19 Prill 2024

Interneti po përdoret edhe për propagandë dhe rekrutim

New York, 2 korrik - Grupe të ndryshme që ushqejnë urrejtjen po përdorin internetin për propagandë dhe rekrutim.

Sipas organizatës hebraike për të drejtat e njeriut, Qendra Simon Wiesenthal, e cila ndjek aktivitetet e këtyre grupeve, influenca e tyre po rritet. Megjithëse mesazhet ndryshojnë, thelbi i tyre mbetet urrejtja dhe dhuna.

Tunizia u trondit javën e kaluar nga dhuna, kur një ekstremist islamik vrau afro 40 turistë. Në Kuvait, një shpërthim vetëvrasës në një xhami shiite la 27 të vdekur. Në janar në Paris 12 vetë u masakruan në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo.

Rabini Abraham Cooper i Qendrës Wiesenthal, e cila ndjek aktivitetin e grupeve që ushqejnë urrejtjen, thotë se këto akte gjejnë jehonë në faqe interneti që përdoren nga grupe si Shteti Islamik:

“Ata po tregojnë aftësi të mëdha në përdorimin e teknologjisë moderne në internet për të komunikuar me masën, por edhe me pjesë specifike të populluatës”.

Ai thotë se Shteti Islamik ka propagandë dhe fushatë rekrutimi të sofistikuar, si për shembull ky buletin dixhital. ISIS përdor edhe median sociale për të lidhur luftëtarët nga fushëbeteja me vizitorë të ndryshëm.

Interneti ka luajtur rol edhe në aktivitetin e grupeve që ushqejnë urrejtjen në Shtetet e Bashkuara. Dylann Roof, i cili akuzohet për vrasjen e nëntë afrikano-amerikanëve në një kishë në Çarlston, u ushqye me indeologji raciste në internet.

Ish-neonazisti Tim Zaal, i cili punon për Qendrën Wiesenthal, sheh një mesazh të ngjashëm me atë që kishte përqafuar vetë më parë. Ai thotë se ekstremistët e sotëm shpesh konsiderojnë të njëjat grupe si armiq:

“Në listë është zionizmi, figura e një hebreu tiran dhe të lig. Të dytë renditen Shtetet e Bashkuara dhe korporatat ndërkombëtare”.

Ai tregon se dikur takohej me neonazistë të tjerë në një park në periferi. Tani ekstremistët komunikojnë me internet:

“Dikush mund të jetë në Dakotën e Jugut, i bllokuar nga bora, megjithatë vazhdon të ushqehet nga kjo propagandë e retorikë”.

Rabini Cooper thotë se interneti ka krijuar efektin e jehonës për këto mesazhe:

“Interneti u jep një ndjenjë komuniteti, i fuqizon. E shohin se nuk janë të vetmit që kanë këto ide”.

Tim Zaal thotë se ekstremistët dëgjojnë mesazhet e urrejtjes, por nuk dëgjojnë opinionin tjetër:

“Duhet që opinioni tjetër të jetë i pranishëm. Zërat më të rëndësishëm janë ata të njerëzve si unë, të ish-ekstremistëve të tjerë që po përpiqen me të gjitha mënyrat për t’iu kundërvënë retorikës së urrejtjes”.

Rabini Cooper i Qendrës Wiesenthal thotë se faqet elektronike që përcjellin mesazhe të urrejtjes duhet të mobilizohen për gjetjen e zgjidhjes, duke mos toleruar komente që ushqejnë urrejtjen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)