19 Prill 2024

Diplomohen kadetët e rinj të FSK-së

Prishtinë, 29 qershor - Sot, në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj u zhvillua ceremonia solemne e diplomimit të kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare (QSU) të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerata 2015.

Në ceremoni morën pjesë: ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral major Thimoty Orr, zëvendës ministri i MFSK-së, Muhamet Latifi, sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, Shkëlzen Sylaj, gjeneralët: Bashkim Jashari, Zymer Halimi, Enver Cikaqi, ushtarakë të lartë të Ministrisë dhe të FSK-së, atashetë ushtarakë të akredituar në Prishtinë, kryetarë komunash, familjarë të kadetëve, si dhe të ftuar të tjerë.

Të pranishmit i përshëndeti ministri i Ministrisë së FSK-së, Haki Demolli, i cili e vlerësoi këtë ceremoni si një ditë të veçantë në jetën dhe karrierën e të diplomuarve, por edhe si një ngjarje të shënuar për FSK-së, “diplomimi dhe gradimi i 11 kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare  të FSK-së, në gradën e nëntogerit, është një ditë tejet e rëndësishme dhe e shumëpritur, jo vetëm për kadetët e diplomuar, familjet e tyre, por edhe për Ministrinë dhe FSK-në në përgjithësi."

"Është ditë në të cilën po bëhet kurorëzimi i një pune të gjatë dhe tani pas 4 viteve angazhimi, sakrifice, këmbëngulësie, po e realizoni ëndrrën tuaj, duke u bërë solemnisht oficerë të karrierës në uniformën e FSK-së, që është uniformë e shenjtë dhe shumë e çmuar për popullatën e Republikës së Kosovës”.
 
Ministri Haki Demolli, duke ju drejtuar kadetëve, tha, se:”me sukses ia dolët duke i tejkaluat të gjitha sfidat që u paraqitën para jush dhe sot, në këtë ditë, ju po kaloni në një fazë të re të jetës tuaj, sepse po përmbushni të gjitha kushtet dhe po aktivizoheni si oficerë aktiv në FSK dhe kësisoj po filloni karrierën tuaj të oficerit”.

Ministri Demolli për suksesin e kadetëve, ka përgëzuar stafin e KDS, “për mbështetjen e pakursyer në përgatitjen, trajnimin dhe transmetimin e përvojave të tyre profesionale tek ju, por edhe tek shumë breza të tjerë të kadetëve të FSK-së dhe stafin akademik e trajnues të Qendrës së Studimeve Universitare (QSU), për punën e palodhshme në përgatitjen dhe stërvitjen e gjeneratës 2015, “e cila jam plotësisht i sigurt do të jetë e gatshme që të përmbush me sukses të gjitha obligimet dhe sfidat profesionale me të cilat do të ballafaqohet  në karrierën prej oficeri. Investimet e kësaj natyre, janë garanci më e mirë  se Ministria jonë po e krijon një forcë profesionale sipas standardeve më të larta, pra sipas  standardeve të NATO-s”.

Ministri Demolli, më pastaj i porositi kadetët e sapo diplomuar: “oficerë të rinj, mos harroni se, nuk ka mision më të shenjtë se sa të jesh oficer në shërbim të mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë; vlera dhe parime këto për të cilat gjenerata të tëra kanë sakrifikuar shumë, madje edhe duke flijuar jetën e tyre”.

Ndërsa, për shkollimin e kadetëve në Qendrën e Studimeve Universitare të FSK-së, ministri Demolli tha se: “Doktrina e stërvitjes dhe shkollimi i kadetëve tanë, bazohet në tërësi  mbi njohuritë dhe shkencën ushtarake, të ngjajshme me ato të ushtrive tjera bashkëkohore, duke zhvilluar njëkohësisht studime paralele edhe në institucione civile, konkretisht në Universitetin Amerikan të Kosovës”.  

Në fund, ministri Demolli para kadetëve ritheksoi se: “diplomimi i juaj është më ndryshe, se sa i gjeneratave të tjera, sepse ju diplomuat në vitin, kur Kosova, Ministria dhe FSK-ja, kemi bërë të gjitha përgatitjet për transformimin e FSK-së, në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).  E cila do të ketë një strukturë të re, mision të ri dhe mundësi të reja për ju si oficerë të rinjë, që me punën tuaj nëpër njësite të ndryshme, të mund të jepni kontributin tuaj, në ngritjen dhe profesionalizimin e Forcës së Armatosur të Kosovës”.

Ai, premtoi bashkëpunim dhe përkrahjen pa rezervë të stafit të Ministrisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për kadetët e sapo diplomuar.

Kadetë në mënyrë të veçantë i ka përshëndetur dhe përgëzuar në gjuhën shqipe, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjenerali Thimoty Orr.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në fjalën e tij, drejtuar kadetëve, tha: “Ju po bëheni pjesë e FSK-së, në një kohë shumë të rëndësishme për vendin tonë. E di që rruga për të ardhur deri këtu nuk ishte e lehtë, por, ju duhet të ndiheni krenar për të arriturat e juaja. Ju po bëheni pjesë e institucionit i cili po i shërben vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallim. Ju keni përzgjedhur një profesion fisnik, ju keni zgjedhur që t’i shërbeni vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës."

"Ky virtyt  i vetëmohimit dhe shërbimit me nder dhe integritet na duhet më tepër se kurrë. Ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tuaj në këtë profesion fisnik. Gjatë karrierës tuaj ju do të ballafaqoheni me sfida të ndryshme. Por gjithmonë mbani në mend betimin që sot do të jepni. Ne jemi në shërbim të vendit atëherë kur vendi ka nevojë më së shumti.

"Unë nga ju pres që të jeni oficerë të devotshëm, këmbëngulës dhe të përkushtuar në kryerjen e detyrave që ju jepen, të udhëhiqni dhe motivoni vartësit, të  jeni shembull për vartësit tuaj, si dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne kemi hyrë në një fazë të rëndësishme të përgatitjes së transformimit nga FSK në FAK."

"Kjo periudhë kërkon angazhim shtesë nga gjithë ne. Ju me aftësitë dhe dijet e fituara, gjatë procesit të vështirë dhe sfidues të këtij shkollimi, si dhe gatishmërinë për të shërbyer me nder dhe dinjitet, do të jeni shembull i mirë i vazhdimësisë së ngritjes së FSK-së dhe forcës së ardhshme, ashtu siç janë gjeneratat tjera para jush”, theksoi Rama.

Gjeneral Rama, në fund përgëzoj stafin e KDS-së, të Qendrës për Studime Universitare, të cilët me përkushtimin dhe profesionalizëm kanë punuar në edukimin dhe trajnimin e oficerëve të rinj, si dhe partnerët tanë ndërkombëtar të cilët vazhdimisht na përkrahin në proceset e rëndësishëm të edukimit, shkollimit dhe stërvitjes si dhe ngritjes së kapaciteteve tona.

Pas leximit të urdhrit për gradimin e 11 kadetëve në gradën e nëntogerit, ministri Demolli, gjeneral Rama, gjenerali Orr, gjeneral Cikaqi dhe kapiteni Kiqina u dhanë certifikatat, oficerëve të rinjë të FSK-së.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama i dorëzoi kadetit më të mirë, të gjeneratës 2015, nëntoger Shpend Hajdinit, çmimin “Kadeti më i mirë i gjeneratës 2015”. Kadetët e sapo diplomuar dhanë betimin solemn para komandantit të QSU-së, kapiten Avni Kiqina.

Kadetët e FSK-së kanë kryer studimet në Qendrën për Studime Universitare dhe në Universitetin Amerikan të Kosovës. Ata sot u graduan dhe u janë caktuar detyrat të cilat do t’i kryejnë në njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. 


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)