29 Mars 2024

Autostrada Durrës-Prishtinë-Nish diskutohet në Samitin e Vjenës

Prishtinë, 27 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në margjina të Samitit të Ballkanit Perëndimor 2015 i cili ka filluar punimet në Vjenë, ka marrë pjesë në një takim të zhvilluar për projektin e autostradës Durrës-Prishtinë-Nish, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ministri i jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, si dhe presidenti i Bankës Evropiane për Investime, Werner Hoyer.

Gjatë takimit, është diskutuar për modalitetet e ndërtimit të pjesës së mbetur të kësaj autostrade, si dhe mundësitë e financimit nga fondi i ndarë nga Bashkimi Evropian për rrjetin bazë të infrastrukturës, si dhe aspekte të tjera që lidhen me rëndësinë e këtij projekti për tre shtetet. 

Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa theksoi gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të punuar në përfundimin e kësaj autostrade, duke e vlerësuar të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe për lëvizjen e qytetarëve të rajonit.

Kryeministri Isa Mustafa tashmë po merr pjesë në sesionet e Samitit të Ballkanit Perëndimor 2015, ku po marrin pjesë edhe kancelarja Federale Gjermane, Angela Merkel, kancelari Federal Austriak Werner Faymann, komisionerja Evropiane Federica Mogherini, kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe përfaqësues të shteteve dhe të mekanizmave të BE-së dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare. Kryeministri Mustafa ka prezantuar një varg projektesh konkrete në funksion të zhvillimit ekonomik në Republikën e Kosovës dhe integrim të mëtejmë të rajonit në Bashkimin Evropian.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)