23 Prill 2024

‘Islamic Relief Kosova’ shpërndan 21 krerë lopë për familjet skamnore

Prishtinë, 27 gusht - Organizata humanitare ‘Islamic Relief Kosova’, në bashkëpunim me ‘Islamic partner në Zvicër’, ka shpërndarë 21 krerë lopë për familjet skamnore me jetimë në Komunën e Drenasit dhe të Skenderajt.

Drejtori i kësaj organizate humanitare, Vehbi Zeqiri, ka thënë se qëllimi i këtij projekti humanitar që përllogaritet të jetë rreth 40 mijë euro, është lehtësimi dhe zbutja e gjendjes së rëndë ekonomike për familjet në fjalë, mundësia për ushqim më të mirë dhe kthimi i besimit të personat në nevojë se ende ekziston ndjenja e solidaritetit dhe ndihmës mes njerëzve.

“Jemi të përkushtuar që t’indihmojmë ata që kanë nevojë, pa kërkuar asgjë në rikthim prej tyre. Gjithashtu ne do t’i ndihmojmë të gjithë, pa marrë parasysh gjininë, racën, afinitetin politik, apo besimin. Ne duhet të kujdesemi për të varfrit tanë. Kosova ka kapacitete të mjaftueshme. Është jo etike të kërkojmë prej të tjerëve që të na ndihmojnë përderisa kemi mundësi ne si shtet dhe si shoqëri”, ka shtuar Zeqiri.

Për kriteret e përzgjedhjes së familjeve përfituese, foli menaxheri i projektit Ramadan Berisha, i cili tha se fillimisht të gjitha gratë kryefamiljare që kanë përfituar nga ky projekt, kanë marrë pjesë në trajnime në fushën e mirëmbajtjes dhe shëndetit të lopëve të organizuara nga ‘Islamic Relief Kosova’.

“Përfituesit e këtij projekti humanitar janë përzgjedhur në bashkëpunim me departamentet e mirëqenies sociale në komunat Skenderaj dhe Drenas, si dhe në bashkëpunim me Departamentin e Jetimëve në IRK, duke pas për kriter përzgjedhjen e atyre familjeve me jetimë të cilat kanë më së shumë nevojë”, ka thënë Berisha.

Ndërsa familjarët që përfituan nga ky projekt humanitar, u shprehën të lumtur, ngase tani e tutje kualiteti i jetës së tyre do të përmirësohet sado pak. Ata falenderuan “Islamic Relief Kosova” për ndihmën dhe mundin e pakursyer që po e tregojnë vetëm që buzëqeshja të përcjellë edhe fytyrat e shumë fëmijëve jetimë, por edhe të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmën e shoqërisë.

Në bazë të kontratave për përfitim, përfituesit duhet ta mbajnë lopën në pronësi të tyre për së paku 2 vjet të plota.

Ndryshe, “Islamic Relief Worldwide” është një organizatë humanitare ndërkombëtare me qendër në Birmingham të Britanisë së Madhe dhe e shtrirë në më shumë se 40 shtete të botës duke përfshirë  Kosovën ku aktivitetin e ka filluar menjëherë pas lufte në vitin 1999 si ‘Islamic Relief Kosova’ (IRK).

Gjatë kësaj periudhe IRK ka implementuar projekte të ndryshme, duke filluar prej atyre emergjente, edukative, shëndetësore, infrastrukturë si dhe financiare me anë të cilave ka kontribuar në zbutjen e  brengave dhe nevojave të  familjeve dhe individëve në Kosovë.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)