19 Prill 2024

OEAK: Të finalizohen të gjitha elementet e pakos fiskale

Prishtinë, 28 korrik - Pas miratimit të ligjeve të reja që rregullojnë fushën tatimore në Republikën e Kosovës si dhe duke pasur parasysh që dispozitat e reja të këtyre ligjeve tatimore janë paraparë të hyjnë në fuqi më 1 shtator 2015, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bënë thirrje Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që në të njëjtën kohë të finalizojnë të gjitha elementet e pakos fiskale, ashtu që krahas ligjeve të reja të hyjnë në fuqi edhe masat e reja fiskale.

Në mënyrë që pakoja e re fiskale vërtetë të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e investimeve të reja, fuqizimin e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e bilancit tregtar të vendit, Oda Amerikane beson që ditët në vijim duhet të shfrytëzohen për kompletimin e kornizës lehtësuese ligjore.

Në këtë drejtim Oda Amerikane kërkon nga Qeveria e vendit që në përputhje me Ligjin për Mallrat e Liruara nga Detyrimet Doganore të bëjë zgjerimin e listës së produkteve të liruara nga  detyrimet doganore, më konkretisht të lëndëve të para që nuk prodhohen në vend e të cilat gjejnë përdorim në proceset e prodhimit dhe përpunimit.

Në të njëjtën kohë, Oda Amerikane kërkon që në përputhje me ligjet e reja tatimore, Ministria e Financave të hartojë sa më shpejtë të jetë e mundur aktet e reja nënligjore që do të mundësonin hyrjen në fuqi të pushimeve tatimore, si instrument i rëndësishëm për nxitjen e investimeve të reja - të huaja apo të brendshme.

Ofrimi i lehtësirave gjithëpërfshirëse fiskale, përfshirë këtu edhe aplikimin e pushimeve tatimore do t\'i mundësonte vendit që të përmirësojë përparësitë e tij konkurruese në nivel të shteteve të tjera të rajonit dhe të rrisë atraktivitetin e tij si një destinacion i rëndësishëm për investitorët e huaj.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)