25 Prill 2024

Themelimi i Gjykatës Speciale në favor të gjeneratave të reja

Prishtinë, 28 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili zhvilloi vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Pas takimit, kryeministri Mustafa tha se e ka njoftuar ministrin Steinmeier lidhur me prioritetet të cilat i ka Republika e Kosovës, për Programin Qeverisës që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, punësimin, forcimin e shtetit ligjor, me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe me interesimin për tërheqjen e sa më shumë investimeve të jashtme dhe të stabilizohen ecuritë ekonomike dhe ato sociale në Kosovë.

Kryeministri Mustafa shprehu poashtu interesimin e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës për integrimin në familjen e madhe evropiane dhe përkushtimin që të përmbushen të gjitha kriteret për integrime. “Krahas përmbushjes së këtyre kritereve, të kemi përkrahjen e vendeve të Bashkimit Evropian, dhe veçmas të Gjermanisë si shtet lider i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave dhe për proceset e ardhshme tona integruese”, tha kryeministri, duke shtuar se po punohet ngushtë për forcimin e ligjit dhe të shtetit ligjor në Kosovë dhe se kjo do të jetë synim i Kosovës krahas zhvillimit ekonomik etj.

Kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar edhe lidhur me proceset e dialogut të cilat po zhvillohen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kryeministri theksoi se ka nevojë të punohet më shumë në implementimin e marrëveshjeve të deritanishme dhe se implementimi i marrëveshjeve është një kusht i rëndësishëm që të ecet përpara edhe në marrëveshje të reja që kryesisht kanë të bëjnë me kodin telefonik, me energjetikën, me asociacionin e komunave, dhe çështje tjera që janë në agjendën evropiane dhe në agjendën e tryezës në Bruksel.

“Ne do të punojmë pareshtur në mënyrë që të përmbushim të gjitha detyrimet tona, t’i kontribuojmë forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe të jemi edhe pjesë e partneritetit  kundër terrorizmit dhe kundër çdo forme të ekstremizmit i cili paraqitet këtu, apo në vende tjera”, theksoi kryeministri.

Lidhur me emigracionin, kryeministri Mustafa u shpreh se tashmë është arritur të ndalet duke shprehur falënderimet për Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane për kontributin në këtë proces.

Ministri i Jashtëm i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në Kosovë dhe për përparimet që ai tha se ka vërejtur nga e vizita e fundit.

Ministri Steinmeier shprehu edhe njëherë përkushtimin e Gjermanisë për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset e saj zhvillimore në rrugën e saj drejt familjes evropiane dhe vlerësoi të arriturat e deritanishme të Kosovës.

Ministri Frank-Walter Steinmeier në të njëjtën kohë kërkoi të thellohen reformat në të gjitha fushat dhe në veçanti forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si parakusht për investime të jashtme që do të ndikonin direkt në zhvillimin e Kosovës dhe hapjen e vendeve të reja të punës dhe do të siguronte perspektivë për të rinjtë.

Ministri Steinmeier vlerësoi po ashtu kontributin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, dhe gjithashtu theksoi rëndësinë e themelimit sa më të shpejt të Gjykatës Speciale, e cila, siç u shpreh Steinmeier, do t’i bënte favor historisë së saj dhe gjeneratave të reja.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)