23 Prill 2024

Fuqizohen marrëdhëniet Kosovë - Gjermani në fushën e drejtësisë

Berlin, 29 qershor - Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, po qëndron në një vizitë dyditore në Republikën Federale të Gjermanisë, ku me të arritur në Berlin,  është pritur nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë, Christian Lange dhe përfaqësuesin nga Ministria e Punëve të Jashtme, Gotz Schmindt - Bremme.

Ministri Kuçi dhe Sekretari Lange, gjatë këtij takimi kanë diskutuar për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit juridik mes dy shteteve, avancimin e Kosovës në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe anëtarësimin e Kosovës dhe qasjen e saj në mekanizmat ligjor ndërkombëtar.

Anëtarësimi i  Kosovës në nismat ndërkombëtare dhe rajonale për të koordinuar veprimet e prokuroreve dhe gjykatave, me qëllim të luftimit të krimit, është në interes të të gjithë rajonit, ngase krimi nuk njeh kufij dhe kërkon trajtim të përbashkët. Prandaj, kërkesa e Kosovës që t´i bashkohet nismave ndërkombëtare, si një anëtar i barabarte është në të mirën e të gjithë rajonit dhe jo vetëm Kosovës, u tha gjatë këtij takimi.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë, z. Christian Lange, përgëzoi Ministrin Kuçi për të arriturat e Kosovës në reformimin e sistemit të drejtësisë.

Sekretari Lange, poashtu theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit strategjik me Kosovën, përmes konkludimit të marrëveshjeve, të cilat do jo vetëm se do të lehtësojnë bashkëpunimin ndër-institucional por edhe do të kontribuojnë në lehtësimin e procedurave në çështjet që ndërlidhen me  qytetarët.

Ministri Kuçi gjithashtu ka vizituar Parlamentin Gjerman,  ku ka diskutuar me deputete për arritjet dhe sfidat e Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit. Ministri Kuçi, para deputetëve të Parlamentit Gjerman, ka shtjelluar prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me ç’rast ka theksuar fuqizimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.

Ministri Kuçi është shprehur falënderues ndaj Republikës Federale të Gjermanisë për kontributin dhe qasjen e saj ndaj rajonit të Ballkanit dhe Republikës së Kosovës. Ministri Kuçi është shprehur i përkushtuar që marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve në të ardhmen të thellohen edhe më shumë.

“Republika e Kosovës e konsideron Gjermaninë si një shtet mik, shtytës kryesor në konsolidimin e mëtutjeshëm të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar dhe në procesin e integrimit evropian”, ka thënë Kuçi.

Nesër, Ministri Kuçi pritet të takohet me homologun e tij, z. Heiko Maas, me ç’rast do të bëhet edhe protokollimi i marrëveshjes së bashkëpunimit juridik për çështje penale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë që është parafuar sot.

Kjo marrëveshje ndërshtetërore është e natyrës së veçantë, pasi që kjo marrëveshje përfshinë rregullimin e pesë fushave: ndihmën e ndërsjellë juridike, ekstradimin, transferimin e personave të dënuar, luftën kundër terrorizmit  dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Me këtë Marrëveshje palët marrin përsipër ofrimin e ndihmës së ndërsjellë juridike në procedurat penale që janë duke u zhvilluar para organeve gjyqësore të vendeve nënshkruese të kësaj Marrëveshje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)