29 Mars 2024

Kandidatura e një revolte në LDK

Shkruar nga Faton Abdullahu

Vjosa Osmani ka hy në garë për lidere të LDK-së në një kohë kur nuk janë të paktë ata që mendojnë se hyrja e Isa Mustafës në koalicion me PDK-në jo vetëm që ishte gabim i madh politik, por edhe tradhti ndaj parimeve të vetë atij të proklamuara më herët, por edhe të parimeve të LDK-së përgjithësisht.

Duket se kjo është karta më e fortë e znj. Osmani që i dha asaj kurajën të kandidoj e të shpresoj se mund të fitoj. Vetë kryeministri aktual Mustafa ka fituar mbështetur në një kartë të ngjashme, duke kundërshtuar ish presidentin F. Sejdiu, si flirtues me PDK-n dhe Thaçin, dhe duke ngjallur kështu shpresat tek elektorati i LDK-së me kundërshtimet e tij se, ai do të jetë ndryshe në këtë drejtim.

Që znj. Osmani ta fitoj këtë garë ky zhgënjim rreth koalicionit të Mustafës me PDK-në duhet të jetë skajshmërisht i madh ndër anëtarët e LDK-së, përndryshe ajo nuk ka gjasa.

Por sikundër e kemi parë edhe në zgjedhjet e degëve e nëndegëve dhe jo vetëm, ky zhgënjim ndër radhët e LDK –së duket se nuk është në rritje, më shumë mund të thuhet se është në një lloj pritje gjë që nuk shkon në favor të pritshmërive të znj. Osmani.

Është në pritje sepse shpresat se Isa Mustafa nga pozita e Kryeministrit të Kosovës ende mund të bëjë gjëra të mira për Kosovën, apo se, ende mund ta ndihmoj dhe forcoj LDK-në nga ajo pozitë, nuk janë shuar.

Nuk janë të paktë ata që mendojnë se me stilin që ka Isa Mustafa mund të pritet që ai të nxjerrë përfitime nga disa zhvillime të ardhshme, sidomos nga themelimi i Gjykatës Speciale, nga potezat e ardhshëm ekonomik që do t’i ndërmarr, apo edhe nga, karotat e BE-së rreth liberalizimit të vizave.

Vjosa Osmani sigurisht që e ka thirrjen akademike dhe moshën e duhur për një garë të tillë, mirëpo me kaq siguri nuk mund te thuhet se e ka edhe përvojën politike e mbase për mentalitetin tonë as edhe gjininë e duhur.

Gjithsesi se ajo në fushën akademike nuk është shquar me të arritura të veçanta, ato janë modeste, sa për shkak të moshës së re aq edhe për shkak të kohës më të gjatë të shpenzuar në politikë.

Nëse krahasohet në fushën akademike me liderët e deri tashëm të LDK-së dhe me disa intelektual të kalibrit të lartë të LDK-së që i ka pasur dhe ka kjo parti, ajo ngec në këtë drejtim.

Ajo që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës ka pëlqyer tek znj. Vjosa Osmani më duket se është prirja e saj për t’i thënë gjërat troç, të qenit e drejtpërdrejtë e guximshme dhe konsekuenca e saj të qëndroj fortë pas bindjeve pa kalkuluar përfitimet momentale gjë që e ka bërë të perceptohet edhe si parimore.

Vlera këto gjithsesi jo të shpeshta tek politikanët dhe pushtetarët tanë, për çka ajo edhe është shpërblyer nga elektorati i LDK-së me mbi 30 mijë vota.

Ky shpërblim asaj i është dhënë mu në kohën kur ky elektorat mendonte i bindur se dikush e rreptë dhe e drejtpërdrejtë si Vjosa i duhet Kosovës dhe LDK-së si kundërvënie për ta ndal të keqen e PDK-së.

Por parimisht mu me këtë qasje të sajën Vjosa nuk u perceptua asnjëherë si lidere tipike ldkiste. Udhëheqësit tipik të LDK-së që nga themelimi i kësaj partie janë më të qetë e më tolerant, më gjatë kalkulues e më shumë manovrues, aspak agresiv e më rrallë të drejtpërdrejtë.

Vjosa nuk është e tillë. Tek ajo ka shumë revoltë. E vështirë të thuhet se a do të jetë apo jo mu ky karakter ndryshe, ndihmesë për Vjosën në këtë garë.

Në anën tjetër, duket se Vjosa nuk ka pasur kohë apo nuk ka mundur ta bëjë të ditur e të njohur sa duhet vizionin dhe ekipin e saj. Ky është hendikep i madh për një pozitë me kaq kompleksitet, sikundër është të qenit kandidat për kryetar të LDK- së.

Kjo mund t’i vë në huti shumë votues të cilët do ta përkrahnin pa hezitim një agjendë të re dhe reformiste në LDK. Tek kandidatura e z. Mustafa për kryetar të LDK-së, gjendja ka qenë ndryshe.

Ai dhe ekipi i tij ka qenë larg më i njohur për anëtarësinë e gjerë dhe ai kishte ekip me shumë përvojë politike e jetësore gjithsesi.

Gjasat janë të vogla që pas gjithë atij konsolidimi që bëri LDK-ja edhe në zgjedhjet e fundit në degë e nëndegë, znj. Osmani të korrë fitore.

Kandidatura e saj sigurisht se e bënë LDK-n të dalloj për të mirë nga partitë që vazhdojnë të kenë vetëm një kandidat në të tilla raste.

Por ndoshta në fund, ky kandidim i Vjosës vetëm se do t’i shkoj në dobi të Mustafës, duke ja forcuar pozitën e fitores në garë, sepse Vjosa kësaj gare po i jep premisa demokratike që nuk e patën të tjerat parti. 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)