29 Mars 2024

Kosova e Serbia arrijnë marrëveshje për dy pikëkalime të reja kufitare

Bruksel, 22 maj - Me kryesimin e Ministres për Dialogun,  Edita Tahiri, delegacioni i Republikës së Kosovës dje mori pjesë në takimin e radhës për zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) dhe lëvizjen e lirë në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Takimi për këto tema u zhvillua në një klimë konstruktive të bisedimeve dhe u shënuan përparime dhe dakordime në planin për ndërtimin e gjashtë pikëkalimeve të përhershme kufitare të modelit IBM në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, që do të realizohen dhe financohen nga Komisioni Evropian.

Me këtë rast, Komisioni Evropian raportoi se janë në fazën finale të nënshkrimit të kontratës me UNOPS-in, si partner implementues, dhe se ndërtimi i objekteve do të ndodhë së shpejti. 

Buxheti i ndarë për ndërtimin e objekteve të përhershme të IBM-së nga fondet e IPA-s për të  dy shtetet, është mbi 21 milionë euro.

Marrëveshja për hapjen e dy pikëkalimeve të reja kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, parasheh hapjen e pikëkalimit kufitar tek vendi i njohur si Kapi e Sfircës që gjendet në mes të Komunës së Kamenicës dhe asaj të Medvegjës, si dhe një pikëkalim kufitar që gjendet mes Zubin Potokut dhe Novi Pazarit.

Kërkesën për pikëkalimin kufitar te Kapia e Sfircës e ka bërë pala e Kosovës duke u bazuar në kërkesat zyrtare të paraqitura nga Komuna e Medvegjës dhe Kamenicës, të cilat kërkesa Qeveria e Kosovës i ka mbështetur plotësisht, duke e iniciuar këtë çështje në Dialogun e Brukselit. 

“Hapja e pikëkalimit te Kapia e Sfricës do të lehtësoj maksimalisht lëvizjen e lirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe sidomos të atyre nga Medvegja, sepse do të shkurtohet udhëtimi për rreth 100 km. Me fjalë tjera tani përmes këtij pikëkalimi do të mund të vijnë në Kosovë duke bërë rrugë vetëm 28 kilometra.  Më tutje, gjatë stinës së verës dhe periudhës së festave ky pikëkalim i ri kufitar do t’u mundësojë  diasporës tonë edhe një qasje më shumë për në Kosovë”, theksoi ministrja Tahiri.

Në bazë të analizave nga ekspertët është vlerësuar se kjo pikë e re kufitare do të ndihmojë në përmirësim e gjendjes ekonomike të banorëve të këtij brezi kufitarë pasi që terreni është shumë i përshtatshëm për turizëm rural.

Poashtu u arrit pajtimi për vendosjen edhe të autoriteteve doganore në pikë kalimin kufitar Mutivodë, sipas kërkesës së banorëve shqiptarë të komunës së Medvegjes.

Pika tjetër e kalimit kufitarë do të hapet në pjesën veriore të Kosovës përkatësisht në afërsi të komunës së Zubin Potokut, funksionalizimi i së cilës do të mundësojë kontroll më të shtuar në kufi dhe do të kontribuojë në luftimin e dukurive negative, siç janë kontrabanda dhe kalimet ilegale, duke qenë se kjo pikë është përdorur më herët si një rrugë ilegale për kontrabandë.

Në këtë takim u konstatua se zbatimi i marrëveshjes së IBM-së deri më tash përgjithësisht ka qenë i mirë, dhe në kuadër të avancimit të zbatimit të tij u ra dakord që sistemi i BE-së për këmbimin e informatave doganore (SEED) i dizajnuar për të gjitha shtetet e Evropës Juglindore, të zgjerohet tutje në përdorim nga të dyja vendet.

Gjithashtu është biseduar edhe për avancimin e mëtejmë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe eliminimin e burokracive nga ana e palës serbe sidomos gjatë sezonit të verës kur rritet  fluksi në pikëkalimet kufitare me Serbinë për shkak të frekuentimit të diasporës së Kosovës.

 Për këtë çështje pala e Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që para fillimit të stinës së verës të caktojë një takim të veçantë trelateral.

Delegacioni i Republikës së Kosovës përbëhej nga Ministrja Edita Tahiri,  Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm i  MAPL-së, Arben Çitaku, sekretar i përgjithshëm i MMPH-së, Driton Gashi, sekretar i përgjithshëm i MPB-së, Lulzim Rafuna, drejtor i Doganave të Kosovës, drejtor i Policisë kufitare të Kosovës, Dren Zeka, këshilltar i lartë politik dhe koordinator për IBM, Fisnik Rexhepi, anëtarë i Grupit për implementim dhe këshilltarë i lartë i Ministrit Çollaku,  Qemajl Marmullakaj, drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në ZKM anëtarë i grupit për implementim, Shaban Guda, si dhe Bekim Mehmetaj dhe Bashkim Arifi nga Doganat e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)