29 Mars 2024

Forcat e Armatosura të Gjermanisë kanë përcjellë zhvillimet në FSK

Prishtinë, 28 maj - Ministri për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Haki Demolli dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama pritën në takim të përbashkët, Komandantin e Komandës së  Forcave të Bashkuara për Operacione të Forcave të Armatosura të Republikës Federale Gjermane, gjenerallejtënant Hans –Werner Fritz dhe delegacionin e tij.

Në takim, ministri Demolli e falënderoi gjeneralin gjerman Fritz për bashkëpunimin e frytshëm dhe të vazhdueshëm të Ministrisë për FSK me Ministrinë e Mbrojtjes të Gjermanisë si dhe dyja Forcave. Ministri Demolli pastaj u shpreh mirënjohës për mbështetjen dhe kontributin që ka dhënë Gjermania, gjegjësisht Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Gjermanisë në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së.

Më tutje, ministri i FSK-së, Haki Demolli e njoftoi gjeneralin Hans-Werner Fritz mbi zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbi procesin nëpër të cilin po kalon kjo Forcë si dhe mbi aktualitetin politik rreth transformimit të FSK në Forca të Armatosura. Zotëri Demolli tha se i gjithë ky proces është shumë transparent dhe se jemi shumë të gatshëm që kjo të bëhet në koordinim të përhershëm me vendet mike dhe partnere në proces.

Ndërsa, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama në takim foli rreth planeve për transformimin dhe zhvillimin e Forcës në të ardhëm, duke potencuar faktin se janë në proces përgatitjet si për strukturë ashtu edhe për doktrinat dhe se ky planifikim vazhdimisht është bërë dhe po bëhet në koordinim me Ekipin Ndërlidhës Këshillues të NATO-s për FSK-në(NLAT) si dhe me Ekipin Këshillues të NATO-s, për ministrinë e FSK-së (NAT).

Gjeneral Rama në fund tha se FSK-ja është e hapur dhe institucion shumë etnik dhe ne jemi duke ndërtuar një forcë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe se gjatë procesit të transformimit do të jemi transparent me të gjithë qytetarët e vendit, shtetet fqinje dhe me partnerët tanë. Komandanti i FSK-së, krejt në fund tha se jemi të interesuar të ndërtojmë një Forcë fleksibile me standarde të NATO-s, sepse ne jemi të interesuar dhe synimi i ynë është që të jemi vend anëtarë  me të drejta të plota në NATO.

Nga ana e tij, gjenerallejtënant Hans-Werner Fritz tha se Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë ka përcjellë nga afër zhvillimet në FSK dhe se do ta ndjek me vëmendje të veçantë edhe fazën dhe procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura.

Gjenerali Fritz më tutje shtoi se ndjehet i lumtur që krerët e FSK-ë kanë filluar një proces në mënyrë transparente dhe ai garantoi mbështetje të vazhdueshme për FSK-në si në pajisje ashtu edhe në trajnime si dhe fusha tjera me interes reciprok.

Në takim ishin të pranishëm edhe gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i drejtorisë për Operacione në MFSK, gjeneral brigade Werner Haumann, drejtor  i NLAT-it, nënkolonel Rupert J.J Steeger, Atashe ushtarak i Republikës së Gjermanisë në Kosovë, nënkolonel Michael Gierse, këshilltar gjerman në MFSK dhe nënkolonel Fadil Hoxha, asistent ushtarak i KOMFSK.

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë janë në raporte shumë të mira dhe i gjithë bashkëpunimi është i rregulluar me Marrëveshje Bilaterale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)