25 Prill 2024

Miratohen draft amendamentet e Kushtetutës për themelimin e FAK-ut

Prishtinë, 27 maj - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 31-tën me radhë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar draftamendamentet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Draftamandamentet e miratuara do të procedohen për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës. Miratimi i këtyre draftamendamenteve i hap rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe themelimit të Forcës së Armatosur të Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa tha se kemi të bëjmë me procedurë të riprocedimit të këtyre amendamenteve, meqenëse ato i ka aprovuar Qeveria në mandatin e kaluar dhe i janë dorëzuar Kuvendit, por që nuk kanë kaluar procedurën në Kuvend për shkak të zgjedhjeve.

Duke bërë të ditur se në këto amendamente nuk ka asnjë ndryshim, në krahasim me ato që kanë qenë më parë, kryeministri Mustafa tha se një përparësi është dhënia e mendimit të Gjykatës Kushtetuese, sa kanë qenë në procedurë në Kuvend.

“Propozimi është që amendamentet t’i procedohen Kuvendit, ndërkaq aprovimi i këtyre amendamenteve në Kuvend kërkon dy të tretat e votave të deputetëve të Republikës së Kosovës. Kjo natyrisht nënkupton procedurat që janë paraparë për amendamente, që do të thotë se për aprovimin e tyre ne do të kemi pajtueshmërinë edhe të dy të tretave të deputetëve, edhe pajtueshmërinë në Kuvend të deputetëve të pakicave, ashtu siç është paraparë me Kushtetutë”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se është esenciale që nuk po ndërtohen forca të armatosura mbi baza etnike, as mbi baza etnike të shumicës shqiptare, as mbi baza etnike të etniteteve tjera, për të cilat ka pasur trumbetime mjaft të mëdha në opinion së fundi.

“Është një forcë unike, në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që përfshinë të gjithë pjesëtarët e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, ju ftoj që ne të procedojmë këto amendamente, ndërkaq në Kuvend ne poashtu do të punojmë bashkërisht me të gjithë deputetët, edhe me përfaqësuesit e komuniteteve që të kemi pajtueshmërinë e tyre më vonë për aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Vendimi për aprovimin e draftamendamenteve është aprovuar me dy vota kundër.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe të zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave për menaxhimin e integruar të kufirit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, vendkalimi në Mutivodë, Komuna e Prishtinës, vendkalimi në Banjë, Komuna e Zubin Potokut dhe vendkalimi në Merdar, Komuna e Podujevës.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin mbi gjendjen e Shërbimit Civil në Republikën e Kosovës, për vitin 2014, të përgatitur nga Ministria e Administratës Publike. Raporti përshkruan angazhimin e reformimit të Shërbimit Civil në Republikën e Kosovës dhe rregullimit juridik të funksionimit të tij.

Me vendime të veçanta, të miratuara sot nga Qeveria e Kosovës, janë emëruar: në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Izedin Bytyqi dhe në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjensionit të Regjistrimit Civil, Lulzim Ejupi.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën në Luginën e Preshevës dhe takimet e zhvilluara në komunat e Preshevës dhe Bujanocit për t’u njohur me gjendjen e arsimit të shqiptarëve në këto komuna.

Në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Organizativ për rivarrimin e eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini, ministri Haki Demolli, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të riaprovoj shumën prej 100 mijë eurosh për mbulimin e shpenzimeve të ceremonisë. Për realizimin e kësaj kërkese, Ministria e Financave do të shqyrtojë mundësitë dhe në mbledhjen e ardhshme Qeveria do të marr vendim.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka informuar për vizitën në Shqipëri dhe takimin e zhvilluar me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

Ministrja Bajrami ka ngritur edhe çështjen e Ligjit për investime strategjike dhe angazhimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në këtë drejtim.

Kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se së shpejti do të zhvillohet një takim me ministritë përkatëse, duke theksuar zotimin e Qeverisë që të krijohen kushte për tërheqje të investimeve të jashtme dhe për tërheqje të investitorëve strategjikë.

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)