19 Prill 2024

Frank Walter Steinmeier vlerësoi të arriturat në Kosovë

Prishtinë, 28 prill - Presidentja e Republikë së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim ministrin e  Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Jahjaga me  Frank-Walter Steinmeier bisedoi për proceset integruese të Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, për domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura me Republikën e Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel, për sfidat e themelimit të Gjykatës Speciale dhe për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe të rendit në Kosovë. 

Presidentja Jahjaga, duke vlerësuar marrëdhëniet me Republikën e Gjermanisë theksoi rëndësinë e mbështetjes së qeverisë gjermane për proceset demokratike në vend dhe posaçërisht për rrugën evropiane të Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ajo tha se Kosova dhe rajoni të vetmen alternativë e kanë integrimin në BE dhe prandaj qëndrueshmëria, bashkëpunimi dhe marrëdhëniet ndërfqinjësore do të përcaktojnë dinamikën integruese.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova dhe Serbia, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, kanë arritur një numër marrëveshjesh të cilat kërkojnë zbatim të plotë dhe tha se rruga evropiane e Serbisë duhet të kushtëzohet me përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga tha se institucionet e vendit po punojnë në rimëkëmbjen ekonomike dhe në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të parandaluar migrimin ilegal të qytetarëve të vendit veçanërisht drejt Gjermanisë.

Ajo tha se institucionet e vendit po punojnë në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare me krijimin e Gjykatës Speciale dhe e njoftoi ministrin Steinmeier me të gjithë hapat e deritashëm në këtë proces.

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, zotëri Frank Walter Steinmeier vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe angazhimin e institucioneve në proceset integruese si dhe në fushën e rendit, që hap mundësi më shumë për zhvillim ekonomik. Ai tha se Gjermania po përcjell me vëmendje të gjitha zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e gjithë rajonit në përmbushjen e kritereve dhe të standardeve për integrime evropiane.

Ministri Steinmeier e vlerësoi të rëndësishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ministri Steinmeier gjithashtu theksoi rëndësinë e përmbushjes së obligimit ndërkombëtar të Kosovës me krijimin e Gjykatës Speciale, e cila tha se kërkon një konsensus të përgjithshëm në shoqëri.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)