16 Prill 2024

Krijimi i një tregu të përbashkët Kosovë - Shqipëri i domosdoshëm

Prishtinë, 29 qershor - Biznese e përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës kanë marrë pjesë në Expoforumin e organizuar këtë herë në Prishtinë, për t’i diskutuar për së afërmi mënyrat e reja të financimit të projekteve strategjike Kosovë – Shqipëri.

Në Expoforumin e organizuar nga AlbKonfindustria, Ministria e Diasporës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e përkrahur nga projekti DEED, u trajtuan shumë çështje, me të cilat bizneset nga diaspora ballafaqohen në implementimin e projekteve të ndryshme.

Sipas Gjergj Buxhukut, përfaqësues I AlbKonfindustrisë, Kosova dhe Shqipëria duhet të orientohen nga mënyrat e ndryshme për t’i shikuar mundësitë zhvillimore.  

Sipas tij, një parakusht i rëndësishëm është fuqizimi I tregjeve aktuale dhe inicimi i projekteve aktive nga vetë shtetet që ta nisin kërkimin e kompanive private për të investuar.

Në këtë kontekst, ministri i Diasporës, z. Valon Murati, njëherësh bashkënikoqir i këtij takimi, theksoi se potenciali i shqiptarëve në diasporë është shumëdimensional, duke u nisur nga ai intelektual, profesional, kulturor deri tek ai financiar.

“Të dy qeveritë kemi filluar ta kuptojmë rëndësinë e këtij potenciali. MeD-ja ka vazhduar  krijimin dhe konsolidimin e rrjetit të bizneseve, që do të shndërrohet në një partner të zhvillimit ekonomik, ndërsa heqja e barrierave mes dy vendeve dhe krijimi i një tregu të përbashkët do ta lehtësojë edhe më shumë të bërit biznes”, tha ministri Murati.

Nga ana tjetër, ministri i Energjisë dhe i Industrisë në Qeverinë e Shqipërisë, Damian Gjiknuri, përpos që ritheksoi rëndësinë e një tregu të përbashkët, tha se kapacitetet e Kosovës dhe të Shqipërisë në fushën e energjetikës kanë mbetur të paeksploatuara.

“Ne kemi nevojë për investime të huaja, për hapje të tregjeve tona, sepse si do të jemi atraktivë pa treg të qëndrueshëm. Roli i shtetit është të fasilitojë investim dhe të promovojë projekte. Ne kemi mungesë të projekteve. Kapitale ka, por projekte nuk ka”, tha Gjiknuri.

Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë e Kosovës, znj. Hykmete Bajrami, tregoi për përpjekjet e MTI-së në rregullimin e infrastrukturës ligjore dhe asaj financiare për investimet e huaja, duke theksuar rëndësinë e fillimit të punës së Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku do të adresohen drejtpërdrejt  kërkesat e investitorëve të mundshëm në nivel ministror.

"Në takimet e përbashkëta mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë është arritur  Marrëveshja për Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë si dhe është nënshkruar marrëveshja e protokolit të bashkëpunimit. Në takimet e fundit që kemi pasur ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë me Ministrine e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në Tiranë, kemi diskutuar çështjet e fokusuara kryesisht në Marrëveshjen Kuadër, të nënshkruar në mars të këtij viti, siç janë: unifikimi i praktikave doganore (lehtësimi i procedurave për pajisjen e bizneseve me leje eksport/importi), njohja e certifikatës së origjinës së produkteve, vulave të cilësisë, çmimeve të referencës në mbrojtje të konkurrencës në treg, si dhe njehsimi në fushën e akreditimit, standardizimit dhe metrologjisë."

"Këto marrëveshje kanë për qëllim zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjeve që i sfidojnë bizneset gjatë tregtimit të produkteve të tyre në tregjet përkatëse", theksoi Bajrami.

Ministrja Bajrami shtoi se ambienti i biznesit po përmirësohet në vazhdimësi dhe së shpejti pritet edhe aprovimi i pakos së re fiskale e cila do ta lehtësojë edhe më tej zhvillimin e biznesit në Kosovë, duke mundësuar që lënda e parë që nuk prodhohet në Kosovë dhe makineritë për prodhim të lirohen nga taksa doganore dhe nga TVSH-ja.

Riaktivizimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik sipas saj do të lehtësojë koordinimin ndërinstitucional dhe publiko-privat dhe do të jetë një mekanizëm për adresimin e barrierave dhe sfidave të ndryshme me të cilat ballafaqohen bizneset.
 
Lazim Destani, president i kompanisë “ECOLOG” dhe kryetar nderi i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, kërkoi që praktika e investimeve me mjete vetjake, siç është duke u aplikuar tash për tash në Kosovë, rrallë ku gjendet në vendet e zhvilluara, aq më pak në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndërpritet, ndërsa Qeveria të jetë hisenike në projektet zhvillimore.

Në punimet e forumit u paraqitën  edhe projekte nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, pikërisht në sektorin e energjetikës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)