20 Prill 2024

Rusia rreziku më i madh global

Bruksel, 1 gusht - Komandanti i NATO-s thotë se Rusia përfaqëson sot rrezikun më të madh global. Gjenerali amerikan Philip Breedlove akuzoi Rusinë se vazhdon të mbajë trupa në rajonin e Donbasit, të Ukrainës Lindore. 

Këto komente gjenerali Breedlove i bëri në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan PBS, pas kthimit nga një vizitë në Ukrainë.

Komandanti suprem i NATO-s, Gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Philip Breedlove, vizitoi javën e kaluar Ukrainën. I sapokthyer në Pentagon, ai dha një intervistë mbi  sfidat kryesore të sigurisë me të cilat përballet sot Aleanca.

Gjenerali Breedlove theksoi se Rusia përfaqëson sot rrezikun më të madh global. Ai akuzoi Rusinë se vazhdon të mbajë trupa në rajonin Donbass, të Ukrainës Lindore.

“Pra, ky vend ka përdorur forcën për të ndryshuar kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Ky është një vend që disponon një arsenal bërthamor shumë të madh, dhe që e përmend haptazi mundësinë e përdorimit të këtij arsenali. Ajo çka shohim është një Rusi revanshiste, e cila ka një përqasje të re ndaj sistemit të sigurisë në Evropë.”

Gjenerali Breedlove nuk përjashton se ka hapësira ku mund të bashkëpunohet me Rusinë, si p.sh. për çështjen e Iranit, por se kjo nuk po reflektohet në aspektin e sigurisë së Evropës.

“Në Evropë, ata kanë krijuar tashmë një model, si p.sh. në Gjeorgji, në Transnistria, në Krime, në Donbass, ku përdorimi i forcës është gjuha e ditës. Kjo nuk është ajo çfarë ne dëshirojmë të shohim në tiparet e një partneriteti në Evropë.”

Komandanti i NATO-s thotë se aleanca vazhdon të besojë në një zgjidhje diplomatike, ndërkohë që po i jep ndihmë Ukrainës, si dhe po ndërmerr masa të gjera për sigurinë e vendeve balltike, si nëpërmjet stërvitjeve ushtarake, ashtu edhe politikisht, siç ndodhi gjatë takimit të Uellsit, kur të 28 vendet anëtare ripohuan përkushtimin ndaj mbrojtjes kolektive të NATO-s. I pyetur mbi shqetësimet se ç’do të ndodhë nëse konflikti zgjerohet në vendet balltike, ai tha se NATO është e angazhuar të mbrojë të gjithë anëtarët e saj.

“Mënyra më e mirë për të mos patur luftë është të përgatitesh për luftë... Pra, ne duhet të jemi të përgatitur, në mënyrë që ta evitojmë.”

Por, a mund të shihen këto manovra si provokim nga Rusia?

“Ne marrim masa mbrojtëse, në bazat tona. Ne nuk po vendosim forca të mëdha në Balltik. Momentalisht, ka vetëm nga një kompani ushtarësh amerikanë në secilin nga tre vendet balltike. Është madje shumë më pak se proporcionale.”

Një Evropë e sigurtë, e lirë dhe në paqe, ka nevojë për një Rusi partnere, mendon Gjenerali Breedlove, dhe shton se zyrtarët e Pentagonit po mundohen në të gjitha forumet të rikrijojnë urat e komunikimit ushtarak me Rusinë, që dikur ishin rutinë. Por, ai thekson se përpjekjet për një riafrim nuk do të jenë të lehta.

“Nuk do të jetë një rrugëtim i lehtë dhe nuk do të ndodhë shpejt. Kjo punë me Rusinë është diçka afat-gjatë.”

Duke folur edhe për një rrezik tjetër global, kërcënimin e Shtetit Islamik, Gjenerali vlerëson së tepërmi futjen e Turqisë, një vend anëtar i NATO-s, në luftën kundër Shtetit Islamik.

“Po punojmë tani për mënyrat se si do të përdorim bazat ushtarake, si ato në Incirlik dhe Diyarbakir, të cilat do të jenë shumë të rëndësishme që të mundemi të vazhdojmë fushatën e përbashkët me Turqinë, si anëtare e këtij koalicioni.”

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)