23 Prill 2024

Vendet e rajonit kanë nevojë për përkrahje

Tiranë, 28 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Vjenës që po zhvillon punimet në Tiranë, iu është drejtuar me një fjalim të pranishmëve të nivelit të lartë.
 
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Isa Mustafa  fillimisht e ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për organizimin dhe për mundësinë e diskutimit për procesin e Berlinit, proces ky tejet i rëndësishëm për zhvillimin e përbashkët ekonomik të rajonit.
 
Më tutje, kryeministri Mustafa tha se dallimet dhe mosmarrëveshjet duhet të kthehen në ura bashkëpunimi pasi që synim i përbashkët është integrimi në BE.

Duke theksuar specifikat e ngjashme pasi që të gjitha vendet ballafaqohen me ngecje në zhvillim dhe me infrastrukture jo të zhvilluar, kryeministri Mustafa tha se vendet e rajonit kanë nevojë për përkrahje, sidomos disa nga vendet që e kanë filluar më vonë procesin e tranzicionit dhe duhet të ecin me hapa më të shpejtë për t’u përafruar me vendet e BE-së.

Kryeministri Isa Mustafa përmendi punët që janë bërë në infrastrukturë,  duke iu referuar Autostradës R7 Shqipëri- Kosovë e cila është në përfundim e sipër, për të arritur në pikën kufitare Merdare, në drejtim të Nishit dhe autostradës R6 që lidhë Prishtinën me Shkupin e cila ka filluar të ndërtohet dhe pritet që të fillojë rehabilitimi i linjës hekurudhore RX (10).

Sa i takon projekteve në energjetikë, kryeministri Mustafa theksoi se në bashkëpunim me Shqipërinë, dhe me ndihmën e Qeverisë Gjermane, po punohet në ndërtimin e linjës së transmisionit 400 kilovoltëshe dhe se po studiohen mundësitë për të filluar edhe linjën e transmisionit 110 kilovolt, Zhur-Dragash-Kukës.

Më tej, kryeministri Mustafa theksoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit edhe në aspekte tjera që do ta përafronin tregjet  dhe që rajoni të shndërrohet në destinacion të bizneseve të Evropës perëndimore e të vlerësohen alternativat për turizëm të përbashkët.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu besimin e fuqishëm se rajoni ka nevojë për një bashkëpunim të ngushtë dhe më të theksuar në të gjitha sferat, duke siguruar se Kosova do të marr të gjitha masat e nevojshme që të sigurojë infrastrukturën e nevojshme për të inkurajuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës që përmes dialogut të zgjidhen mosmarrëveshjet dhe të avancohen të gjitha çështjet në interes të përbashkët të vendeve.

Në këtë forum të nivelit të lartë, po marrin pjesë kryeministrat e vendeve të rajonit, liderë të vendeve të BE-së, udhëheqës të lartë të Bashkimit Evropian si dhe personalitete të shquara evropiane dhe më gjerë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)