25 Prill 2024

Rama: Bashkimi me Kosovën nën çatinë e Evropës

Prishtinë, 24 maj - Bashkimi shpirtëror, ekonomik dhe shoqëror i Shqipërisë dhe Kosovës do të bëhet nën çatinë e Evropës.

Kështu iu ka kthyer përgjigje kryeministri Edi Rama komenteve dhe kritikave ndaj tij për deklaratat e mëparshme të bashkimit me Kosovën.

Pohimet e kreut të qeverisë shqiptare u bënë nga Prishtina ku së bashku me kreun e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin është zbuluar shtatorja e Ismail Qemalit e vendosur tashmë edhe para godinës së qeverisë së Kosovës. 

“Ne shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës s’kemi ndërmend të shkelim aspak fjalën e lidhur me Amerikën e me Evropën për ta kryer bashkimin kombëtar si kulmim të bashkimit shpirtëror, ekonomik dhe shoqëror me Bashkimin Evropian dhe kurrsesi jo, si përçmim sipëran ndaj fqinjëve me të cilët duam po ashtu të bashkohemi nën çatinë e përbashkët të Evropës”, - deklaroi Rama gjatë ceremonisë se përurimit të shtatores së themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali në qendër te kryeqytetit kosovar.

Në fjalën e tij kryeministri është ndalur edhe tek gjendja e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni dhe ne Luginën e Preshevës.

Duke vlerësuar përpjekjet e atit të kombit, siç e cilësoi ai Ismail Qemalin, për pavarësinë e vendit, kryeministri kërkoi që vështrimi i vetvetes të bëhet përmes veprës se tij. Rama ritheksoi fort nevojën për respektimin e të drejtave të shqiptarëve.

“Shqiptarët janë të bashkuar, dhe askush nuk mund ta imagjinojë më se mund t`i përpijë ata, ne do të kërkojmë drejtësi jo duke shkelur të tjerët, por duke u kërkuar të mos guxojnë të na shkelin”, - tha Rama duke shtuar se: “Kur shqiptarët e Maqedonisë kërkojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit nuk kërkojnë një faturë shtesë, por të drejtat e tyre, të cilat nuk mund të treten. Kur shqiptarët e Preshevës ngrenë zërin nuk kërkojnë asgjë më shumë se çfarë kanë serbët në veri të Kosovës”.

Ai vlerësoi vendosjen e shtatores së Ismail Qemalit si një rishpallje të pavarësisë e sovranitetit të shqiptarëve. “Sa herë që një shtatore e Plakut të Madh lartësohet para nesh, është pavarësia dhe sovraniteti i shqiptarëve që rishpallet. Rikthimi i shëmbëlltyrës së bronxtë të kësaj figure të madhe të kombit tonë, nuk do të ishte e përmbushur nëse nuk do të ishte ndalur edhe në Prishtinë, në këtë vend të themelit të qytetërimit shqiptar në këto troje”, - deklaroi Rama

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)