25 Prill 2024

Bien investimet publike për 22.3 për qind

Prishtinë, 4 gusht - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2014, sipas vlerësimeve preliminare të ASK-së, ka shënuar rritje reale prej 0.9-përqindësh. Ky vlerësim është bazuar në rritjen e investimeve prej 1.5-përqindësh dhe konsumit prej vetëm 1.4-përqindësh, ndërkohë që neto eksportet e thelluan deficitin tregtar për 3.2 për qind.

“Komponenti kryesor në kuadër të PBB-së mbetet konsumi, me pjesëmarrje prej 104.5-përqindësh, investimet me 27.8 për qind dhe neto eksporti me -32.3 për qind”, është thënë në Raportin e Stabilitetit Financiar të Bankës Qendrore së Republikës së Kosovës.

Sipas BQK-së, në përgjithësi viti 2014 është karakterizuar me rritje të konsiderueshme të remitencave me 11.8 për qind dhe rritje të kredive konsumuese me 48.7 për qind. Po sipas BQK-së, si rezultat i vendimit të Qeverisë për rritje të pagave dhe pensioneve, edhe shpenzimet rrjedhëse të Qeverisë shënuan rritje të konsiderueshme me 11.9 për qind. Në anën tjetër, po sipas BQK-së, është shënuar rënie e konsiderueshme e investimeve publike me 22.3 për qind, ndërkohë që edhe investimet e huaja direkte pothuajse u përgjysmuan në vitin 2014 krahasuar me vitin 2013. “Sektori fiskal në vitin 2014 u karakterizua me rritje të lehtë të të hyrave dhe nivel të ngjashëm të shpenzimeve krahasuar me vitin paraprak”, është thënë në raport.

Sipas BQK-së, sektori i jashtëm është karakterizuar me përkeqësim të pozicionit tregtar në vitin 2014. “Pavarësisht rritjes së eksportit të mallrave prej 10.4-përqindësh, rritja e importit të mallrave prej 3.6-përqindësh ka ndikuar në rritjen e deficitit tregtar të mallrave për 2.7 për qind.

Kategoria e të ardhurave dytësore vazhdon të ndikojë në zvogëlimin e deficitit të komponentës së llogarisë rrjedhëse dhe kapitale të bilancit të pagesave të Kosovës. Remitencat si njëra ndër komponentët kryesore të llogarisë rrjedhëse shënuan rritje prej 11.8-përqindësh në vitin 2014 dhe arritën vlerën prej 693.7 milionë eurosh. Llogaria financiare në vitin 2014 regjistroi bilanc negativ prej 145.1 milionë eurosh krahasuar me bilancin negativ prej 132.2 milionë eurosh në vitin 2013”, është thënë në raport.

Po sipas BQK-së, në kuadër të detyrimeve, kategoria kryesore vazhdon të jetë kategoria e IHD-ve, ndërsa tek asetet kategoria kryesore ishin investimet e tjera, kryesisht depozita dhe kredi tregtare jashtë ekonomisë së Kosovës. “Bilanci i IHD-ve u karakterizua me përkeqësim në vitin 2014, përcaktuar kryesisht nga rënia e IHD-ve në vend, të cilat u zvogëluan në 151.3 milionë euro nga 280.2 milionë euro sa ishin në vitin 2013”, është thënë në raport.

BQK-ja ka njoftuar se sistemi financiar është karakterizuar me zgjerim të aktivitetit dhe nivel të lartë të qëndrueshmërisë në të gjithë sektorët përbërës të tij. Roli i sektorit bankar në financimin e aktivitetit ekonomik në vend është përforcuar gjatë vitit 2014. Sipas BQK-së, përshpejtimi i rritjes së aktivitetit kreditues gjatë kësaj periudhe, nxitur kryesisht nga ana e ofertës dhe zvogëlimi i vazhdueshëm i kostos së financimit, kanë ndikuar në rritjen e mëtejme të konsumit dhe investimeve private.

“Në vitin 2014 u regjistruan 9 404 ndërmarrje të reja apo 16 ndërmarrje më pak sesa në vitin paraprak, ndërsa u mbyllën 1 671 biznese apo 163 biznese më shumë sesa në vitin paraprak. Struktura e ndërmarrjeve të reja të regjistruara është e ngjashme me vitin e kaluar ku dominojnë tregtia, hoteleria, prodhimi, ndërtimtaria dhe bujqësia.

Krahasuar me vitin paraprak, është shënuar rënie e numrit të bizneseve të regjistruara tek ndërmarrjet me aktivitete të patundshmërisë prej 198 ndërmarrjesh dhe ndërtimtarisë me 140 ndërmarrje më pak të regjistruara, ndërsa hoteleria dhe prodhimi kanë shënuar rritje për 123, përkatësisht 106 ndërmarrje. Rritje kanë shënuar edhe ndërmarrjet e regjistruara në sektorin e tregtisë”, është thënë në raport, në të cilin është shtuar se sa i përket vitit 2015, pritet që ekonomia e Kosovës ta përshpejtojë ritmin e rritjes. Kjo rritje, sipas BQK-së, pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, ndërsa neto eksportet parashihet të vazhdojnë të kenë kontribut negativ në rritjen e PBB-së.

“Konsumi, si komponenti kryesor i kërkesës së brendshme, pritet që edhe gjatë vitit 2015 ta ketë kontributin kryesor në rritjen ekonomike. Investimet, për dallim nga viti i kaluar, pritet të karakterizohen me rritje të konsiderueshme të investimeve publike. Po ashtu, zvogëlimi i normave të interesit në kredi si dhe lehtësimi i standardeve për aprovimin e kredive nga ana e bankave pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në nxitjen e investimeve të sektorit privat. Edhe IHD-të, të cilat deri në prill të vitit 2015 shënuan rritje të konsiderueshme, pritet të kontribuojnë në rritjen e gjithsej investimeve. Pozicioni i neto eksportit pritet të vazhdojë të ketë ndikim negativ në rritjen e PBB-së. Pavarësisht parashikimeve për rritje më të lartë të eksporteve, niveli më i lartë i importit të mallrave krahasuar me eksportin do të ndikojë që deficiti tregtar i mallrave të thellohet”, është bërë me dije në raportin e BQK-së.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)