20 Prill 2024

11 për qind e fëmijëve janë të angazhuar në punë

Prishtinë, 27 maj - Agjencia e Statistikave të Kosovës në bashkëpunim me UNICEF-in ka publikuar dy raporte me treguesit kryesorë të dalë nga Anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë e njohur botërisht si MICS.

Anketa e MICS-it është realizuar në Kosovë në vitet 2013-2014 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, si pjesë e programit global të MICS-it, të krijuar nga UNICEF-i në vitet 1990.

MICS-i në Kosovë është organizuar paralelisht edhe te komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë, për të cilët anketa është bazuar në një mostër të veçantë.

MICS-i siguron informatat e fundit për vlerësimin e gjendjes së fëmijëve, femrave dhe meshkujve, si dhe të dhëna për monitorimin e strategjive dhe planeve ekzistuese të veprimit.

Në Anketën e MICS-it me popullatën e përgjithshme janë intervistuar 4,127 ekonomi familjare në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë rreth 10,000 intervista individuale me femra, meshkuj dhe nëna (ose kujdestarë), me një shkallë shumë të lartë të përgjigjes, prej 94 për qind .

Ndërkaq, në Anketën e MICS-it me komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë janë intervistuar 1,118 ekonomi familjare në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë rreth 3,000 intervista individuale me femra, meshkuj dhe nëna (ose kujdestarë), me një shkallë shumë të lartë të përgjigjes, prej 95 për qind .

Raporti final i Anketës së MICS-it pritet të publikohet në shtator të vitit 2015.

Disa nga gjetjet kryesore të MICS-it për Kosovën janë:

·         1 në 8 femra në Kosovë kanë pasur së paku një lindje të gjallë në 2 vitet e fundit;

·         15 fëmijë në çdo 1,000 të lindur të gjallë nuk do ta arrijnë ditëlindjen e tyre të pestë (shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve nën pesë vjeç, apo probabiliteti i vdekjes ndërmjet lindjes dhe ditëlindjes së pestë);

·         2 në 5 femra në Kosovë praktikojnë të ushqyerit vetëm me gji (të ushqyerit ekskluziv me gji);

·         2.3 është shkalla e përgjithshme e fertilitetit për femrat e moshës 15-49 vjeçare në Kosovë;

·         1 në 3 femra në Kosovë nuk janë duke përdorur asnjë metodë kontraceptive dhe më shumë se gjysma e tyre janë duke përdorur tërheqjen, e cila nuk konsiderohet metodë moderne;

·         Vetëm 14 për qind  e fëmijëve në gjithë Kosovën vijojnë arsimin në moshë të hershme;

·         Vetëm 6 për qind  e baballarëve janë angazhuar me fëmijët e tyre, në katër ose më shumë aktivitete, që promovojnë të mësuarit dhe përgatitjen për shkollim, në 3 ditët të fundit;

·         11 për qind  e fëmijëve janë të angazhuar në punë;

·         2 në 3 ekonomi familjare kanë praktikuar ndonjë form të disiplinimit të dhunshëm (dhunë psikologjike, ose edhe dhunë fizike gjatë muajit të fundit;

·         Pothuajse, gjysma e femrave deklarojnë se një burrë arsyetohet ta godasë ose ta rrahë gruan e tij, për arsye ose rrethana të ndryshme (9 arsyet).

Disa nga gjetjet kryesore të MICS-it te komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Kosovë janë:

·         Gjysma e femrave në komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë kanë pasur së paku një lindje të gjallë në 2 vitet e fundit;

·         49 fëmijë në çdo 1,000 të lindur të gjallë nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Kosovë, nuk do ta arrijnë ditëlindjen e tyre të pestë (shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve nën pesë vjeç, ose probabiliteti i vdekjes ndërmjet lindjes dhe ditëlindjes së pestë);

·         Vetëm 1 në 6 femra nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë praktikojnë të ushqyerit vetëm me gji (të ushqyerit ekskluziv me gji);

·         Vetëm 1 në 3 fëmijë nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë janë plotësisht të vaksinuar (kanë marrë të gjitha vaksinat e rekomanduara sipas kalendarit të imunizimit në Kosovë);

·         3.7 është shkalla e përgjithshme e fertilitetit për femrat e moshës 15-49 vjeçare nga Komuniteti RAE në Kosovë;

·         Pothuajse, gjysma e femrave nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Kosovë nuk janë duke përdorur asnjë metodë kontraceptive dhe shumica e tyre janë duke përdorur tërheqjen, e cila nuk konsiderohet metodë moderne;

·         1 në 4 femra nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Kosovë nuk dinë shkrim-lexim (analfabet);

·         17 për qind  e fëmijëve nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë janë të angazhuar në punë;

·         4 në 5 ekonomi familjare në komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë kanë praktikuar ndonjë form të disiplinimit të dhunshëm (dhunë psikologjike, ose dhunë fizike gjatë muajit të fundit);

·         3 në 4 femra nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë deklarojnë se një burrë arsyetohet ta godasë ose rrahë gruan e tij për arsye ose rrethana të ndryshme (9 arsyet);

·         12 për qind  e femrave nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Kosovë janë martuar para moshës 15 vjeçare dhe 43 për qind  para moshës 18 vjeçare. 

MICS në Kosovë është realizuar me mbështetjen financiare të: UNICEF-it, Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Dukatës së Madh të Luksemburgut, UNFPA-së dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Ndërkohë që, UNICEF-i, UNFPA-ja dhe MPMS-ja, si dhe Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Zyra për Planifikim Strategjik dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës ishin të përfaqësuar në Grupet Teknike dhe Drejtuese Ndër-ministrore. Mbështetja teknike është ofruar gjatë gjithë procesit nëpërmjet delegimit të stafit dhe konsulentëve të UNICEF-it për të punuar së bashku me Agjencinë e Statistikave të Kosovës, gjatë të gjitha fazave të implementimit të këtyre anketave.

Pa shoqërimin dhe mbështetjen e UNICEF-it në Kosovë këto dy anketa nuk do të ishin të mundura. Agjencia e Statistikave të Kosovës është mirënjohëse ndaj Zyrës së UNICEF-it në Kosovë për bashkëpunimin.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)