19 Prill 2024

Engel: Shqiptarët janë miqtë më të mirë të Amerikës

Prishtinë, 2 korrik - Nën patronazhin e Ministrit të Diasporës, Valon Murati, në një solemnitet, është nderuar një nga personalitetet më të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili më shumë se tri dekada  ka dhënë kontributin në promovimin dhe afirmimin e çështjes së Kosovës, pavarësisë së saj, Harry Bajraktari.

Paralelisht, kur flitet për kontributin e bashkatdhetarëve tanë në ShBA, një emërues i përbashkët që gjithmonë përfaqëson edhe miqësinë më tepër se 25-vjeçare mes ShBA-ve dhe popullit shqiptar, është ai i kongresistit  Eliot Engel.

“Harry Bajraktari nuk kurseu asgjë  për t’ia siguruar popullit të vet lirinë. Falë angazhimit të tij dhe bashkëkombësve të tjerë, Kosova sot është e lirë nga shtypja e një regjimi të dhunshëm”, tha nikoqiri i kësaj ceremonie, ministri i Diasporës, z. Valon Murati.

“Miqtë e Harry Bajraktarit, me ndihmën e pakursyer, ishin shkas për lirinë e një populli të tërë. Kemi nderin e jashtëzakonshëm që sonte në mesin tonë ta kemi njërin prej tyre , kongresistin Eliot Engel. Këta dy persona e personifikojnë më së miri atë që e njohim si miqësia shqiptaro-amerikane. Me kontributin e tyre e kanë dëshmuar më së miri peshën e miqësisë, sidomos në rrethana dramatike”, shtoi më tej ministri Murati.

Ndërkohë, z. Bajraktari e kujton rrugëtimin e tij për në ShBA, që në moshën 12-vjeçare.

“Kjo histori e rrugëtimit të familjes sime për në SHBA, para 46 vjetësh, kishte shpresën e besimit të madh, në një kohë kur Kosova i vuante të gjitha të këqijat nën sundimin e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë. Ky udhëtim i gjatë me babanë, nënën dhe tri motrat, kur i kisha vetëm 12 vjet, më ka shoqëruar gjithë jetën. Ne punuam shumë dhe ia arritëm. Nga këtu dëshiroj t’i falënderoj prindërit e mi për sakrificën e vullnetin që patën, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës që jo vetëm na pranuan dhe na bënë pjesë të tyre, por na ndihmuan për ta arritur qëllimin tonë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që aq gjatë vuajtëm dhe pritëm”, tha z. Bajraktari.

E këtë miqësi mes ShBA-ve dhe shqiptarëve më së miri e përshkroi miku i madh i kombit shqiptar, kongresisti z. Eliot Engel.

I përzemërt në fjalën e tij, ai kujtoi kohën kur për herë të parë z. Bajraktari e kishte njoftuar me problemin e, siç e përshkroi ai, “një vendi për të cilin kisha ditur shumë pak, Kosovën”. Dhe që nga ajo ditë, tha Kongresmeni Engel, kontributi dhe insistimi i z. Harry Bajraktari për të ngritur çështjen e Kosovës në instancat më të larta në vendimmarrjes amerikane nuk kanë ndaluar.

Ai tha se përmes Harryt, më pas, ishte njohur me shumë shqiptarë, qytetarë të ndershëm e të vyeshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre lirinë e pavarësinë e Kosovës, të cilën e gëzojnë sot.

“Shqiptarët kudo që janë, në Amerikë, Shqipëri apo Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo anekënd botës janë miqtë më të mirë të Amerikës dhe të amerikanëve. Mund të shkoni kudo në botë  si amerikanë e nuk do të gjeni miq më të mirë sesa miqtë shqiptarë, dhe kjo është ajo që më së tepërmi e dua tek populli shqiptar”, tha kongresisti Engel.

Ndërsa, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, tha: “Kontributi dhe aktiviteti i Harry Bajraktarit është shembulli më i mirë i asaj që ka thënë Presidenti John F. Kenedy ‘mos prisni atë çfarë vendi mund të bëjë për ju, por çfarë ju mund të bëni për vendin tuaj”. Z. Minxhozi shtoi se z. Bajraktari me angazhimet e tija, nuk ka kontribuar vetëm për Republikën e Kosovës, por dhe mbarë kombin shqiptar duke marrë nderimet më të larta nga shteti Shqiptar. 

Ky solemnitet, po ashtu, shënon edhe fillimin e “Muajit të Diasporës”. Ministri Murati edhe njëherë, duke theksuar rëndësinë e hartimit të regjistrit të diasporës dhe mërgatës, i njoftoi të pranishmit për fillimin e fushatës me moton “Ti je pjesë e atdheut”. Ai i ftoi bashkatdhetarët që masivisht t’i përgjigjen thirrjes për regjistrim.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, ministra të Kabinetit Qeveritar, deputetë të Parlamentit të Kosovës, akademikë dhe personalitete të tjera të shquara nga jeta kulturore shqiptare, ndërsa Ibrahim Berisha dhe Adem Gashi folën për dy libra që i dedikohen Harry Bajraktarit.

Berisha foli për librin e Muhamet Mjekut “Një jetë mes Kosovës e Amerikës”, kurse Gashi foli për librin “një çerek shekulli për çështjen e Kosovës në Washington”, në të cilën janë përmbledhur kontributet e ndryshme të Harry Bajraktarit për çështjen e Kosovës.
Po ashtu, u shfaq një dokumentar kushtuar figurës së Harry Bajraktarit dhe veprimtarisë së tij gati 30 vjeçare, jo vetëm politike.

Dokumentari nxori në pah edhe lidhjet emocionale të Bajraktarit me vendlindjen dhe me atdheun dhe gatishmërinë e tij për të ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Solemniteti për nder të z. Bajraktari dhe Kongresmentin Eliot Engel, është organizuar në bashkëpunim mes Ministrisë së Diasporës dhe Albanian Media Group – kompani për marrëdhënie me publikun në Shtetet e Bashkuara të Amerikës udhëhequr nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)