjykatat, me telekomunikacionin, dhe kulmoi me krijimin e Zajednicës”. 

Deputetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Albulena Haxhiu shpjegoi se si “Zajednica” do të jetë një mini-shtet brenda Kosovës. “Kjo ‘Zajednicë’ do t’i ketë të gjitha organet dhe kompetencat e një shteti. E ka buxhetin, policinë, drejtësinë, presidentin që do ta përfaqësojë brenda dhe jashtë vendit, qeverinë – që këta po e quajnë bord dhe do të ketë rol ekzekutiv, dhe kuvendin që do të ketë rol legjislativ. Madje, do t’i ketë edhe simbolet e veta që do ta bëjnë të dallueshme nga Republika e Kosovës” – tha deputetja Haxhiu.

Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti përveçse tregoi se si “Zajednica” do të ketë ndikim edhe në vetë Komunën e Prishtinës, foli edhe për krahasimin në mes të saj dhe Republikës Srpska në Bosnje. “Na kujtohet mirë se si saktësisht në këtë mënyrë, edhe Republika Srpska në Bosnje, në fillim u themelua si një Bashkësi Komunash me Shumicë Serbe. Sot, Republika Srpska në Bosnje është mini-shtet edhe më i fuqishëm politikisht dhe ekonomisht se sa pjesët e tjera të Bosnjes”.

I fundit foli Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Visar Ymeri, i cili tha “Zajednica e sjell Serbinë në Kosovë, e kur Serbia futet në Kosovë për popullin shqiptar nuk mbetet vend. Këtë na e ka dëshmuar e kaluara.”

Më tutje, Ymeri tha: “Këta politikanë e kanë përdorur vazhdimisht pushtetin për t’u pasuruar për vete në mënyrë të paligjshme. Dhe i kanë dhënë rëndësi më të madhe dhe absolute pronës së tyre private e jo shtetit. E keni parë që prej 25 gushtit, ende pa u kthyer në Prishtinë, pra prej Vjene e prej Brukseli, Isa Mustafa flet vetëm për rançin e vet në Prapashticë. Dy fjalë i thotë për Republikën, se si “Zajednica” nuk po e dëmtoka atë, dhe pastaj 20 fjalë për rançin e vet. Një kryeministër që flet qe një javë ditë vetëm për pronën e vet private, ai po tregon që shtetin e përdorë vetëm për pasurim të vetin privat. Nuk e ka mendjen te shteti. E ka mendjen tek prona private e tij. Ky nuk mund të jetë kryeministër i vendit. Prandaj Isa Mustafa i ka tri zgjedhje: ose ta tërheq nënshkrimin e vet nga marrëveshja e 25 gushtit, ose të jap dorëheqje, ose të përballet me organizimin popullor që do ta detyrojë Isa Mustafën të jap dorëheqje.

Jemi para një situate mjaft të qartë: Nëse kalon Isa, kalon edhe Zajednica. Nëse s’kalon Isa, s’kalon as Zajednica. E ne po themi “Nuk kalon Zajdenica”.”

“Na thonin smund ta shkarkoni Jabllanoviqin, veç po dilni kot nëpër protesta. Por ja. Sot Jabllanoviqi nuk është më ministër. Ka njerëz që mendojnë që nuk mund ta ndalim Zajednicën. Por sikur ministrin Jabllanoviq që e shkarkuam, edhe “Zajednicën” mund ta ndalim. Sepse nuk ka pushtet apo qeveri në botë, pavarësisht se sa e fortë është, që mundet me dal fitues kundër popullit të vet.”

Pas kësaj tribune, aktivistët e VETËVENDOSJE!-s së bashku me qytetarët pjesëmarrës realizuan një aksion simbolik duke vendosur një tabelë të madhe ku shkruan “Prishtina nuk pranon Zajednicë”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)