25 Prill 2024

Isa Boletini është simbol i bashkimit, e jo i ndarjes

Shkrua nga Milazim Krasniqi


Polemikat se a duhet të rivarroset në Vlorë a në Boletin, duke i kundërvënë Shqipërinë e Kosovën, Vlorën e Boletinin, janë jokorrekte dhe naive. Jeta dhe vepra e Isa Boletinit janë dëshmi kundër kësaj kundërvënieje. Ai ndenji në Boletin e luftoi në Merdar por, kur e deshi puna, shkoi në Vlorë.
 
Degradimi i debateve lidhur me rivarrimin e Isa Boletinit, ku po përdoren edhe etiketime të rënda, është i padenjë për figurën monumentale të tij, e cila sublimon pastërtinë e idealit shqiptar për liri dhe tragjedinë e kombit shqiptar në luftën e tij të rëndë për bashkim kombëtar.

Tragjedia e heroit që nëntëdhjetë nëntë vjet nuk ka një varr afatgjatë në atdheun e vet, do të duhej të na bënte të gjithëve ta ulnim kokën e ta ndërprisnin llafazanërinë naive. Nëse Kosova për nëntëdhjetë vjet nuk e pati mundësinë reale ta çonte në vend amanetin e birit të vet zulmëmadh, Shqipëria mbase ka mundur ta realizonte atë amanet, sigurisht duke paguar një çmim në bashkëpunimin me fqinjin aguridh.

Punët në gjithë këtë histori tragjike të mbetjes së eshtrave të Isë Boletinit në tokën malazeze, ku e vranë pabesisht, kanë shkuar ashtu si kanë shkuar, ters e mbrapshtë sa s’thuhet. Fatkeqësisht, nuk mund të korrigjohen ato që tashmë kanë kaluar. Natyrisht as që është koha të krijohen histori të reja me fajtorë të rinj, në kontekstin e përpjekjeve që po bëhen për ta mbyllur me një satisfaksion adekuat këtë histori tragjike të eshtrave të heroit. Keqardhja për pafuqinë tonë njëshekullore si komb, do të duhej të ishte në sfondin e të gjitha angazhimeve që po bëhen tash. Pra, keqardhja, e jo kapardisja.

Një keqardhje e thellë, e sinqertë, krejtësisht në pajtim me natyrën e Isait, i cili pati aftësinë të korrigjonte veten dhe të bënte gjënë e duhur në kohën e duhur. Shembulli i tij është unik: pas një lëkundjeje konceptuale që kishte pasur në verë të vitit 1912, ai pati fuqinë e jashtëzakonshme korrigjuese të vetes së vet, ashtu që në vjeshtë të po atij viti, me forca të pakta e me një trimëri të pabesueshme, u bë diga që gozhdoi për disa ditë hordhitë serbe në kufijtë e Kosovës. Pastaj ia dha përkrahjen e plotë qeverisë së shtetit të ri shqiptar e më tutje me trupat e veta u bë mbrojtës i princ Vidit, i cili ishte simbol i mbijetesës së Shqipërisë dhe mbajtjes gjallë të idesë së ribashkimit të Kosovës me të. Definitivisht, Isa Boletini është personaliteti unik shqiptar, sepse ka qenë në anën e duhur të historisë, duke triumfuar edhe mbi veten dhe mbi gabimet e veta.

Në shëmbëlltyrën e tij shihet se si në kthesën vendimtare të historisë, ideali i Shqipërisë etnike dhe i kombit unik shqiptar, ka triumfuar mbi idetë e tjera. Pati të tjerë bashkëluftëtarë e bashkëkohanikë të tij, me më shumë shkollë e me ofiqe, që për kapriciot e tyre politike ose krahinore, jo vetëm nuk arritën të korrigjonin gabimet e bëra gjatë proceseve marramendëse politike, po edhe më keq, përfunduan në tradhti. Isa bëri të kundërtën e tyre, u rreshtua në anën e duhur të historisë së kombit.

Prandaj, prej urtisë së tij duhet të mësohet më shumë, se sa kemi mësuar tash për tash. Për nevojat tona konkrete, jo për nderim ndaj tij, sepse ai tashmë e ka fituar nderimin sublim të kombit të vet. Në këtë kontekst, besoj se polemikat se a duhet të rivarroset në Vlorë a në Boletin, duke i kundërvënë Shqipërinë e Kosovën, Vlorën e Boletinin, janë jokorrekte dhe naïve. Jeta dhe vepra e tij janë dëshmi kundër kësaj kundërvënieje: ai ndenji në Boletin e luftoi në Merdar, por kur e deshi puna, shkoi në Vlorë.

Në atë kohë nuk ka ekzistuar kjo lloj ndarjeje e tashme, sepse e tëra është konsideruar Shqipëri.

Pra, po qe se do të ndiqet ky ideal i tij, kudo që të rivarroset, ai do të prehet në atdheun e vet, në Shqipëri. Kjo sa i përket idealit të heroit. Ndërsa debatet tona për vendin se ku do të duhej të rivarrosej, do të duhej të ndiqnin linjën e interesit strategjik kombëtar, e jo të ndarjeve rajonale e kombëtare. Në rast se interesi ynë strategjik planifikohet të jetë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, eshtrat e Isa Boletinit pranë eshtrave të Ismail Qemalit, do të ishin një konfirmim konkret i kontributeve të përbashkëta dhe idealeve të përbashkëta për një Shqipëri unike.

Ndërsa, po qe se planifikohet që Kosova të forcojë shtetësinë e vet, duke vazhduar luftën kundër synimeve aneksioniste të Serbisë në veri, atëherë rivarrimi i Isa Boletinit në vendlindje, do të ishte interes strategjik, sepse fryma e tij në Boletin do të ishte si një fanar ndriçues për historinë e këtij shteti.

Pra, në këtë version, Isa Boletini do të vazhdonte të ishte mbrojtësi mitik i shtetit të Kosovës në cepin verior të saj, natyrisht bashkë me këtë edhe i Shqipërisë së tij unike.

Fatkeqësia jonë është se na mungon mendimi i përpunuar politik e intelektual lidhur me këto opsione. E keqja është që mungon edhe vullneti për të pasur mendim edhe në të tilla raste. Fjala vjen, dy qeveritë tona, para se ta merrnin vendimin që e kanë marrë për rivarrimin e Isait në Vlorë, kanë mundur të organizonin një sesion shkencor për figurën e Isait në kontekstin e integrimeve kombëtare dhe prej një debati të tillë shkencor shumë më lehtë do të merrnin një vendim më konsensual. Por, qeveritë tona nuk e duan mendimin e përpunuar, nuk duan që dija të ndërhyjë në punët e tyre.

Natyrisht, për mungesë të mendimit të përpunuar, i cili do të futej në dosjet dhe planifikimet strategjike të politikave kombëtare, kanë shpërthyer lloj-lloj shfryrjesh, që si synim e kanë kundërvënien e Kosovës me Shqipërinë dhe fabrikimin e paragjykimeve ndërmjet pjesëve integrale të kombit tonë.

Nuk po u vë faj, sinqerisht. Edhe ky debat i rënduar emocionalisht, është pasojë e brejtjes së ndërgjegjes, që e kemi të gjithë ne për pafuqinë që e kemi manifestuar për gati një shekull, duke mos arritur të sigurojmë prehje për eshtrat e viganit të shqiptarisë. Këtë ndjesi torturuese, disa po provojnë ta kthejnë në azganllëk patriotik, megjithëse të ngjyrosur lokalisht. Por, këtu nuk ka vend për azganllëk e madje as për fjalë të pamatura.

Ka vend për disa pyetje të ndershme: çfarë kemi bërë si Kosovë, për figurën e Isa Boletinit, në këta pesëmbëdhjetë vjet në liri e shtatë vjet pavarësi? Sa e si e kemi ngulitur veprën e tij në themelet e shtetndërtimit të Kosovës, po edhe në kujtimet e përbashkëta kombëtare, jo si streeotip folklorik (duke e puthur flamurin!) po si esencë e sakrificës për pavarësi e bashkim kombëtar? Sa dinë gjeneratat e reja të shqiptarëve për luftën e tij heroike, falë arsimit publik? Apo mos trimëria e tij e pakrahasueshme, është zëvendësuar edhe nga trimëri të pandodhura?

A mos është zbehur figura e tij me sugjerime të huaja, për të zbutur ndjenjat antisllave ndër ne? Ku rangohet figura e Isa Boletinit në hierarkinë e përkujtimeve, përvjetorëve, veprave artistike ndër ne? (Vogëlsia ime ka shkruar në dramë vërtet modeste në vitin 1997 për Isën e Ismailin, por asnjë teatër deri sot nuk ka provuar ta nxjerrë në skenë. ) Pyetje ka edhe më shumë po edhe kaq mjaftojnë për të zbuluar se nuk është bërë as ajo që ka qenë e mundshme të bëhet, as nga Shqipëria e as nga Kosova. Prandaj, nuk duhet të bëhet as zhurmë kaq shumë.
Meqë mendimi i përpunuar politik e shkencor nuk është marrë, mbetet të bëhet një zgjidhje që të qetësohen emocionet dhe të shmanget përçarja. Isa Boletini është simbol i bashkimit dhe duhet të mbetet i tillë. Në këtë kontekst, personi që ka më së shumti të drejtë të shpalosë emocionet e veta dhe të propozojë zgjidhjen, është mulla Asllan Murati, i cili në kohë të rënda, ka pasur guximin t’i marrë ilegalisht nga Mali i Zi eshtrat e Isa Boletint e të bashkëluftëtarëve të tij dhe t’i sjellë e t’i ruajë në oborrin e xhamisë dhe në oborrin e shtëpisë së vet. Ai me ata që e kanë ndihmuar, janë nga të paktët që kanë të drejtë ta mbajnë edhe ballin lart e edhe të bëjnë propozimin e fundit. Në fund të fundit, procesi historik i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, varet nga shqiptarët e gjallë, të sotëm dhe të nesërm, ndërsa të rënët shërbejnë vetëm si frymëzues, me veprat e veta, pavarësisht se ku prehen eshtrat e tyre. Prandaj, edhe prehja e tij në Boletin, aty ku është më e madhe rëndesa emocionale e shqiptarëve sot, do të jetë frymëzuese për bashkimin kombëtar njësoj siç është dhe siç do të jetë frymëzuese për mbrojtjen e kufijve veriorë të shtetit të Kosovës nga fantazmat e pasardhësve të car Dushanit. (Epoka e re)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)