19 Prill 2024

Mustafa: Po punojmë për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Prishtinë, 2 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Forumin për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës, të organizuar nga Ministria e Diasporës.
 
Në këtë forum me të rinjtë dhe studentët e diasporës nga vendet e ndryshme të Evropës, ishin edhe ministri i Diasporës i Kosovës, Valon Murati, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi, zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anila Statovci–Demaj, zëvendësministri i Diasporës, Sahit Krasniqi dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.
 
Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në Forum.
 
Faleminderit z. ministër,
Ju përshëndes të gjithë juve që sot jeni prezent këtu.

Mendoj se është një prezencë shumë e rëndësishme për ne, sepse janë njerëzit tanë që jetojnë në vendet perëndimore, dhe për të cilët kemi shumë nevojë që të kujdesemi, të punojmë bashkërisht dhe që pastaj të arrijmë rezultate të përbashkëta.

Mua më vjen shumë mirë poashtu, që së bashku me ne është ministri Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Republikës së Shqipërisë, janë dy zëvendësministra, zëvendësministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Statovci, zëvendësministri i Diasporës, z. Krasniqi, ambasadori i Republikës së Shqipërisë, njerëz që vijnë nga shoqëria civile të cilët po ashtu po kontribuojnë shumë në këto aktivitete.

Unë e përshëndes këtë iniciativë të themelimit të rrjetit të rinisë, sepse kjo është një formë e organizimit e cila krijon ndërlidhje të të rinjve që jetojnë jashtë. Natyrisht që të gjithë neve na ka ra që për një periudhë të caktuar kohore të jemi atje ku jetoni edhe ju, dhe kemi pa që ka nevojë shumë që njerëzit tanë që jetojnë jashtë, edhe gjeneratat e vjetra por veçmas të rinjtë, të lidhen që ata të bashkëpunojnë.

Është një potencial shumë i rëndësishëm për ne, edhe një potencial i njohurive të reja, i teknologjive të reja, i diturive të reja, i shkollimit të të rinjve për të cilën ne kemi nevojë ose ta tërheqim ose të punojmë me juve bashkë, sepse zhvillimi i këtij vendi më nuk mund të bëhet i mbyllur vetëm në kufijtë e Kosovës. As dija jonë nuk është dije e mbyllur, është dije e cila kalon kufijtë edhe të Kosovës, kufijtë edhe regjionalë, kufijtë edhe evropianë dhe ne dëshirojmë që së bashku me ju t’i kapërcejmë këta kufij dhe do ta kuptojmë se më nuk jemi gjithmonë të vetëmjaftueshëm por gjithmonë kemi nevojë të bashkëpunojmë me të tjerët dhe të tërheqim dije dhe dituri të re.

Ne tani po punojmë në shumë fusha si Qeveri. Fushë themelore në të cilën ne jemi përcaktuar tani është zhvillimi ekonomik dhe tërheqja e investimeve të huaja. Ne konsiderojmë se njerëzit tanë që jetojnë në shtetet perëndimore kanë mundësi që të japin kontributin e tyre dhe në këtë aspekt, jo vetëm që ata vetë të vijnë dhe të investojnë, por që të investojnë edhe me njohuritë dhe dituritë e tyre këtu dhe të jenë në ndërlidhje me investitorët e jashtëm në Kosovë.

Po punojmë poashtu në forcimin e shtetit ligjor sepse jemi të interesuar që ky shtet në pikëpamje të drejtësisë dhe në pikëpamje të aplikimit të kritereve evropiane dhe kritereve botërore të jetë në nivelin e vendeve demokratike dhe vendeve të zhvilluara edhe përkundrejt asaj se ne e dimë që në pikëpamje të zhvillimit ekonomik duhet të bëjmë hapa të mëtutjeshëm.

Jemi poashtu të interesuar që të bëjmë reforma thelbësore në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë si dy fusha shumë të rëndësishme sociale tek ne. Kemi arritur që të bëjmë një progres sa i përket përfshirjes së të rinjve në arsimin e lartë, por konsiderojmë që duhet ta rrisim cilësinë e arsimit të lartë dhe cilësinë e mësimit në përgjithësi në mënyrë që të jemi konkurrentë me të rinjtë e vendeve tjera dhe poashtu kemi nevojë që sistemin e shëndetësisë ta reformojmë në mënyrë që të ofrojmë shërbime për qytetarët tanë, shërbime të cilat sot qytetarët tanë kërkojnë më shumë t’i marrin në vendet e jashtme.

Natyrisht se të rinjtë tanë edhe jashtë edhe brenda po e përfaqësojnë Kosovën në mënyrë të shkëlqyeshme në shumë fusha të sportit, të kulturës, edhe fusha të tjera të cilat janë tepër të rëndësishme për ne.

Prandaj, edhe juve si pjesë të kësaj gjenerate ju përgëzoj, ju uroj shumë suksese në këto forume që i kemi sot këtu së bashku dhe poashtu ju premtoj që ajo që varet prej nesh, qoftë nga Ministria e Diasporës, qoftë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, qoftë nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe nga ministritë e tjera do të bëjmë përpjekje maksimale që të bashkëpunojmë me ju dhe të japim përkrahjen tonë dhe ndihmesën tonë.
Ju uroj sukses dhe urime për këtë punë shumë të rëndësishme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)